Kafe Oxhaku
Dhomë e veçantë në mjediset e çdo teqeje, e konceptuar ne shek. XIII nga themeluesi i Tarikatit Bektashian, Haxhi Beltash Veliu. Në pjesën ballore të dhomës është oxhaku dhe në dy krahët e tij ka dritare dhe poshtë saj janë vendosur mindere të mbuluara me velenxa dhe postiqe (lekurë dele).
Në ambientet e kafe oxhakut mes hapsirave të dritareve, ka versete kuranore, piktura dhe foto të ndryshme të kohës. Në krye të dhomës rri babai i teqesë. Shërbehet, sipas urdhërave të babait, nga një dervish. Në kafe oxhak priten dhe përcillen besimtarë dhe jo besimtarë. Zakonisht aty zhvillohen biseda fetare, por nuk përjashtohet edhe tematika të tjera të ditës. Gjatë ngrënies së darkës, bëhet lutja e sofrës dhe këndohen këngë, nefese dhe gazele bektashiane.