Ballëm Sulltan

1211

8

Jusuf  Balliu  ose  Ballëm Sulltani ka  lindur  në  vitin 1452,  në qytetin e Dimotekës së Bullgarisë. U rrit me një kulturë të gjërë dhe u bë i njohur për dituritë e njohuritë fetare. Që  në  vegjëli shkonte shpesh me të atin e tij në teqen  e Sejjid  Ali Sulltanit. Atje u  rrit,  mbaroi shkollat, bëri  premtimin   solemn dhe fitoi rrobën e bektashizmës, si dervish i virgjër (myxherret). Atje  u frymëzua me  frymën mistike bektashiane, duke u graduar me titujt “baba”, dhe më vonë “gjysh”. Më vonë  u nis për në teqen  e Haxhi  Bektashit me 40 dervish, shokë  të tij. Duke  udhëtuar, i ra rruga dhe shkoi nga Stamboll, ku mbret në atë kohë ishte Bajaziti i Dytë, i cili në ato ditë ishte i sëmurë. Ballëm Sulltani shkoi ta vizitonte mbretin dhe kur e gjeti të sëmurë, iu lut Zotit për shërimin e tij. Lutja e Ballëm Sulltanit iu pranua dhe mbreti filloi të përmirëohet. Kur u shërua fare,  ky mbeti  shumë i entuziasmuar nga Ballëm Sulltani. Në ikje, mbreti i dhuroi dekret të veçantë për  teqen  dhe  shumë toka  nga  shteti. Ballëm Sulltani me   40  dervish iu përvesh punës dhe  riorganizoi teqen  e Haxhi  Bektashit, e shtoi  e rriti dhe e përhapi kudo besimin bektashian. Ai solli shërbime të mëdha bektashizmës, duke bërë së pari një  riorganizim të  ri,  e sistemoi me  gjyshata dhe prindëri në vende të ndryshme të botës. Vendosi përsëri sistemin e virgjërimit për klerikët në teqen e Haxhi Bektashit. Fama  e tij në atë kohë  u përhap shumë, sa  në  vitin  1509,  mbreti i kohës  Sulltan Bajaziti i Dytë  e thirri  në Stamboll dhe  e priti  me nderime të  mëdha. Qëndroi si mysafir i shquar i pallatit shumë kohë, ku mori dorë vetë mbreti dhe shumë personalitete të pallatit.

Bektashizmi i  detyrohet shumë shërbimeve të Ballëm Sulltanit, pse  ai e bëri t’i dëgjohej zëri i saj në  të  katër  anët  e botës, se  kishte  një  bazë  dhe organizim të  shkëlqyer, ishte  personaliteti më  i madh  pas  Haxhi  Bektashit dhe  vjershëtor mistik. Vazhdoi detyrën fetare deri në mbarim të jetës së tij më 1517.  Figura e Ballëm Sulltanit u bë një simbol, shenjt, sa u quajt  Piri i dytë  i bektashizmës.

REFORMAT E BALLËM SULLTANIT:

  1. Rivendosja e Sistemit të Virgjërimit, sepse kjo do t'i çlironte klerikët nga çdo përkujdesje tjetër dhe do të merreshin vetëm me çështjet fetare. Që dervishët bektashinj të dalloheshin nga të tjerët, futi në praktikë shpuarjen e veshit të djathtë dhe vënien e Vathit të Virgjërimit, që bëhej në një ceremoni të veçantë.
  2. Riorganizoi teqetë bektashiane kudo në botë, ku në krye ishte Kryegjyshata dhe më pas Gjyshatat, Teqetë Prindëri dhe deri te institucioni më i vogël, Dervishijet.
  3. Ndryshime bëri dhe në veshjet e klerikëve.
  4. Vendosi rregull e disiplinë për mbarëvajtjen e veprimtarive fetare dhe të jetës së brendëshme të teqeve.
  5. Hoqi të drejtën e trashëgimisë të Dinastisë së Çelepinjëve.

Për të gjitha këto shërbime të mëdha, Ballëm Sulltani është quajtur Piri i Dytë i  Bektashizmit.