Hunqar Haxhi Bektash Veliu

(1248-1337)

6

5

Haxhi Bektash Veliu lindi në qytetin Nishabur në krahinën e Horasanit të Persisë në vitin 1248, në një familje me origjinë profetike. Që në moshë të re u dallua për cilësi të veçanta zgjuarësie dhe virtyte, ku spikati në mësimet që mori në shkollat e Persisë. Në moshën e pjekurisë arriti me një kulturë të gjërë dhe u dallua për zgjuarësi, zotësi, urtësi e sjellje të mira. Mori mësimet mistike prej Lokman Perende, mësues dhe mistik i njohur i vendit. Më pas Haxhi Bektash Veliu u frymëzua nga udhërrëfyesi i shenjtë Hoxha Ahmet Jeseviut dhe u caktua si misionar të përhapte idealin mistik në Anatoli. Vizitoi shumë vende të shenjta: në qytetin Nexhefit të Irakut te tyrbja e Imam Aliut, dyzet ditë bëri lutje, shkoi në Mekë për të kryer urdhërin e pelegrinazhit islam dhe mori titullin Haxhi. Më pas vizitoi mauzoleumin e Profetit Muhamed (a.s.) Medinë ku qëndroi edhe këtu 40 ditë. Në vazhdim të viteve vizitoi Palestinën, Damaskun dhe shumë vende të tjera të shenjta. Në vitin 1281 ai shkoi në “Sulxhe Kara Ujuk” dhe filloi nga misioni i tij. Edhe pse pati kundërshtarë, me punë dhe argumenta i bindi të gjithë. Në këtë mënyrë themeloi të parën teqe në botë, në vitin 1282 e cila mori famë dhe u njohë në gjithë botën (sot quhet qyteti Nevshehirit, Haxhi Bektash). Ky shenjt i madh organizoi në teqe ceremoni bektashiane dhe dita ditës e në vite u shtuan besimtarët e vizitorët e shumtë, të cilët mernin dorë prej tij. Si u përhap bektashizmi në Turqi, Haxhi Bektashi dërgoi misionarët në të gjitha viset myslimane të asaj kohe në Arabi, Persi, Ballkan. Me idetë e bektashizmit ndriçoi mendjet e besimtarëve të bektashizmit, u bë mbret i zemrave dhe pishtar i ndezur dhe spikati me vlerat që i njihte njeriut me tolerancën kundër përçarjes. Ai bënte thirrje: “Të jemi një, të jemi të fortë, të jemi të gjallë”, i ftoi të gjithë për bashkim e vëllazërim me mesazhin: “ Rruga që nuk shkon përmes dijes është errësira”. Ai dha një ndihmesë të çmuar për të krijuar një shoqëri e një mjedis të paqes dhe sigurisë, të sigurisë së prehjes. Hynqari ka lënë shumë vepra, vjersha mistike, dhe shumë fjalë të arta. Në librat “Velajetname”, “Makalat”, “Fevaidul Fukara” (Dobitë e Varfave), “Tefsiri i Fatihasë”, “Këshillat e Haxhi Bektashit”, “Komenti i Bismilaisë”, “Komenti i dyzet haditheve”. Edhe pse kanë kaluar 800 vjet veprat e tij janë të pavdekshme.

7