FONOTEKA E KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE

Fonoteka e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane hulumton, grumbullon, përpunon dhe ruan materiale të ndryshme muzikore si Nefese, Gazele, Ilahi, Divane, Mevlude etj, që i përkasin tarikatit Bektashian që në fillesat e tij.
Gjatë shekujve, nëpërmjet vargjeve e melodive krijuesi i madh popull ka pasqyruar copëza nga historia e tij mijëvjeçare, ka shprehur ndjenjat e tij të gëzimit e hidhërimit, botën e tij të brendshme e të besimit.
Këtë më së miri e shohim te tematika e këngëve, nefeseve e gazeleve bektashiane ku një vend të gjerë zenë krijimet për Atdheun, përpjekjet e popullit për Liri dhe Pavarësi, për gjuhën Shqipe me moton “Pa Atdhe nuk ka Fe”.
Ishin të parët Bektashinjtë që e mbështetën këtë thënie profetike në pavarësinë kombëtare.
Nefeset e Gazelet bektashiane janë të hershme. Autorësia e tyre lidhet me emra të mëdhenj të antologjisë së bektashizmit të huaj dhe shqiptarë si Ynus Emre (1241-1320), Virani Sultan, Fuzuli, Naim Frashëri, Dalip Frashëri, Hasan Zyko Kamberi, Jusuf Myzyri, Ibrahim Hasnaj etj.
Sot në Fonotekë po punohet për gjurmimin e grumbullimin e materialeve te reja duke i hedhur ato në partitura dhe bërë gati për botim.
Po punohet për regjistrimin, dixhitalizimin dhe sistemimin e tyre mbi baza shkencore.