10 korrik -1980: Kaloi nga jeta ish Kryegjyshi Botëror, Ahmet Myftar Dede.
Sot mbushen plot 38 vite nga dita e ndarjes nja jeta e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Dede Ahmet Myftari, klerik i njohur bektashian që ka lënë gjurmë në historinë 800-vjeçare të këtij besimi, duke qenë njëkohësisht një atdhetar i flaktë që nuk kurseu asgjë për çlirimin e vendit nga pushtuesit. “Dede Ahmeti ka dhënë një kontribut të çmuar për bektashizmin, gjë e cila do vlerësohet e do shërbej ndër breza. Ai ishte një klerik i përkushtuar që ndjente lodhje në Udhën e Hakut, dinte të falte mirësi, dashuri e besim në Zot, kontribuoi maksimalisht për përhapjen e besimit bektashian dhe ngritjen e institucioneve si dhe nuk kurseu mbështetjen dhe kontributin konkret për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Dede Ahmeti, është shembulli më i mirë i aksiomës së njohur bektashiane “Pa atdhe, nuk ka fe”, pasi në vitet e vështira të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai jo vetëm dënoi publikisht pushtimin e vendit, por ishte në ballë të lëvizjes popullore për nevojën e çlirimit me armë në dorë”. Sot në këtë ditë të shënuar, në Selinë e shenjtë bektashiane, priten vizita në nderim të këtij klerik dhe atdhetari, ndërsa mijëra besimtarë do të mblidhen në këtë ditë jo vetëm në teqetë ku ai ka shërbyer, por dhe në institucione të tjera të këtij besimi brenda e jashtë Shqipërisë.