110-VJETORI I PAVARËSISË. KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ VIZITON VARRIN E TË NDJERIT SAMI FRASHËRI, TURQI

Ditën e sotme, 27 nëntor 2022, në 110-vjetorin e pavarësisë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Sh.T. Z. Kastriot Robo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Ankara, vizituan varrin e të ndjerit Shemsedin Sami Frashëri, një nga vlerat më të rëndësishme të Rilindjes Shqiptare.
Kryegjyshi Botëror, pasi përshëndeti të pranishmit në këtë veprimtari, u përul me nderim e respekt të thellë para varrit të Sami Frashërit, duke bërë edhe një lutje.
Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të rilindjes kulturore e letrare.  Misionari, mësuesi dhe krijuesi i talentuar, i cili i këndoi me përkushtim dhe i bëri jehonë atdhedashurisë, historisë, gjuhës, kulturës, identitetit dhe lirisë së shqiptarit. Frymëzuesi i madh i krenarisë, dinjitetit dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe orakulli i pashtershëm i lirisë së tyre. Vëllezërit Frashëri, simpatizuan, mëshiruan vlera të mëdha për kombin me devizën e Profetit Muhamed: “Pa Atdhe nuk ka Fe”. Bektashinjtë me këtë devizë ecin dhe udhëtojnë në histori. Çdo ceremoni e çfarëdolloj natyre qoftë, bektashinjtë e fillojnë më hymnin kombëtar.