20 tetori 2022, është përvjetori i 122, i kalimit nga jeta, i bektashiut të madh, poetit kombëtar Naim Frashëri. Personaliteti i këtij atdhetari, gjuhëtari, euroditi e personaliteti të rrallë, kontributi i tij si atdhetar, kujtohet dhe do të kujtohet vazhdimisht në të gjithë hapësirat mbarëshqiptare.
Naim bej Frashëri, i njohur më së shumti si Naim Frashëri, lindi më 25 maj 1846 dhe ndërroi jetë në Stamboll, 20 tetor 1900. Ai ka qenë dhe mbetet poet dhe shkrimtar i madh shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe figura qendrore e letërsisë së Rilindjes, njëkohësisht, poeti i madh i Bektashinjve. Ai është shkrimtar më përfaqësues i mistikës islame në gjuhën shqipe përkatësisht me veprat “Fletore e Bektashinjet” dhe “Qerbelaja”, si veprat e para të bektashizmit shqiptar”. Për së gjalli, ai u pagëzua “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”. Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.
Ai ishte biri i Halit beut (1797-1859) dhe Emine Hanëmit (1814-1861). Nga i ati ishin pasardhës fisnikësh e timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë, u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit. Në vendlindje, Naimi bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten osmane, arabishten dhe persishten, në teqenë e njohur të Frashërit, si myhib bektashi. Pas vdekjes së prindërve, me drejtimin e vëllait të madh, Abdylit që ishte bërë zot shtëpie, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” në vitin 1869. Në “Zosimea”, mori një kulturë të gjërë për kohën, u njoh me kulturat klasike, mësoi gjuhën greke dhe gjuhën frënge. Atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng dhe veprat e Rusoit e Volterit. Në vitin 1871, Naimi shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë. Në vitet 1874-1876 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjtë nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në banjat e Badenit në Perandorinë Austro-Hungareze. Në vitin 1878, punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Në vitin 1882, u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj, të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe, më pas, Kontrollit dhe të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit. Më 14 gusht të vitit 1882, nënshkroi lejen për botimin e “Gramatikës së Kristoforidhit’. Pas arrestimit të Abdylit në Janinë, në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Ai mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”.
Në vitin 1884 nisi botimin revista shqiptare ”Drita”, me redaktor Petro Poga (dhe më vonë Pandeli Sotiri), ndërsa Naim Frashëri, ishte redaktor i fshehtë pasi që në atë kohë shqiptarët muslimanë nuk lejoheshin të shkruanin shqip nga autoritetet osmane. Autoritetet osmane ndalonin shkrimin e shqipes, si rrjedhojë veprat publikoheshin jashtë shtetit dhe Frashëri përdorte inicialet N.H.F. Në një letër të vitit 1887, Naim Frashëri shprehte mendimet e tij mbi gjendjen e Perandorisë Osmane në atë kohë. Sipas tij, zgjidhja më e mirë për të ardhmen e shqiptarëve, ishte bashkimii i Shqipërisë me Austro-Hungarinë. Ndërroi jetë më 20 tetor 1900.
Eshtrat e Naimit, shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishtës. I përcjellur nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve, arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në teqen bektashiane (Qendra Botërore e Bektashizmit në Tiranë).
Krijimtaria e Naim Frashërit është e larmishme, cilësore, atdhetare e kombëtare. Gjuhët e huaja të përfituara nga mësimet e para private dhe më tej, përgjatë shkollimt në Janinë, bënë që ai ishte një shembull parësor i intelektualit osman të shekullit të XIX që ndihej njëlloj i ambientuar si me kulturën Lindore ashtu dhe Perëndimore. Naimi është autor i gjithsej njëzetedy veprave: katër në osmanishte, dy në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqipe. Duke qenë se ishte në një post delikat, si drejtor i këshillit të censurës në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë, me mundësi në disa raste për t’i bërë bisht ndalimit të librave dhe botimeve në shqipe nga ana e Portës së Lartë, Naimi e pa të arsyeshme të mos përdorte emrin e mbiemrin në shumë nga botimet e veta, por të shënonte vetëm ‘nga N.H.’, ‘nga N.H.F.’, ose ‘nga N.F.
Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Me vjershat dhe poemat e tij i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Në vitin 1880, ai shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje atdhetare, poemthin “Shqipëria”, ku shpalli të gjitha idetë që përbëjnë trungun e veprës së tij atdhetare. Ky poemth do të shpërndahej në dorëshkrim mes bashkatdhetarëve të tij, meqenëse qeveria osmane nuk lejonte asnjë shkrim shqip të botohej në Perandorinë Osmane, ndërsa jashtë kufijve kishte mundësi të kufizuara botimi. Vetëm në vitin 1886, Naimi botoi në Bukuresht gjashtë vepra: “Bagëti e Bujqësia”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoreja” me dy vëllime, “Istori e përgjithshme” dhe “Dituritë”. Në vitin 1898 do të botonte poemën epike “Istori e Skënderbeut” e cila u bë një nga veprat më të lexuara gjatë Rilindjes. Rëndësi të veçantë, ai i dha botimit të librave në gjuhë tjera, për të cilët kishte nevojë shkolla shqipe.
Bashkë me të vëllain, Samiun, ishin tejet të interesuar për risimet filologjike. Vepra e parë e Naimit qe përpilimi i një gramatike të gjuhës perse, “Rregullat e persishtes sipas metodës së re” (osmanisht “Kavâid-i farisiyye dar tarz-i nevin”) më 1871, nënshkruar Mehmet Naim, nëpunës i Drejtorisë së Shtypit. Kjo vepër ka 168 faqe dhe është e ndarë në dy pjesë: pjesa e parë me 85 faqe ku jepen të dhëna rreth rregullave të gjuhës perse, sidomos për pjesën morfologjike të kësaj gjuhe, kurse pjesa e dytë, e cila ka 83 faqe, përbëhet nga katër ushtrime dhe me një fjalor në fund me disa fjalë persisht-osmanisht. Naimi shkroi, përktheu dhe botoi qindra vargje në persisht, të autorëve më të njohur atë kohë, duke ndjekur traditën e letërsisë perse dhe modelet e poetëve të parapëlqyer. Në vitin 1884, ai botoi vëllimin me poezi prozaike “Katër stinët” (osmanisht e “Fusuli erbea”) dhe në vitin 1885, shkroi dhe botoi vëllimin poetik “Ëndërrimet” (persisht “Tehajjulat”).
Një vit pas vdekjes së Naimit, Faik Konica shkroi artikullin “Naim H. bej Frashëri”, botuar tek e përkohshmja Albania në Bruksel. Po atë vit në Sofie, nipi i Naimit, Midhat bej Frashëri me nofkën “Mali Kokojka”, shkroi artikullin “Naim Be Frashëri”. Në 1925 në një libër të botuar nga studentët shqiptarë të Vjenës titulluar “Naim Frashërit, vjershëtorit dhe edukatorit kombëtar”, Norbert Jokl në shkrimin e tij “Naim Be Frashëri dhe pasunimi i gjuhës shqipe” jep idenë e ndikimit të ideve të dijetarit gjerman, Leibniz. Për Eqrem Çabejn, Naimi është përfaqësuesi i romantizmit në letrat shqipe, i ndikuar nga kultura frënge, ai lavdëron Voltaire dhe Rousseau te “Istori e Skënderbeut” si lajmësit e ideve të reja. Gjurmët e poezisë popullore tek ai janë fare të imta, ndonjë mënyrë të thëni popullore, imitimi i stilit të përrallave në ndonjë vend të “Qerbelasë” dhe te “Istori e Skënderbeut”. Ndryshe nga Samiu që bashkëpunoi në reformën gjuhësore turke, Naimi u vu në shërbim të gjuhës amtare. Për Çabejn, Naimi, duke qenë romantik është natyrë religjioze dhe e kultivoi në vepërsinë e tij tek veprat “Qerbelaja”, “Fletorja e Bektashive”; por gjithashtu ai “ishte fis me Orientin; ai rron në të, është i saj”, ku me “Tehajjulat” tregoi se sa i regjur ishte me letrat perse. Ndikimi i Naim Frashëri, gjatë jetës dhe pas vdekjes ishte i madh, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme. U çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit.
Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për meritat kulturore në Shqipëri jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar. 200-Lekshi i vitit 1997 me figurën e Naim Frashërit; Pallati i Kulturës në Përmet, ka emrin “Naim Frashëri”.
Emrin përkëdhelës i përdorur nga populli dhe intelektualët; ka shumë buste në hapësira publike e institucione në Shqipëri, hapësirat mbarë shqiptare në Kosovë, Maqedoninë Veriore, deri një bust në Bukuresht të Rumanisë etj…
Ndër veprat e Naim Frashërit, përmendim: “Istori e Shqipërisë”, (Kostandinopel 1871, faqe 64); “Ihtiraat ve ke, sfiyat: (Kostandinopel 1881, faqe 79; “Fusûli erbe’a. Francizcadan me’huzdur”, Mihran, Kostandinopel 1883; “Tahayyulat”, Kostandinopel, viti 1884; “Bagëti e bujqësija”, Bukuresht, viti 1886; “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”, pjesa e parë, Bukuresht, viti 1886; “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”, pjesa e dytë, Bukuresht, viti 1886; “Ho alêthês pothos tôn skypetarôn hypo D.”, Bukuresht, viti 1886; Ilyada, Kostandinopel, viti 1886; “Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para”, Bukuresht, viti 1886; “Vjersha për mësonjëtoret e para”, Bukuresht, viti 1886; “Dituritë për mësonjëtoret e para“, Bukuresht, viti 1888; “Luletë e verësë”, Bukuresht viti 1890; “Mësime…”, Bukuresht, viti 1894; “Parajsa dhe fjala fluturake”-vjersha, viti 1894, ribotim Dhori Koti, Korçë; “Ho Erôs. Poêmata prôtotypa eis asmata oktô met’ eikonôn”, Kostandinopel, viti 1895; “Fletore e Bektashinjet”, Bukuresht, viti 1896; “Iliadë e Omirit-Këngë e parë, Bukuresht, viti 1896; “Istori’ e Skenderbeut”, Bukuresht, viti 1898; “Qerbelaja”, Bukuresht, viti 1898; “Dëshira e vërtetë e Shqipëtarëvet”, shqipëruar nga greqishtja, Sofje, viti 1904; Vepra të zgjedhura, 1-2. (Akademia e Shkencave, Tiranë,1980, 1985); Vepra 1-7. (Rilindja, Prishtinë, viti 1986; Vepra letrare’, 1-5, Tiranë 1995, 1996 etj….