
Ditën e hënë, 20 tetor 2025, Kryegjyshata Botërore Bektashiane përkujtoi me nderim, dashuri dhe respekt të thellë 125-vjetorin e kalimit në amshim të Naim Frashërit, poetit kombëtar, rilindasit të madh dhe bektashiut që ndriçoi rrugën shpirtërore e kombëtare të shqiptarëve.
Naim Frashëri mbetet një nga figurat më të ndritura të historisë sonë, i cili i dha shpirt fjalës shqipe dhe e bëri atë mjet të ndërtimit të ndërgjegjes kombëtare. Në poezinë dhe filozofinë e tij bashkohen drita e dijes me urtësinë bektashiane, dashuria për Zotin me dashurinë për Atdheun, dhe shpirti i lirë me përulësinë e besimit.
Përmes vargjeve të tij, Naimi e ngriti kombin në piedestalin e kulturave të qytetëruara dhe i mësoi brezave se pa dashuri, pa dije e pa vëllazëri nuk mund të ketë as liri, as përparim.
Naim Frashëri la gjurmë të pashlyera në historinë e kombit dhe të bektashizmit. Me përgjegjësi të lartë historike, në një kohë të trazuar për vendin tonë, ai shkroi vepra që mbeten themel i kulturës dhe vetëdijes shqiptare: “Histori e Shqipërisë”, “Bagëti e bujqësi”, “Lulet e verës”, “Skënderbeu”, “Fletore e Bektashinjet”, “Qerbelaja” e të tjera.
Ai u shqua si poet i lirizmit, panteizmit dhe patriotizmit, i frymëzuar nga dashuria për njeriun, Zotin dhe Atdheun. Edhe 125 vite pas “fikjes së qiririt”, Naimi mbetet poet kombëtar dhe hero kulturor, përfaqësues i idealeve më të larta të shpirtit shqiptar.
Në “Historinë e Shqipërisë” (1899), ai shkroi me krenari:
“Edhe sot Shqiptarët ndahen në filirëra… po janë gjithë një komb e kanë një gjuhë. Gjuha shqipe e sotme është Pellasgishtja, q’ësht’ e bij e Sanskritesë…”
Me rastin e këtij përvjetori, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, u shpreh:
“Poeti i madh dhe bektashiu i ndritur Naim Frashëri është e do të mbetet përherë simbol i dritës, dijes dhe dashurisë. Ai është dritë për bektashinjtë në mbarë botën dhe model i përjetshëm atdhetarizmi për çdo shqiptar.
Naim Frashëri nuk është vetëm një poet i madh apo një mendimtar i ndritur; ai është ndërgjegjja morale e kombit tonë. Në vargjet e tij ndriçon drita hyjnore e dashurisë për njeriun, për paqen dhe për Atdheun. Ai e kuptoi se besimi i vërtetë nuk ndan, por bashkon; nuk gjykon, por ndriçon. Naimi është urë mes shpirtit dhe dijes, mes fesë dhe kombit – një shembull që duhet ta ruajmë e ta përcjellim me përulësi brez pas brezi.”
Kryegjyshata Botërore Bektashiane do të vazhdojë të nderojë kujtimin e tij me mirënjohje të përjetshme, duke e kujtuar jo vetëm si poetin e lirisë, por si shenjtërinë e urtësisë dhe dritën e bektashizmit shqiptar, që frymëzon çdo brez në rrugën e dijes, paqes dhe dashurisë njerëzore.



