Bismilahi, Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërsit!
Të nderuar vëllezërit e mijë, klerikë dhe besimtarë bektashianë! Të nderuar miq dhe dashamirës të teqesë së njohur të Turanit! Më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ditën e sotme dhe paçi bekimet e Haxhi Bektash Veliut dhe gjithë shenjtorëve të kësaj teqejel Zoti i Lartë dhe Ehli-Bejti na drejtoftë të gjithëve, deri në fund të udhëtimit shpirtëror, duke na dhuruar fat e mbarësi, ju dhe familjeve tuaja!
Sigurisht, jubileu i 130 vjetorit të ringritjes së teqesë së Turanit, e vlente të festohej me një pjesëmarrje më të gjerë dhe me veprimtari të harmonishme, të ndërthurura me njera-tjetrën. Por për vetë kushtet e pandemisë që po kalojmë, për vetë masat e marrura nga autoritetet pjesëmarrëse shtetërorë, ne Selia e Shenjtë Bektashiane, nuk mund te merrnim përsipër organizime të mëtejme. Ndërkaq, i lutem Zotit të Lartë të na japë forcë e vullnet që të përballojmë situatat dhe t’i rikthehemi jetës sonë sociale dhe fetare.
Sidoqoftë, na duhet të kujtojmë sot se teqeja e bekuar e Turanit, e themeluar qysh herët, në shekujt 16 dhe 17, mundi të mbajë në këmbë prej dervishëve, baballarëve dhe besimtarëve të kësaj treve, për të cilët, filozofia e Haxhi Bektash Veliut, ishte më shumë se një kontekst fetar. Duke shpërndarë dritën e besimit dhe vëllazërinë e shqiptarëve nën sundimin otoman, kjo teqe i kapërceu me kohë brigjet e kësaj feje, duke bërë që besimtarët të ishin të pranishëm nga gjithë Jugu i Shqipërisë sonë.
Në mënyrë të veçantë, është rasti të kujtojmë në këtë ceremonial kaq modest, kontributin e spikatur të baba Ahmet Turanit, i cili, i rritur me frymën kombëtare të klerikëve paraardhës, qysh në rininë e hershme të tij, frymëzoi vëllazërinë e tarikatit tonë. Është i njohur fakti që teqeja e Turanit, në periudhën e lëvizjes autonomiste shqiptare, jo vetëm priti dhe mbrojti atdhetarët e Jugut të Shqipërisë, por edhe u shndërrua në një vatër të mësimit të gjuhës shqipe. Emri i kësaj teqeje, sikundër dhe i teqesë së Koshtanit, përmenden në një varg dokumentesh osmanë, si qendra ët edukimit të brezave me ndjenjat e kulluara kombëtare.
2 E dhunuar dhe e shkatërruar nga shtetarët otomanë në vitin 1826, e djegur e plaçkitur prej andartëve grekë në vitet 1913-1914,, teqeja e Turanit sërish u ngrit në këmbë, falë devocionit të baba Ahmedit dhe dervishëve të tij, duke luajtur një rol të dorës së parë, në vitet 1915 1930. Por sigurisht, ajo nuk do të mund të ringrihej pa dashurinë e qindra muhibanëve dhe mijëra dashamirësve të teqesë, të cilët nuk mund ta ndanin atë nga shpirti i tyre.
Në dyert dhe oborrin e kësaj teqeje, në kafeoxhakun dhe mejdanët e saj të ringritur disa herë, kanë lënë gjurmët e tyre të pashlyera klerikët: baba Sejdin Canaj, baba Refat Kuta, baba Bilal Beqiraj, baba Bajram Gapaj, baba Ahmet Goxhaj, dervish Demir Shahinaj, dervish Luto Memaliaj dhe dhjetëra klerikë të tjerë, të cilët ditën jo vetëm ruajnë të gjallë kujtimet e mrekullueshme të kësaj teqeje, por i pasuruan traditat me elementë akoma më të vyer morale dhe fetarë. Nder dhe respekt për veprën e tyre!
Motra dhe vëllezër!
Gjej rastin sot, të falënderoj në këtë ditë të shënuar, vëllanë tuaj dhe timin, dervish Mikel Onejën, i cili në shumë pak vite, nxorri në dritë teqenë e Turanit. Duke u mbështetur në mësimet e myrshidit të tij, dede Reshat Bardhit, por edhe në traditat e mrekullueshme të Turanit dhe Tepelenës, dervish Mikeli po rrit këtë teqe dita-ditës, duek gjallëruar në radhë të parë, besimin në zemrat tuaja. Edhe një herë faleminderit dervish Mikelit! Zoti ju bekofte të gjithëve!
Amin!
Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj