Ditën e dielë, në 13 mars 2022, përkujtohet 135-vjetori i lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Abaz Hilmi Dede. Ky klerik, ka qëndruar në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, në periudhën, 1945-1947.
Abaz Hilmi Dede, lindi më 13 mars të vitit 1887, në fisin e njohu Elezaj nga Mërtinji i Përmetit. Fëmijërinë, deri në moshën 17 vjeç, e kaloi në fshatin e lindjes. Këto vite i përjetoi me vështirësi pasi babai, Jonuzi i vdiq që kur ishte 2 vjeç. Xhaxhallarët që e rritën, i dhanë edukim e dashuri për Zotin dhe atdheun.
Me këtë frymë, ai u edukua dhe iu shfaq dëshira për tu veshur me petkun bektashian. U vesh dervish në teqenë e Prishtës tek baba Shabani në vitin 1905. Këtu punoi me përkushtim deri në vitin 1914. Ngjarjet tronditëse dhe makabër në vitin 1914, ku zjarr e flakë përfshiu Shqipërinë e Jugut nga bandat ogurzezë të andartëve grek, u dogj edhe teqeja e Prishtës. Së bashku me baba Shabanin, shkuan në Vlorë dhe më pas emigruan në Egjipt, ku qëndruan rreth 3 vjet. Më vonë, u kthyen në teqen e Prishtës, të cilën e ringritën dhe rifilloi veprimtaria e saj. Dervish Abazi shërbeu për shumë kohë në teqenë e Prishtës, më vonë në atë të Sukës dhe Frashërit në Përmet. Më 1920 në luftën e Vlorës, dervish Abazi udhëhoqi vullnetarët e Këlcyrës-Përmetit në luftimet që u bënë në Kalanë e Tepelenës dhe bashkëpunoi ngusht me baba Ahmet Turanin, që ishte organizatori i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Jugut deri në Vlorë,për çlirimin e ishullit të Sazanit. Në fshatin e lindjes, në shtator të vitit 1920, ai ngriti të parën shkollë shqipe në krahinën e Dëshnicës. Ndihmoi në luftën antifashiste dhe e ktheu teqenë e famshme të Frashrit, në vend ndihmese me ushqime dhe strehimi për çetat e lirisë. Po ashtu, ai ndihmoi në çlirimin e zonës së Frashërit. Ky klerik, dha ndihmesë të konsiderueshme në kongreset bektashiane, që nga i Prishtës në janar të vitit 1921, në atë të korrikut të vitit 1924, në Gjirokastër dhe në Kongresin e tretë bektashian, në shtator të 1929 në Korçë. Periudha 1905-1944, për dervish Abazin, ishte një shkollë e vërtetë, pas asaj që ai mori edhe në Egjipt. Në qershor të vitit 1942, ai mori gradën fetare ‘Baba’ në teqenë e Frashërit, ku shërbeu deri në vitin 1945.
Më 2 shtator të vitit 1945, Këshilli Gjyshnor dhe i Përgjithshëm, e zgjodhi Kryegjysh Botëror. Në këtë funksion, ai drejtoi deri më 18 mars të vitit 1947. Pas vjekjes, nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, ai u vlerësua më ‘Urdhër për veprimtari Patriotike të Klasit I’ dhe ‘Nderi i Kombit’.
Përgatiti: N. Çuni