Si çdo vit, 14 maj, mbledh besimtarë të shumtë bektashianë e miq të tyre, në teqenë e Alipostivanit-Përmet, për të kryer ritet tradicionale të pelegrinazhit vjetor. Si në traditë, edhe këtë të martë maj, në këtë teqe të njohur, vijnë dhe besimtarë dhe nga rrethe të tjera të vendit si dhe hapësirat ku jetojnë e punojnë shqiptarë, jashtë kufinjve të atdheut.
…Teqeja e Alipostivanit, është themeluar në vitin 1900. Ajo është vendosur në një kodër dominuese që shikon luginën e Vjosës dhe malin e Nemërçkës, në fshatin Alipostivan e Njësisë Administrative Qendër Piskovë. Bashkia e Përmetit ndodhet teqeja e Alipostivanit. Ajo, rrethohet me një gjelbërim me lisa dhe mare të përfund. Gjithashtu edhe pemë të tjera, afërsi ka arat e fshatit. Kjo pikë në lashtësi njihet si një vendbanim i hershëm, aty kalonte rruga e vjetër me kalldrëm nga lugina e Osumit për në Përmet dhe Greqi. Janë gjetur objekte të rralla arkeologjike, si një stelë varri, tubacione të një ujësjellësi të vjetër para Krishtit. Paraprakisht del se këtu kemi të bëjmë jo vetëm me një vendbanim të hershëm por edhe vend besimi në lashtësi. Historikisht këtu ka ardhur herët misionar, baba Aliu, që përhapi në fillimet e para bektashizmin në këtë zonë edhe më gjerë. Gojdhënat e vjetra flasin se ky misionar la gjurmë dhe u bë i njohur te gjithë banorët përreth. Kur kaloi nga jeta, vendvarrimi i tij adhurohej nga të gjithë dhe vit pas viti u kthye në vend pelegrinazhi. Themeluar si teqe nga Abdullah Babai, mund të jetë ndërtuar edhe para vitit 1900, një teqe mesatare, varej nga gjyshata e Gjirokastrës dhe sot është në juridiksionin e Gjyshatës Beratit. Abdullah Babai dhe baba Dule Përmeti kanë përkrahur dhe marrë pjesë në të gjitha lëvizjet dhe mitingjet për gjuhën shqipe në vitet (1908 – 1909). Ka shërbyer në vite, baba Meleqi, baba Hyseni, baba Hajdari, baba Nazifi. Ka lozur një rol të rëndësishëm në përhapjen e bektashizmit në zonën e Dëshnicës dhe fshatrat kufitar të Skraparit. Historia e teqes Alipostivan lidhet edhe me bashkëpunimin e ngushtë me teqenë e Frashërit, historia e saj është e madhe edhe sot ruan traditën bektashiane. Djegur nga andartët grekë në vitin 1914, rindërtua në vitin 1920. Kanë shërbyer: në vitet 1955-1956, baba Hajdar Hodo, dervish Selfo Mersini. Në vitin 1963 shërbente baba Hajdar Xhafer Kajo dhe në vitin 1967 baba Hajdar Hado dhe dervish Qamil Metushi. U mbyll nga shteti monist në vitin 1967. U rihap në maj të vitit 2003. Ri ngritur e re nga themelet, të bie në sy ndërtesa e re e teqesë, tip kupolë me ambiente të bollshme karakteristike bektashiane. Tyrbet dhe teqeja me natyrën përreth krijojnë një nga bukuritë e veçanta në luginën e Vjosës. Është një mrekulli e natyrës dhe teqesë me mjediset e saj. E ri ngritur plotësisht nga baba Hekuran Nikollari, që sot vizitohet nga vendasit dhe të huajt.
Përgatiti:
Xh. ÇULLHAJ