14 VJET, KRYEGJYSH BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE BABA, EDMOND BRAHIMAJ

Ditën e Mërkurë, më 11 qershor 2025, mbushen plot 14 vjet nga dita kur kleriku, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, zgjidhet në detyrën më të lartë si Kryegjysh Botëror Bektashian. Dita e cila shënon veprimtarinë e tij gjatë këtyre viteve intensive për të vazhduar rrugën e Dede Reshat Bardhit, i cili ringjalli bektashizmin pas vite 1990 deri më 2 prill 2011 kur kaloi nga jeta.
Sot, në këtë ditë të veçantë, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, pret urime në Selinë e Shenjtë, nga besimtarë të shumtë, personalitete etj…

Kryegjyshi Botëror  Bektashian
Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, ka lindur në Tiranë, më 19 maj 1959. Është me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Ka kryer arsimin e lartë ushtarak dhe juridik. Më 2 janar 1992, fillon jetën si klerik, me bekimin e udhëheqësit të tij shpirtëror, Haxhi Dede Baba, Reshat Bardhit dhe Baba Bajram Mahmutaj, duke u inkuadruar kështu përfundimisht në rrugën e Haxhi Bektash Veliut. Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin Dervish dhe menjëherë ngarkohet me detyrë në Gjyshatën Bektashiane të Turanit, në Korçë. Më 13 prill të vitit 1997 dekretohet me titullin ‘Baba’. Po në vitin 1997 caktohet Zëvendës i Kryegjyshit Botëror Bektashian. Më 21.02.2006, emërohet edhe si drejtues Gjyshatës Bektashiane në Maqedonin e Veriut, me qendër në Tetovë, duke mbajtur njëkohësisht postin e Zëvendës-Kryegjyshit Botëror Bektashian. Më 11.06.2011, me Vendim të Këshillit të Lartë Gjyshëror të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Edmond Brahimaj u zgjodh në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj është një nga klerikët e hierarkisë së lartë Bektashiane që ka dhënë kontribut të veçantë për ringritjen e strukturave dhe të infrastrukturës së Bektashizmit, në Shqipëri dhe në Botë.

Përkushtimi ndaj bektashizmit
Që nga viti 1992 e në vazhdim, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme të organizatave prestigjioze ndërkombëtare, kurse doktrinore, simpoziume dhe veprimtari të ndryshme me karakter fetar, human, social, ku edhe ka referuar, duke çuar në to zërin dhe përvojat e bashkësive bektashiane në Botë. Më 1996 referoi në Teheran lidhur me tolerancën bektashiane në trevat e Ballkanit. Më 14 qershor 2003, në Konferencën Ndërkombëtare “Fetë dhe Qytetërimet në Mijëvjeçarin e Ri”, referoi rreth sfidave të Bektashizmit në të ardhmen. Në qershor 2004, si një ndër përfaqësuesit e bashkësive fetare tradicionale shqiptare, vizitoi Shtëpinë e Bardhë në ShBA. Ka shkuar në ShBA nëpërmjet Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së ShBA-ve në Shqipëri, për njohjen e diversitetit fetar në ShBA. Ka mbajtur marrëdhënie të veçanta me Gjyshatën Bektashiane në Detroit, ShBA, në Teqenë e Baba Rexhepit, qendër e rëndësishme e Bektashizmit, e cila u shndërrua në qendrën kryesore të Bektashizmit gjatë kohës së ndalimit të fesë në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme në këtë Gjyshatë. Mban titullin “Ambasador i Paqes”. Ka marrë pjesë disa herë në festimet e 16 gushtit në Haxhi Bektash të Turqisë, ku ka qenë pritur nga drejtues të lartë të shtetit turk dhe të Institutit “Haxhi Bektash Veliu”, pranë Universitetit të Gazit në Turqi. Ka qenë i pranishëm dhe ka kontribuar me ligjërata e tij në veprimtari të ndryshme në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Ohër, Stamboll, Ankara, Afiyon, Stutgart, Keln etj… Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka marrë shumë falënderime dhe konsiderata të larta prej qeverive të Shqipërisë, Maqedonisë, shoqërisë civile etj. Trupi diplomatik i akredituar në Shkup e ka vlerësuar lart Haxhi Dede Baba,  Edmond Brahimajn, si një klerik me kontribut të ndjeshëm, veçanërisht në fushat e marrëdhënieve e bashkëjetesës ndërfetare dhe të harmonisë fetare dhe si promovues të vlerave të Shqipërisë si vend model në botë në këto fusha.

VLERËSIME PËR DEDE EDMOND BRAHIMAJN:
-“Ambasador i Paqes”, 2004.
-“Nderi i Qarkut të Korçës”, 2004.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Zerqan-Bulqizë., 10 qershor 2014.
-“Qytetar Nderi” i Komunës Martanesh-Bulqizë., 29qershor 2014.
-“Qytetar Nderi” i Komunës Bogovë-Skrapar, 22 gusht 201.
-“Qytetar Nderi” i Komunës Frashër-Përmet, 25 maj 2014.
-“Personalitet i shquar i Labërisë, Shoqata “Labëria”, shkurt 2015.
-“Nderi” i Qarkut të Fierit”, mars 2015.
-“Nderi i Qarkut të Beratit”, maj 2015.
-Urdheri “ Kalorsi i Skenderbeut” 7 shtator 2015 nga Presidenti i Republikes.
-“Dr. Honorus Causa”, Misioni OKB, shator 2016.
-“Nderi i Bashkisë Bulqizë”, tetor 2016.
-Mirënjohje nga Presidentin Obama SHBA, janar 2017.
-Çmimin e Arit” Ikona e Paqes” Shoqata e Kombeve të Bashkuara, “G.O.D Aëards” tetor 2017.
-“Qytetar Nderi” i Skraparit, Bashkia Skrapar, janar 2018.
– “Qytetar Nderi” i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare ”Vëllezërit Frashëri”-Përmet, maj 2018.
-Flamuri Amerikan për “Për kontributin e shquar në përhapjen e fjalës së Zotit dhe vlerave më të larta mes njerëzve” nga Kongresi Amerikan, qershor 2018.
-Çmimi “Profili i Kurajos” qershor 2018 nga Kongresi Hebraik Amerikan.
-“Qytetar Nderi i Memaliajt”. Këshilli Bashkiak i Memaliajt, në vitin 2019.
-Medalje “Gjergj Kastriot Skënderbeu” nga Qeveria e Kosovës 17 korrik 1919.
-Në janar 2021, Shenjtëria e Tij drejtoi Kryesinë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe më dt.22 mars 2021, Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë iu dha medalja e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
-Nëntor 2021, Akademia e Shkencës dhe e Artit të Europës, në Universiteti Teknik i Këlnit, Gjermani iu dha çmimi “Unaza e Tolerancës”, me motivacionin “për përpjekjet dhe mundimet e vlefshme në angazhimet për paqen dhe nxitjen e dialogut ndërfetar, si shembull i veçantë dhe i denjë për tu ndjekur në ndërtimin, promovimin dhe mbrojtjen e tolerancës”.
-17 dhjetor 2022, Këshilli Universal i Paqes dhe Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet-Tiranë vlerësuan me çmime mirënjohjeje Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba,  Edmond Brahimaj, për kontributin e dhënë në shërbim të paqes dhe të prosperitetit disa tituj: “Çmimi i Artë i Ekselencës Njerëzore”, shoqëruar me medaljen: “Njeriu i Artë”, si dhe me titullin: “Ambasador i Paqes Universale”.
– “ Nderi i Qarkut të Vlorës”, janar 2023.
-“Nderi i Qarkut të Gjirokastrës”, u dha në Tepelenë , 14 prill 2023.
– “Qytetar Nderi i Bashkisë Tepelenë”, u dha në Tepelenë, 14 prill 2023.
– “Qytetar Nderi i Bashkisë Librazhd”, 19 maj 2024 (Dorëzim i titullit).
-“Nderi i Shoqatës Tomorri”, 8 dhjetor 2024.

Fotot: Nuri ÇUMANI