Sot, mbushen 148 vjet nga themelimi i teqesë së njohur të Drizarit, në Mallakastër, ditë në të cilën zhvillohet dhe pelegrinazhi tradicional vjetor.
Kjo teqe, ndodhet në lindje të fshatit Drizar, Njësia Administrative Kutë, Bashkia e Ballshit.
Ajo është një teqe e njohur dhe me kontribute të rëndësishme në Shqipëri, ku kanë shërbyer ndër dekada, klerikë, personalitete të njohur të këtij besimi të paqtë.
Ajo themeluar nga Maliq Zeneli në parcelën Bramull, të pronës së tij, i cili në vitin 1873, i dha teqesë 5 hektarë tokë. Në këtë periudhë, erdhën tre dervishë; dervish Xhelua u bë babai i parë i teqesë. Teqeja u ngrit tek përroi i thatë. Tek rrapi, u bë çezma, poshtë në Vodicë, ku merrej ujë me krahë ose me kafshë për teqenë. Pranë çezmës, ishte edhe parcela e perimeve. Për forcimin ekonomik të teqesë, gjatë viteve 1873-1912, ka dhënë kontribut të veçantë, Maliq Zenel Pashaj. Baba Xhelua (i cili kaloi nga jeta në vitin 1916), bekoi shumë luftëtarë trima drizarjotë në mbrojtje të qeverisë Vlorës, kundër andartëve grekë. Teqeja pati rol të rëndësishëm në përhapjen e bektashizmit. Aty kryheshin ceremonitë e ndryshme si lutje, rite e festa fetare, Sulltan Nevruzi, ashurja, Bajrami e Madh dhe i Vogël. Ajo, mbante gjallë besimtarët dhe popullin me dashurinë për atdheun. Në vijimësi, të këtë objekt bektashian, drejtuan baballarët e tjerë: baba Xhaferi, i cili vazhdoi rrugën e baba Xhelos, por që pati jetë të shkurtër. Më pas, drejtoi teqenë, baba Rakip Gllava (1920-1940). Ai u bë frymëzuesi i ndjenjave shpirtërore jo vetëm të gjithë popullit të Drizarit, por edhe në fshatrat, Hekal, Klos, Kremenar, Ninsh të Mallakstrës etj. Pas tij, (vitet 1941-1952), teqenë e drejtori baba Riza Bargullasi nga Skrapari, i dërguar nga teqeja e Krahësit. Në vazhdim, (vitet 1952-1955), drejton teqenë dervish Muharrem Goxhaj. Këtu, në periudhën 1958-1967, në vitet e internimit, kanë drejtuar teqenë Dede Ahmeti dhe dervish Reshat Bardhi. Ky i fundit, drejtoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vitet 1991. Në këtë teqe, ka punuar dhe dervish Seit Xhani.
Dede Ahmeti dhe dervish Reshati, në periudhën e internimit, (1958-1967) teqenë e rimëkëmbën dhe e bënë një vend të rëndësishëm pelegrinazhi edhe pse surverioheshin nga sigurimi i shtetit monist. Teqeja u rihap në vitin 1995.
Në çdo 5 nëntor, në këtë etqe, zhvillohet pelegrinazhi tradicional.
Përgatiti:
Nuri ÇUNI