Dita e sotme, 5 nëntor 2022, shënoi 149 vjetorin e themelimit të teqesë së Drizarit në Mallakastër, një prej teqeve më të rëndësishme në Shqipëri.
Në këtë ceremoni tradicionale, mori pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Teqeja e Drizarit është themeluar nga Maliq Zeneli në parcelën Bramull të pronës së tij, ku i dha teqesë 5 hektarë tokë në vitin 1873. Në këtë periudhë erdhën tre dervish, dervish Xhelua u bë babai i parë i teqesë. U ngrit tek përroi i thatë mulliri i teqesë. Te rrapi u bë çezma poshtë në Vodicë që merrej ujë më krah ose me kafshë për teqenë. Pranë çezmës, ishte edhe parcela e perimeve. Për forcimin ekonomik të teqesë, ka dhënë kontribut të veçantë gjatë që nga viti 1873, Maliq Zenel Pashaj. Baba Xhelua, (i cili kaloi nga jeta në vitin 1916), bekoi shumë luftëtarë trima drizariot në mbrojtje të Qeverisë Vlorës, kundër andartëve grekë. Teqeja pati rol të rëndësishëm në përhapjen e bektashizmit, kryente ceremonitë e ndryshme si lutje, rite e festa fetare, Sulltan Nevruzin, Ashuren, Barjamin e Madh dhe të Vogël, mbante gjallë besimtarët dhe popullin me dashurinë për atdheun. Drejtuan teqenë baballarët e tjerë, si baba Xhaferi, i cili vazhdoi rrugën e baba Xhelos por pati jetë të shkurtër. Më pas, drejtoi teqenë baba Rakipi me origjinë nga fshati Gllavë (1920-1940). Ai u bë frymëzuesi i ndenjave shpirtërore të gjithë popullit të Drizarit, por edhe në fshatrat, Hekal, Klos, Kremenar, Ninësh të Mallakstrës. Vazhdoi drejtimin e teqesë baba Rizai, i dërguar nga teqeja Krahësit. (1941-1952). Pas tij, drejton teqenë dervish Muharrem Goxhaj (1952-1955), Këtu në periudhën 1958-1967, në vitet e internimit, kanë drejtuar teqenë Dede Ahmeti dhe dervish Reshat Bardhi dhe dervish Seit Xhani. Kleriku Reshat Bardhi, drejtoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vitet 1991-2011. Teqeja e Drizarit, u mbyll me ndalimin e fesë me ligj, në vitin 1967 dhe u rihap pas vitit 1990.
Dede Ahmeti dhe dervish Reshati, në periudhën e internimit, (1958-1967) e rimëkëmbën teqenë dhe e bënë një vend të rëndësishëm pelegrinazhi,
edhe pse surverioheshin nga sigurimi i shtetit monist.
Në çdo 5 nëntor, në këtë teqe, zhvillohet pelegrinazhi tradicional.