Data 15 maj zë një vend të veçantë në kalendarin shpirtëror të besimtarëve bektashianë të trevës së Memaliajt dhe Tepelenës. Është dita kur zhvillohet pelegrinazhi tradicional vjetor në dy nga teqetë më të njohura të kësaj zone: Teqeja e Baba Hasanit në Memaliaj dhe Teqeja e Komarit në Tepelenë. Këto vende të shenjta, që kanë qenë përherë strehë shpirtërore dhe qendra të rëndësishme të besimit bektashian, vijojnë të jenë çdo vit pikë takimi për qindra besimtarë e vizitorë.
Në këtë 15 maj 2025, përveç pelegrinazhit të përvitshëm, komuniteti bektashian dhe gjithë treva përreth, përkujtojnë gjithashtu një përvjetor të rëndësishëm historik: 165-vjetorin e themelimit të Teqesë së Baba Hasanit në Memaliaj, një nga institucionet më të vjetra të besimit bektashian në Jug të Shqipërisë. E ngritur në vitin 1840, kjo teqe ka qenë qendër e rëndësishme shpirtërore, arsimore dhe kombëtare, duke dhënë kontribute të vyera jo vetëm në ruajtjen e vlerave fetare, por edhe në lëvizjet atdhetare dhe kulturore ndër vite.
Nga ana tjetër, Teqeja e Komarit në Tepelenë, e themeluar më vonë, në vitin 1903, ka njohur po ashtu një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe sociale të komunitetit, duke qenë simbol i qëndresës, përkushtimit dhe përhapjes së paqes e dashurisë ndër njerëz.
Përkundër viteve të ndryshëm të themelimit, këto dy teqe ndajnë të njëjtën ditë pelegrinazhi – 15 maji – një datë që është bërë tashmë tradicionale dhe e njohur jo vetëm në Jug të Shqipërisë, por në gjithë vendin dhe në diasporë. Kjo ditë e shenjtë mbledh së bashku klerikë bektashianë, myhibë, besimtarë vendas e të ardhur nga rrethet përreth, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, madje dhe nga jashtë kufijve, ku jetojnë e punojnë shqiptarë që e ruajnë me devotshmëri lidhjen me rrënjët e tyre shpirtërore.
Në këtë ngjarje të rëndësishme fetare e kombëtare, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, theksoi:
“Kjo ditë e bekuar është dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë dhe forcës së besimit tonë. Ajo sjell përpara nesh historinë dhe përkushtimin e brezave të tërë klerikësh e besimtarësh që kanë mbrojtur, kultivuar dhe përcjellë vlerat e bektashizmit në këto troje. Ne nderojmë dhe kujtojmë me mirënjohje kontributin e paçmuar të teqeve tona, të cilat kanë qenë gjithnjë pishtarë drite, paqeje dhe dashurie për të gjithë shqiptarët.”
Pelegrinazhi i 15 majit është më shumë se një rit fetar. Është një përjetim shpirtëror, një rikthim tek rrënjët, një moment reflektimi dhe bashkimi mes brezave. Ai dëshmon se trashëgimia e bektashizmit është ende gjallë dhe se misioni i teqeve vijon të jetë po aq aktual sa në ditët e para të themelimit të tyre.