151 vjetori i themelimit të teqesë së Ballëm Sulltanit.

Sot, është dita e pelegrinazhit tradicional në teqenë e Ballenjës, Martanesh. Teqeja e Ballëm Sulltanit, ndodhet në livadhet e Ballenjës në afërsi të shpellës së shenjtë, pjesë e njësisë administrative Martanesh, Bashkia e Bulqizës. Ajo është themeluar në hershmëri, në formën e një kulle në vitin 1795 (nga populli i Martaneshit, Kostenjës, Grykës së Madhe me ndihmën e Pashait të Shkodrës), në shërbim të vendit të shenjtë të Ballëm Sulltanit (Piri i dytë i bektashizmit), që ndodhet në malin përballë teqesë. Sipas gojëdhënave, shpella e Ballenjës duhet të jetë shumë e hershme. Ka legjenda interesante. Si institucion i plotë fetar në vitin 1870, u ngrit teqeja e Ballëm Sulltanit, aty ku ishte kulla e  Mahmud Pashës, nën drejtimin e baba Hysen Malit. Teqeja ishte përballë shpellës së Ballëm Sulltanit, Vendit të Mirë, në Balle. Për këtë këndohet kënga:  “ Ndriçon si yll drite/ Rrëzë këtij mali,/ Teqeja që ngrite,/ Baba Hysen Mali.”
Ajo është djegur për herë të parë nga serbët në luftërat ballkanike dhe së dyti, nga italianët më vitin 1942. Teqeja u rindërtua pjesërisht në vitin 1955. Kjo teqe kishte lidhje me teqenë në fshatin Peshk, themeluar nga baba Jashari (ishin një institucion i përbashkët), rreth një orë e gjysmë larg saj. Që të dyja kanë lozur një rol të rëndësishëm patriotik dhe në mësimin e gjuhës shqipe. Në afërsi të teqesë, është shpella e shenjtë ka kalime të nëndheshme në drejtime të ndryshme. Hyrja është kompozuar me një portik me harqe dhe kupolë karakteristike të traditës bektashiane. Është interesant se gjatë viteve, këtu kanë shërbyer me devotshmëri dervish kandil ndezës, besnikët e Vendit të Mirë, që gjatë dimrit kanë dhënë edhe jetën dervishët: dervish Hasani, besimtari Beqir  Zhabolli, dervish i baba Jasharit. Vazhduan më pas klerikët:  baba Mustafa Xhani (1939-1944), baba Hasim Shehaj, dervish Ibrahim Halil Gjoni, dervish Et’hem Mataj, deri në vitin 1967. U mbyll në vitin 1967 nga shteti monist i kohës. Kulla u rindërtua, në themelet e saj të hershme dhe përfundoi në vitin 1999. Më pas u ndërtuan komplekset e reja, teqeja dhe ambiente të tjera nga baba Hysni Shehu. Më 29 qershor të çdo viti organizohet pelegrinazhi për Ballëm Sulltanin. Iniciatori i parë i këtij pelegrinazhi është intelektuali, Agim Biçaku,  datë të cilën e miratoi ish-Kryegjyshi, i paharruar Dede Reshat Bardhi, në vitin 2003. Kjo teqe është shpallur monument kulture  të kategorisë I-rë nga Ministria e Kulturës me  Urdhër nr. 388 datë 16.06.2017, “Vendi i Mirë Ballëm Sulltan (Guva), pranë teqesë së Vjetër” dhe zona e mbrojtur e tij. Drejton teqenë prej vitesh baba Hysni Shehu dhe sekretar sot është Skënder Gjoni. Teqeja mirëmbahet dhe ka popullaritet në zonën e Martaneshit dhe Bulqizës.