
Ditën e diel, 12 tetor 2025, në kodrën e bukur të Qafës së Taçit, dhjetëra besimtarë bektashianë, përfaqësues të pushtetit vendor, klerikë dhe miq të bektashizmit nga mbarë Shqipëria u mblodhën për të përkujtuar 155-vjetorin e themelimit të teqesë së Baba Idrizit në Bënçë, një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit në jug të vendit.
Në këtë ditë të veçantë pelegrinazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj përcolli një mesazh të fortë paqe, dashurie dhe mirënjohjeje, duke nderuar brezat e klerikëve që kanë mbajtur gjallë frymën e bektashizmit ndër shekuj.
“Çdo vit, në këtë ditë, kujtojmë me respekt të gjithë ata klerikë që shërbyen në këtë teqe, që përhapën diturinë, besimin dhe atdhetarinë, duke e kthyer teqenë e Bënçës në një vatër drite shpirtërore dhe kombëtare,” – u shpreh Kryegjyshi Botëror në fjalën e tij.
E ngritur rreth vitit 1870, teqeja e Bënçës ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Tepelenës, mbi një peizazh mahnitës që shtrihet mbi lumin Vjosë.
Sipas burimeve historike, ajo ka qenë një ndër qendrat kryesore të Gjyshatës së Gjirokastrës, duke luajtur një rol të rëndësishëm gjatë Rilindjes Kombëtare dhe më vonë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Klerikë të përkushtuar si Baba Bajrami (1939–1944) dhe Dervish Muhamet Rapaj (1939–1963) udhëhoqën për vite me radhë këtë teqe, duke e kthyer atë në një qendër shpirtërore, arsimore dhe atdhetare.
Pas tërmetit të vitit 1963 dhe ndalimit të fesë në vitin 1967, teqeja u rrënua, por fryma e saj nuk u shua kurrë.
Pas viteve ’90, në fshatin Bënçë u ngrit tyrbja e Baba Idrizit, e përuruar në vitin 2018 nga Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Ky moment simbolizoi rilindjen shpirtërore të komunitetit dhe respektin ndaj traditës që ka mbajtur gjallë bektashizmin në këto anë.
Sot, teqeja e Bënçës mbetet një vend i shenjtë i rëndësishëm për besimtarët bektashianë, por edhe një destinacion turistik i veçantë për të gjithë ata që kërkojnë paqe shpirtërore, histori dhe natyrë të paprekur.
Pozicioni i saj mahnitës mbi lumin Vjosë, panorama e gjerë dhe qetësia e vendit e bëjnë atë një pikë ndalese të paharrueshme për çdo vizitor.
Pelegrinazhi i përvitshëm i 12 tetorit është shndërruar në një festë shpirtërore që bashkon njerëz nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
Në këtë ditë, teqeja e Bënçës bëhet simbol i paqes, bashkëjetesës dhe dashurisë për Zotin dhe për atdheun, duke ruajtur me dinjitet trashëgiminë dhe dritën e bektashizmit ndër breza.
Përgatiti: XH. CULLHAJ



