Sot përkujtohet me respekt e mirënjohje 162-vjetori i kalimit në amëshim të baba Sulejmanit, klerikut të shquar të Teqesë së Shtufit në Gjirokastër, një figurë e ndritur e besimit bektashian, e arsimit dhe e atdhedashurisë shqiptare.
Baba Sulejmani mbetet një emër i paharruar në historinë e bektashizmit shqiptar, jo vetëm për rolin e tij fetar e shpirtëror, por edhe për kontributin e çmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës shqipe dhe të mësimit në kohëra të vështira. I njohur për përkushtimin e tij në “Udhën e Hakut” dhe për zbatimin e devizës bektashiane “Pa atdhe nuk ka fe”, ai nuk reshti së punuari për lirinë shpirtërore e kombëtare të shqiptarëve, edhe kur kjo i kushtoi përndjekje e burg.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, figura e tij nderohet në Teqenë e Shtufit, në Selinë e Shenjtë Botërore Bektashiane në Tiranë, si dhe në të gjitha gjyshatat brenda e jashtë Shqipërisë. Me këtë rast, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, është shprehur:
“162 vite nga ndarja nga kjo jetë e baba Sulejmanit janë një kujtesë e gjallë e përkushtimit dhe qëndresës. Ai ishte një model i klerikut të ndritur që punoi me besim, guxim dhe dashuri për atdheun dhe për Zotin. Kontributi i tij është një thirrje për të gjithë ne që të ndjekim shembujt e mëdhenj dhe të mos i lejojmë vlerat tona të shuhen në harresë.”
Arkivat historike, si ato shqiptare edhe të huaja, dokumentojnë qartë figurën e baba Sulejmanit si një urë e gjallë mes botës shpirtërore shqiptare dhe kulturës perëndimore. Një ndër dëshmitë më të çmuara vjen nga studiuesi dhe diplomati francez Justin Godart, i cili në vitin 1921 gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ka takuar baba Sulejmanin dhe ka lënë këto fjalë prekëse:
“Ne duam të mirën e njerëzimit, punojmë për të zhdukur fanatizmin dhe jemi miqtë e besimtarëve të gjithë feve… Kur u largova nga teqeja, baba Sulejmani më përcolli bashkë me dervishët, pavarësisht shiut, dhe më përqafoi fort, si një mik i dashur. Dervishi më i vjetër më dhuroi një tufë me lule të egra, me një aromë të thjeshtë, por të paharrueshme…”
Sot, teqetë bektashiane, si qendra të paqes dhe të frymës shpirtërore, mbeten pasardhëse të këtij vizioni të hapur e njerëzor, ndërsa kujtimi i baba Sulejmanit shërben si një fener ndriçues për brezat që vijnë.