Teqeja e Backës, ka qenë dhe mbetet një objekt i rëndësishëm kulti, jo vetëm për besimtarët e Skraparit, por shumë më gjerë, pasi ky objekt dhe aktiviteti i brezave të klerikëve që kanë drejtuar në ‘të, është një nga shembujt më të mirë për kontributin që ka dhënë në historinë tetë shekullore të besimit tonë të paqtë, në aspektin fetar e atdhetar. Kjo teqe, ka qenë një vatër e afrimit të besimtarëve tek udha e Haxhi Bektash Veliut, si por
dhe një shkollë për arsimin, gjuhën shqipe. Ndaj, e përkujtojmë me krenari përvjetorin e 161-të të kësaj teqeje të njohur…”-pohon ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
…Teqeja e Backës ndodhet në juglindje të Skraparit, në fshatin Backë, fshat kufitar me Korçën. Sipas mbishkrimit osmanisht në, thuhet se është ndërtuar rreth vitit 1863 nga kleriku i dëgjuar, baba Fetahu. Ndërsa të dhëna të tjera flasin se teqeja e vjetër ka qenë para vitit 1800 dhe në ‘të rrinte dervish Brahimi nga lagja e Koromanëve, të Backës. Kjo teqe bektashiane, ka histori dhe veprimtari patriotike e atdhetare të njohur historikisht, si gjatë historisë së Rilindjes Kombëtare, në vijimësi e deri sot. Ajo ishte vatër e abetares dhe gjuhës shqipe, e librave të Naimit dhe rilindësve të tjerë. Është djegur në vitin 1914 nga andartët grekë dhe është riparuar në vitin 1918. Teqeja nga ana arkitektonike përbën njërën nga komplekset interesante përfaqësuese të arkitekturës monumentale në Shqipëri. Sepse në ‘të kombinohen të gjitha mjeshtëritë dhe elementët konstruktive si kolonat, arkadat, kupolat dhe relievet e gdhendura me kompozicione figurave zoomorfe e floreale, të cilat i shohim edhe në teqetë e tjera e në banesat karakteristike të hershme në Shqipërinë e Jugut. Në hyrjen e portës, në krahun e majtë, specialistët, me porosi të baba Fetahut, kanë skalitur shqiponjën dykrerëshe. Kanë shërbyer klerikët në këtë teqe: Dervish Brahim Koromani; baba Fetahu; dervish Veli Pajaziti nga Ermenji i Tomorricës, (1863-1902); baba Mestani (viti 1926). Nga viti 1940 e në vijimësi, shërbyen në këtë teqe klerikët: baba Sali Kajmaku; dervish Veli Agushi; dervish Demir Orhani; dervish Rexhep Ademi; dervish Feim Ademi dhe dervish Bedri Hebip. Në vitin 1955, në këtë objekt të njohur bektashian, shërbyen baba Muço Panariti dhe dervish Hasan Hysi. Më pas vazhdoi baba Ahmet Prishta, në vitin 1961, dervish Hajro dhe në periudhën 1963-1967, baba Neshat Koromani.
Ashtu si të gjithë institucionet fetare, dhe kjo teqe, u mbyll në vitin 1967. U rihap në vitin 1998. Nga pakujdesia, u rrënua një pjesë e mirë e teqesë. Ndihmuan në ringritjen e disa dhomave, vëllezërit Ibro. Më pas, në vitin 2019, nën kujdesin e gjyshatës Skrapar, u bë një rikonstruksion i plotë, duke ringjallur këtë monument të rrallë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Këtu, në qershor të vitit 2020, u vendos busti në bronz i baba Fetahut.
Me Vendim nr. 1886, dt. 10. 06. 1973, të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, kjo teqe, është shpallur, Monument Kulture.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ