Çdo vit, më 21 shtator, mbarë bota feston "Ditën Ndërkombëtare të Paqes". Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur këtë ditë për t’iu përkushtuar forcimit të idealeve të paqes, qoftë brenda ashtu edhe ndërmjet vendeve dhe popujve.
Edhe sot, më 21 shtator 2021, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Bordi Ekzekutiv i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, njëkohësisht dhe Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, e përkujtuan këtë ditë me anë të disa takimeve rinore, me të rinj e të reja , ku diskutuan për disa angazhime të reja, bazuar në strategjinë e forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar, si element kyç në parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe radikalizmit të çdo forme, me besim të plotë se, dialogu dhe dashuria për tjetrin triumfon gjithmonë.
Gjithashtu, në këtë takim të moderuar nga Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Dr. Genti Kruja, anëtarët e Bordit janë njohur me disa vendime të rëndësishme të Bordit të Presidencës, siç ishte themelimi dhe miratimi i Komisionit të Arsimit pranë KNFSH-së me përfaqësues nga pesë komunitetet fetare, ngritja e një grupi pune ad-hoc për hartimin e Rregullores së Brendshme të Këshillit Ndërfetar, si dhe angazhimin e një grupi ekspertësh dhe një grupi rinor ndërfetar me përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare për trajnime dhe forume të hapura, që do të zhvillohen në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit dhe marrëveshjes, që KNFSH ka me CVE, nënshkruar nga 5 liderët e komuniteteve fetare, anëtarë të Bordit të Presidencës.
Anëtarët e Bordit Ekzekutiv kanë folur gjithashtu edhe rreth një projektligji lidhur me disa ndryshime në Kodin e Familjes, për të cilin KNFSH me anë të juristëve të të gjithë komuniteteve fetare do të hartojë disa sugjerime dhe rekomandime për Komisionin e Ligjeve në Kuvend.
Më pas anëtarët e Bordit Ekzekutiv kanë diskutuar rreth disa projekteve, që po realizohen me disa partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për të cilët do të angazhohen Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë me të cilët më pas u zhvillua dhe një workshop.
Takimi është zhvilluar me mbështetjen e Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF) me qendër në Zvicër.