213 vjetori i teqesë së Koshtanit -Tepelenë


Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!

Të nderuar klerikë dhe besimtarë bektashian!
Të nderuar miq dhe dashamirës të teqesë Koshtanit!
Është nder dhe kënaqësi për mua, të jem pranë jush dhe t`ju uroj: “Paçi fat e mbarësi në jetët tuaja dhe familjet tuaja”. Zoti i Lartë, Haxhi Bektash Veliu dhe mezaret e këtyre shënjtorëve le t`ju bëhen dritë në udhëtimin tuaj shpirtëror!
E çelur prej mendimit të urtë dhe të mençur të dervishëve të ardhur nga larg, ky vend i bekuar në gjoks të maleve, do të përqafonte tarikatin bektashian, jo thjesht se i duhej një faltore ku të lutej. Vetë doktrina bektashiane, në therlbin e saj përveç dashurisë së Krijuesit, përmban në vetvete një varg tiparesh të mrekulleshëm, siç janë dashuria për vatanin, për vëllanë që ke në krah, për diturinë, për familjen e shëndoshë dhe me moral të dlirë. Është kjo arësyeja që jo vetëm besimtarët e kësj krahine, por edhe  të tjerë, nga Përmeti, Gjirokastra dhe Vlora, erdhën këtu për t`u paisur me mësimet hyjnore dhe për t`u mbushur me shpresën për të nesërmen.
Pas kontributit të shkëlqyer të Shememi Babit, atëhehre kur teqeja u kompletua me të gjitha anekset funksionalë, edhe myhibët e Koshtanit nuk munguan të jepnin përkrahjen e tyre të begatë. Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, erdhi duke u rritur e madhuar, për t`u shndërruar në burim shprese për krejt popullin këtu. Në çdo kohë dhe çdo situatë, klerikët e kësaj teqeje, dijtën të orientohen kurdoherë nga drita e Zotit dhe ajo e lirisë, sepse në fund të fundit, nuk mund të ketë “fe, pa atdhe.”
Në plejadën e shquar të klerikëve të kësaj  prehtorje të mrekullueshme, bëjnë dritë emrat e baba Sadik Horasanit, baba Ismail Ruçajt, baba Muharrem Allkomemaj, baba Ahmet Resulaj, baba Kaso Veizaj, baba Shefqet Mahmutaj, dervish Muharrem Koshtani, dervish Qazim Koshtani etj. Gjatë gjithë jetës së tyre, këta dervish e baballarë, u përpoqën të përhapnin në këto vise dashurinë për Krijuesin, dashurinë dhe respektin e thellë për ndenjat liridashëse, mësimin e vyer se “pa dije, një komb është i destinuar të humbasë”.
Në këtë kontekst, ne bektashinjtë e sotëm, jemi krenarë që këtu, tek ky prag historik, në vitin1908 u çel shkolla e parë shqipe e krahinës, me kontributin e vet klerikëve, të cilët vunë në rrezikë jetët e tyre, për diturinë e brezave që do të vinin, Si një dallëndyshe e parë në këto maja, ajo do të përshëndetej anekënd Shqipërisë së aryre viteve, duke përcjellë shpresë për të ardhmen.
Ndërkaq, historiografia e sotme shqiptare, me të drejtë është ndalur edhe  në një event tjetër po kaq të madh, që lidhet me dritën e diturisë. Në marsin e largët e mbledhur dhe përfaqësimi krahinor i tyre, ishte i barbartë dhe në të  njejtën udhë me kongresin e Manastirit, Dibrës dhe Elbasanit. Mbi dyzet patriot të mbledhur në këtë kongres, të motivuar për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare problemeve të alfabetit, ndjerë nga afër dhe parë me sytë e tyre, urtësinë, dashurinë, bujarinë dhe mençurinë e përcjellë prej dervishëve dhe baballarëve të teqesë së Koshtanit.

Motra dhe vëllezër të mij!
Pandemia që po kalojmë, varfëria ekonomike që po kalojmë, nuk na lënë të mblidhemi dhe të festojmë siç duhet. Sepse kemi shumë gjëra për të thënë, jo vetëm për të djeshmen e kësaj teqeje, por edhe për të sotmen. Me punën e palodhur të dervish Xhelal Resulit dhe baba Avdyl Shehajt, por edhe me ndihmën tuaj të padiskutueshme, teqeja u ringrit dhe  lulëzon dita ditës. Ditë më të bukiura do të vijnë dhe do të kemi mundësi të mblidhemi dhe t`u gëzohemi këtyre kuvendeve të dashurisë së Ehli-Bejtit.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Kryegjyshit Botëror i Bektashinjve
Hirësia e Tij
Haxhi Dede Edmond Brahimaj