U kremtua sot, më datë 15 tetor 2021, 214-të vjetori i teqesë së njohur të Koshtanit në Tepelenë.
Në këtë ceremoni, merrte pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, klerikë të tjerë, zyrtarë, miq të shumtë dhe besimtarë.
Në datën 4 korrik 2021, në këtë teqe, u ngrit tyrbja e re në këtë vend të bekuar, e cila është një grusht dritë më shumë, në jetën fetare dhe njerëzore të atyre dervishëve dhe baballarëve fjalëpakë dhe punëshumë, të cilët përballuan sakrifica nga më të ndryshmet.
Kjo teqe është ringritur nga Sadik babai me origjinë nga Thesalia, në vitin 1807. Më 1908, u çel shkolla e parë shqipe për Tepelenën. (monument kulture).
Teqeja e Koshtanit, ka një histori shumë të vyer, me të cilën vlen të merren jo vetëm studiuesit shqiptar të bektashizmit, por edhe ata të huaj, pasi nëpërmjet shtresëzimeve historike, vijnë mesazhe të kulturave të ndryshme, të identiteteve të ndryshëm kulturor dhe realiteteve po ashtu të ndryshëm, të krahinës së Tepelenës.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Të nderuar vëllezër të mij, klerikë, myhibë dhe besimtarë bektashianë të teqesë historike të Koshtanit.
Të nderuar përfaqësues të lartë të pushtetit vendor, miq dhe të ftuar!
Kam kënnaqësinë t’ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë pelegrinazh bektashian dhe më lejoni që në cilësinë time si Kryegjysh Botëror Bektashian t’ju uroj: Mëshira e Gjithëmëshirshmit, urtësia e dymbëdhjetë imamëve dhe devocioni i baballarëve tanë, u bëfshin dritë e begati në gjithë jetët tuaja!
Teqeja e Koshtanit është ngritur dhe ka hedhur shtat dy shekuj e ca më parë, në këtë lartësi të bekuar, për t’u dhënë njerëzve të kësaj treve shpresë e guxim në përballimin e jetës së vështirë, për t’u treguar atyre se në udhëtimin e ndjekësve të Haxhi Bektash Veliut, ideja e devocionit ndaj Krijuesit, mbetet e para cilësi shpirtërore. Sepse prej dashurisë ndaj Krijuesit, jeta njerëzore shpalos ato të tjerat, jo më pak të vyera, siç janë dashuria për atdheun, për familjen, për prindërit, për vëllanë që ke në krah. Kjo dashuri sublime për njëri-tjetrin, mbetet deri në ditët e sotme, substanca e vazhdimësisë së tarikatit tonë.
Teqeja e Koshtanit, përveç një vullnet i Zotit, vlen të shihet edhe si një mençuri e baballarëve tanë të dikurshëm, të cilët e kishin të spikatur në vetëdijen e tyre, ndjenjën e dashurisë për atdheun. Nga baba Sadik Horasani, tek baba Ismail Ruçajt, baba Muharrem Allkomemaj dhe deri tek baba Ahmet Resulaj nga Mavrova e Vlorës, dashuria dhe respekti për tarikatin bektashian u sendërtuan në shpirtrat e besimtarëve, kurdoherë, përmes një dashurie të pakufi për trojet e të parëve, për lirinë njerëzore, për mbrothësinë e Shqipërisë. Dëshmi e kësaj fryme mbeten përpjekjet për autonomi, strehimi i luftëtarëve të lirisë, fshehja dhe shpërndarja e librave shqip dhe deri tek akti madhor i baba Ahmetit në vitin 1908 për çeljen e të parës shkollë shqipe për djemtë e Tepelenës dhe Mallakastrës.
Plejada e dytë e klerikëve, prej vitit 1920 dhe deri më 1967, u përpoq të eci në gjurmët e të parëve të vet, duke transmetuar tek bektashinjtë e kësaj krahine, ndjenjat më të kulluara bektashiane dhe njerëzore dhe duke i bërë ata sa më shpresëplotë përballë kohrave, pamvarësisht si vinin ato. Në historikun e pasur të Selisë së Shenjtë Bektashiane, qysh kur ajo u vendos në Tiranë dhe deri më sot, teqeja e Koshtanit ka vendin e saj të merituar si në kontekstin fetar, ashtu edhe moral e shoqëror në përputhje të plotë me hapat e zhvillimit të këtij vendi. Ne mund të krenohemi me plot të drejtë se historikisht, klerikë e besimtarë bektashian, kemi pasur një vështrim dhe veprim të qartë, të përparuar, në çdo situatë.
Të nderuar të pranishëm!
Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për çfarë hoqëm shpirtërisht, pas vitit 1967. Ju vetë, koshtanakët, juve që kishit bërë bahçe me lule këtë teqe, u gjendët një ditë papritur në një ditë zie, në ditën e mbylljes së teqesë. Regjimi i urryer që kaluam donte të na largonte të githëve nga rruga e Zotit, sepse donte të na fuste në kallëpe dhe të na drejtonte nga vizioni i tij qesharak. Koha në të vërtetë i dha të drejtë Zotit dhe ne, duke iu falur madhështisë së Tij, duruam deri në fund, duke u ringritur të kapur krah për krah, me njëri-tjetrin, në dritën e urtësisë proverbiale të Haxhi Bektash Veliut.
Në këtë ringritje, në fillim të viteve 90-të, të shekullit që lamë pas, ne ishim të gjithë së bashku, klerikë e besimtarë, nëna dhe baballarë. Ashtu si për çdo teqe, myrshidi ynë, dede Reshat Bardhi tregoi kujdes edhe për teqen e Koshtanit, sado e vështirë ishte ajo periudhë e ringritjes. Ai ishte këtu qysh në ditët e para, duke dëgjuar e marrë mendimet e klerikëve të kësaj krahine, por edhe tuajat, të besimtarëve. Me frymën e tij, me atë mirësi që shpërndau deri në fund, dede Reshati mundi të rizgjojë tarikatin në krejt Shqipërinë, duke dashur t’i japë një tjetër frymëmarrje vetë jetës fetare dhe njerëzore. Edhe dërgimi këtu i dervish Xhelal Resulit, i shërbeu padyshim kësaj ringritjeje.
Por ajo çfarë i riktheu emrin dhe nderin kësaj teqeje, lidhet sidomos me sakrificat edhe privacionet e baba Avdyl Shehajt, i cili u nda nga kjo jetë përpara pak kohe dhe që ne, së bashku i bëmë nderet e merituara. Baba Avdyli, me veprën e tij, si në këtë teqe ashtu edhe në Memaliaj, rrëfen se eci në gjurmët e paraardhësve të vet, duke dashur që drita e tarikatit tonë, të ndriçonte shpirtrat dhe jetët e sejcilit prej tepelenasve që e vizitonte. Kujtimi dhe vepra e tij do të meritojnë në të dyja këto teqe dhe më gjerë, vëmendjen dhe respektin më të thellë të brezave.
Edhe një herë ju falenderoj për praninë tuaj të sotme.
Jemi të ndërgjegjshëm të gjithë për hallet që kalojmë, siç jemi të ndërgjegjshëm se ditët e tilla të festave në këtë vend të bekuar, do na mbushin me shpresa, do na largojnë ndopak hallet, do na afrojnë më shumë me jetën shpirtërore, pa të cilën nuk mund ta kuptojmë rrjedhën e ngjarjeve njerëzore. Le të
bashkohemi më shumë rreth Zotit, teqeve, baballarëve, se në vëllazëri hallet pakësohen, ndërsa gëzimet shumohen.
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!