22- VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM I BABA HAXHI SALIAJ

Ditën e shtunë, 25 tetor 2025, përkujtojmë me nderim të thellë 22-vjetorin e kalimit në amshim të klerikut të shquar bektashian, Baba Haxhi Saliaj, një prej figurave më të ndritura të besimit dhe përkushtimit shpirtëror në traditën bektashiane shqiptare.
I lindur më 10 dhjetor 1936 në fshatin Ninësh të Mallakastrës, Baba Haxhiu u rrit në një familje me rrënjë të thella në besimin bektashian. Qysh në moshë të re, ai dëshmoi dashurinë dhe përkushtimin ndaj rrugës së Zotit, duke u pranuar si myhib në teqenë e Harakopit dhe më pas, në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ku u vesh dervish pas dy vitesh shërbese e studimi.
Në vitet e vështira të ndalimit të fesë (1967–1990), Dervish Haxhi Saliaj qëndroi i patundur në besim, duke e mbajtur gjallë shpirtin bektashian dhe duke shërbyer në heshtje, me përulësi e devotshmëri për popullin e Mallakastrës. Me rikthimin e lirisë fetare, ai u bë një prej figurave kyçe në ringritjen e jetës shpirtërore bektashiane, duke kontribuar me urtësi dhe dashuri në riorganizimin e teqeve dhe rigjallërimin e institucioneve të kultit.
Në vitin 1994 u vesh “baba”, duke marrë drejtimin e Teqesë së Zallit në Gjirokastër, ku për gati një dekadë shërbeu me përkushtim të plotë deri në kalimin e tij në amshim, më 2003. Emri i Baba Haxhi Saliajt mbetet i lidhur ngushtë me rindërtimin e teqeve, ngritjen e tyrbeve dhe forcimin e unitetit bektashian në gjithë jugun e Shqipërisë.
Në kujtim të përjetshëm të veprës së tij, më 25 tetor 2024, në vendlindjen e tij në Ninësh të Mallakastrës, u përurua shtatorja e Baba Haxhi Saliajt, vepër e skulptorit të njohur Dylber Neziri, me praninë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, autoriteteve lokale dhe besimtarëve të shumtë.

Në vijim të kësaj tradite nderimi, edhe këtë vit, në 25 tetor 2025, në Ninësh u zhvillua një aktivitet përkujtimor ku mori pjesë Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, përfaqësues të Kryegjyshatës Botërore, klerikë bektashianë, autoritete vendore dhe besimtarë të shumtë. Aktiviteti u shoqërua me lutje, këngë dhe mesazhe paqeje e dashurie, duke rikujtuar figurën e ndritur të Baba Haxhi Saliajt si shembull frymëzimi, përulësie dhe përkushtimi ndaj Zotit dhe njeriut.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror:
“Të nderuar besimtarë Bektashianë të Ninëshit dhe gjithë Mallakastrës!
I nderuar deputet në Kuvendin e Shqipërisë z.Klevis Jahaj
Të nderuar përfaqësues të Bashkisë së Mallakastrës!
Shumë të nderuar miq, të afërm dhe familjarë të baba Haxhi Saliajt!
Është nder dhe privilegj i veçantë për mua, të jem sot në këtë vend të bekuar, ndaj më lejoni që në cilësinë time, si Kryegjyshi Botëror Bektashian, t’ju falënderoj nga zemra që kini ardhur sot, në respekt të veprës së baba Haxhi Saliajt! Zoti i Lartësuar, dervishët dhe baballarët bektashianë u ndihmofshin në udhëtimin tuaj të mrekullueshëm shpirtërorë!
Një vit më parë, në një ditë si kjo e sotmja, ne ishim të gjithë së bashku, në përurimin e shtatores së klerikut të vyer bektashian, baba Haxhi Saliajt, në vlerësim të jetës dhe veprës së këtij biri të Ninëshit dhe gjithë Mallakastrës. Sot na ka sjellë përsëri kujtimet e mrekullueshme që kemi për këtë baba, jeta e të cilit u shkri si qiriri, për të larguar errësirën ateiste, shpesh duke e paguar me një çmim të madh. Vepra e baba Haxhiut bën dritë në të gjitha teqetë e Jugut të Shqipërisë, duke lënë gjurmë të pashlyera në vetë historinë shekullore të tarikatit tonë.
Jeta fizike dhe shpirtërore e baba Haxhiut, do të kalonte përmes privacioneve të mëdha. Por klerikët bektashianë, janë bashkuar kurdoherë pranë filozofisë së Haxhi Bektash Veliut sipas të cilit, vuajtje e bëjnë më të madh krahasimin e njeriut, e mbushin atë me dritën e të Gjithëdijshmit. Edhe pse, përballë sprovave madhore, vëllai ynë dhe biri juaj, jo vetëm që nuk ra dhe u gjunjëzua, por përkundrazi i priti rrebeshet e regjimit me urtësinë dhe qëndresën karakteristike bektashiane. Nder dhe respekt pastë për jetë të jetëve ky qëndrestar i madh! U lartësoftë vepra e tij, si kjo shtatore që i bën nder jo vetëm Ninëshit dhe Mallakastrës, por gjithë Shqipërisë!
Motra dhe vëllezër bektashianë!
Baba Haxhiu, nuk qe i vetëm në devocionin e tij ndaj Zotit. Në atë plejadë klerikësh të ndritur, të cilët vijuan misionin e tyre fisnik edhe pas vitit 1967, emri i tij bashkohet me dede Ahmet Myhtarin, dervish Reshat Bardhin, dervish Selim Kaliçanin, dervish Xhaferr Aliaj, baba Jonuz Greshicën, baba Neki Harakopin, baba  Bajram Mahmutajn, baba Selman Kremenari, baba Mehmet Zykaj, baba Bektash Golimbasin dhe dhjetëra klerikëve të tjerë. Akti i tyre për t’i mbijetuar regjimit, pa fikur për asnjë çast çirakët e besimit, është shumë më tepër se kujtesë historike. Është qëndresë kulmore, është frymë që na përshkon shpirtrat tanë.
Në këtë vlerësim për klerikët tanë, nuk mund të mbeteni pas ju, besimtarë bektashianë të Mallakastrës dhe gjithë Shqipërisë. Ju i mbajtët në konakët tuaj, me kujdesin tuaj duke i ndarë jo vetëm hallet dhe gëzimet, por shpesh herë edhe kafshitën e bukës. Duke ju qëndruar pranë klerikëve bektashinj, ne të vërtetë ju kini marrë në ata vite, jo vetëm urtësinë dhe devocionin fetarë, por mbi të gjitha modelin e përkryer të vëllazërisë së tarikatit. Prandaj dhe u qëndruam së bashku atyre furtunave, sepse besuam tek Zoti i Lartësuar, por besuam edhe tek njëri – tjetri, tek vëllazëria e dëlirë që sfidonte ideologjitë politike.
Pra le të jemi edhe sot së bashku, në këtë udhëtim shpirtëro dhe fizik!
Le të marrim dhe të japim dashuri, harmoni dhe shpresë, sepse veçanërisht sot, kemi shumë nevojë për këto. Kemi nevojë të jemi së bashku përballë sfidave të jetës politike, sociale, morale dhe fetare. Kemi nevojë të kemi një familje të ngrohtë, të madhe, sipas traditave të hershme. Kemi nevojë për një Shqipëri, që të na dojë me dashurinë e nënës dhe ta duam me dashurinë e fëmijëve!
Një falënderim i veçantë shkon sot për të gjithë, nipër e mbesa të baba Haxhiut për këtë organizim të shkëlqyer dhe për këtë respekt që kanë treguar dhe tregojnë për udhën bektashiane.
Gjithashtu gëzimin e kësaj dite na e shton të gjithëve edhe autori i librit Pajtim Sejdinaj, i cili ka shkruar një vepër të frymëzuar nga shpirti mistik i baba Haxhiut.
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”
Sot, në 22-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt e mirënjohje, si një udhërrëfyes shpirtëror, që me jetën dhe veprën e tij frymëzoi breza të tërë në rrugën e paqes, dashurisë dhe përkushtimit ndaj Zotit.