23 KORRIK, DITA E PELEGRINAZHIT NË TEQENË E RABIJES – TEPELENË

E marta e 24 korrikut 2024, është dita e pelegrinazhit tradicional bektashian, në Teqenë e Rabijes, objekt i njohur në histori, për ruajtjen e përhapjen e bektashizmit dhe për vlerat e njohura atdhetare e kombëtare. Në këtë ditë, banorët e kësaj treve por dhe shumë të tjerë, nga vendi e jashtë Shqipërisë, vijnë e takohen së bashku, në këtë ditë të shënuar. “…Kjo është një ditë e shënuar për besimtarët dhe bektashinjtë, pasi është një ditë që mbledh besimtarë e dashamirës, për të kujtuar rolin e këtij objekti bektashian në udhën e historisë së besimit tonë të paqtë, klerikëve që kanë shërbyer këtu, që kanë dëshmuar vlera të larta atdhetare e fetare. Nder dhe respekt të përjetshëm për jetën dhe veprën e tyre!…”, pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
… …Historia e kësaj teqeje, zë fill me ardhjen këtu të dervishëve të Haxhi Bektash Veliut, të cilët parashihnin në misionin e tyre jo thjeshtë përhapjen e diturive të Islamit, por edhe mbrujtjen e shpirtit të lirisë, të ideve të lume të paqes universale.
Gjatë luftës antifashiste, teqeja e Rabies e lidhur me frontin antifashist nacional çlirimtar. Në këtë periudhë ajo drejto- hej nga baba Abaz Sherif Memushaj dhe katër dervishët, dervish Bajram Lamaj nga fshati Levan i Tepelenës, dervish Cane nga fshati Rabie i Tepelenës, dervish Feimi nga fshati Gllavë i Tepelenës dhe dervish Bajrami nga Mallakastra. Teqeja siguronte të ardhura në ndihmë. të partizanëve, krahas veprimtarisë fetare të besimit bektashian. Më 17 korrik 1943, një batalion fashist italian, i nisur nga Berati, arriti ne teqenë e Rabies. Me ardhjen e tyre, u njoftua Shtabi i Përgjithshëm, si dhe forcat territoriale të zonave Mallakastër e Tepelenë. Duke menduar se teqeja e Rabies nuk përfshihej në luftë, italianët lanë municionet që të kalonin natën aty. Në këtë kohë forcat territoriale, e rrethuan batalionin fashist dhe e sulmuan natën. Të befasuar nga ky sulm, fashistët lanë municionet dhe çanë rrethimin duke ikur në drejtim të Mallakastrës.
Në këtë zjarr luftimesh u vranë gjashtë oficerë dhe disa ushtarë. I gjithë municioni u mblodh nga baba Abazi dhe dervishët në teqe, për t’ua dhënë partizanëve që vepronin në zonat përreth. Në kë situatë të vështirë, italianë morën të gjitha masat për tu hakmarrë dhe më 22 Korrik1943, të zëmëruar nga disfata që pësuan në teqenë e Rabies, dërguan një regjiment këmbësorësh në drejtim të rrethinave të Mallakastrës dhe Tepelenës. … Nga komunikimi që bënë oficeret italianë me eprorët e tyre, u dha urdhër që gratë e fëmijët të liheshin të lirë, ndërsa burrat të pushkatoheshin në teqenë e Rabies. Në këtë moment kolonelët kanë urdhër për pushkatimin e baba Abazit dhe të dervishëve të teqesë. I lajmëruar nga forcat territoriale, arrin në teqe kryeplaku i fshatit Qamil Lamaj dhe shoqëruesi i tij Reshat Mahmutaj nga Rabija. Ai i tha kolonelit që të mos e vrisnin baba Abazin, por të merreshin me të si kryeplaku i fshatit. Të inatosur nga kjo fjalë e Qamilit, koloneli dha urdhër për zjarr, duke e vrarë atë dhe shoqëruesin, Reshatin. Në këtë situatë të rëndë baba Abazi, duke parë që do ta ekzekutonin atë dhe dervishët, hoqi taçin nga koka e tij dhe e la në cep të shkallëve. Koloneli me vëmendje e ndoqi veprimin dhe i dha urdhër baba Abazit që ta vendoste taçin në kokë. Baba Abazi iu përgjigj: “Nuk e pranon besimi bektashian që taçi të lyhet me gjak”. Në këtë moment koloneli i tmerruar nga veprimi dhe fjalët këmbëngulëse të baba Abazit dha urdhër për të hapur zjarr në drejtimin e tij. Ai u qëllua në shkallët e teqesë me breshëri, përpara syve të dervishëve të teqesë. Më pas u dha urdhër pushkatimin e dervishëve nga toga e pushkatimit.
Forcat fashiste, pasi pushkatuan baba Abazin dhe dervishët e tjerë, morën municionin, materialet dhe mallin e teqesë. Në të kthyer në drejtim të Mallakastrës i vunë zjarrin fshatrave Allkomemaj, Levan, Cerril dhe rrethinave. Lista e emrave të kësaj masakre është e gjatë, nga Baba Abaz Sherif Memushaj, dervish Bajram Lamaj nga fshati Rabije i Tepelenës, dervish Cane nga fshati Rabije, dervish Bajrami nga fshati Bardhaj i Mallakastrës, dervish Feimi Haxhi Memushaj nga fshati Gllavë i Tepelenës dhe Qamil Estref Lamaj kryeplaku i fshatit Rabije, Reshat Mahmutaj, Qazim Kamber Kapllanaj, Muharrem Kapllanaj, Qani Myftar Kapllanaj, Selfo Haxhi Kapllanaj, Sheme Muhamet Xhemali, Muhamet Reshat Kapllanaj, Shefit Kapllanaj, Bektash Halim Xhemalaj, Haxhi Jashar Xhemali, Lutfi Lame Jaupi, Riza Hysen Malaj, Ismail Lamaj etj.