Të nderuar klerikë e besimtarë bektashianë anekënd botës!
Dita e sotme, 246 vjetori i shpalljes së pavarësisë të SHBA-ve, më jep rastin e lumë, në radhë të parë të urojmë e bekojmë kombin vëlla amerikan: Qofshi kurdoherë në krye të vlerave universale të lirisë, barazisë dhe prosperitetit të kombeve, me ndihmën e Zotit dhe vlerave tuaja njerëzore!
Përvjetori i sivjetëm përkon ndërkaq edhe me jubileun e lavdishëm të 100 vjetorit të lidhjes së mardhënieve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë, mardhënie në themel të të cilave u ngjiz dhe sendërtua në mënyrën me unike, vëllazëria midis kombeve tanë. Ky jubile, i cili bashkon ngjarje kulmore të historisë së Shqipërisë, është dëshmi e një vëllazërie të sinqertë dhe të përjetshme, në ruajtje të vetë identitetit tonë kombëtarë.
Ndërkaq, jo pa një ndjenjë të natyrshme krenarie, ju kujtoj sot miliona ndjekësve të Haxhi Bektash Veliut, se jubileu i 100 vjetorit në fjalë, përbën edhe një histrori të shkëlqyer të SHBA -ve me Selinë e Shenjtë Bektashiane, me bektashinjtë atdhetarë të “Vatrës” të cilët ndonëse në mërgim, nuk i ndanë askurrë hallet e gëzimet e tyre nga ato të atdheut, të familjeve të tyre shpirtërore dhe njerëzore.
Bektashinjtë e gjithë botës, do t’u mbeten kurdoherë borxhli SHBA-ve për atmosferën e lirisë fetare, si edhe ndihmën dhe angazhimin në ngritjen e teqes së parë të këtij tarikati 800 vjeçar, në Detroit-Michigan, e cila në këto shtatë dekada të jetës së saj, ka dhënë një kontribut të çmuar, jo thjesht në edukimin fetar dhe atdhetar të brezave, por edhe në plotësimin e mozaikut të mrekullueshëm fetar në tokën e shenjtë të lirisë.
Mirënjohje për jetë SHBA-ve, për çfarë kanë bërë për kombin shqiptarë!
Mirënjohje për jetë SHBA-ve , për çfarë kanë bërë dhe bëjnë për lirinë e besimit në Zot!
Mirënjohje për jetë, për çfarë kanë bërë për bektashizmin dhe Selinë tonë të Shenjtë!
Zoti i Lartësuar pastë në vëmendjen e Tij SHBA!
Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Shenjtëria e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj