25 vjetori i kalimit nga jeta Baba Rexhebi. Themelues i teqesë së parë bektashiane në Detroit – SHBA

Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!
Të nderuar vëllezër, klerikë, myhibanë dhe besimtarë bektashianë në botë!
Të nderuar miq dhe të afërm shpirtëror dhe biologjik të baba Rexhebit!
Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ju! Ehli-Bejti u plotësoftë çdo dëshirë në familjet tuaja të shtrenjta!
Sot, 25 vite më parë, mbylli sy të në teqenë  bektashiane të Detroitit, në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shenjtori ynë, baba Rexheb Beqiri. Ndahej nga kjo botë, me njerëzit dhe të afërt të tij, me ata që e rrethuan plot dashuri në vitin 1954 kur u çel teqeja, që sakrifikuan për rritjen e  këtij objekti, që jo vetëm praktikuan ritet dhe traditën bektashiane, por ditën gjithashtu të ruanin të paprekur esencën e tarikatin, vëllazërinë brenda tyre, vëllazërinë me krejt racat, etnitë dhe dallimet fetare në vendin kampion të demokracisë.
Baba Rexhebi u largua nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944, i detyruar nga rrethanat ideologjike që kalonte vendi i ynë. I akuzuar si “armik” i partisë komuniste ai ishte dënuar me vdekje (mungesë) dhe ka qenë dëshira e myrshidit të tij, baba Selim Gjirokastra, që dervish i tij, besnik i idealit kombëtar, të shpëtonte nga ndëshkimi i servilëve të Moskës dhe të luftonte më tej, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Së bashku me imam Vehbi Ismaili, Mid`hat Frashëri, Ali bej Këlcyrën, Hasan Dostin, Abaz Kupin, dhe dhjetëra burra të tjerë që bënë historinë e nacionalizmit shqiptarë në shekullin e 20-të. Shenjtori ynë bektashian, u largua me idenë e vazhdimit të një lufte me çdo çmim ndaj komunizmit sllav.
Baba Rexhebi përballoi me stoicizëm e vet karakteristik, vuajtjet pafund të mërgimtarit, për të çelur atje të parën shtëpi të Haxhi Bektash Veliut. Ky mision u arrit jo vetëm me vullnetin e Zotit të Lartë, po edhe falë thesarit të harmoni së fetare ndër shqiptarët e Amerikës dhe sidomos të ndjenjave kombëtare të At Fan Nolit. Ishte pikërisht ky dishepull i krishterimit shqiptar, i cili mblodhi shqiptarët pa dallim feje dhe kontribuoi shpirtërisht dhe financiarisht për ngritjen e teqesë bektashiane.
Që nga maji i vitit 1954 dhe deri më sot, teqeja bektashiane e Detroitit që mban emrin e shenjtorit, baba Rexhebit, është shndërruar në një vatër të shkëlqyer të shqiptarizmit. Atje u rritën dhe edukuan mijëra besimtarë bektashianë, jo vetëm me dashurinë për Zotin, por edhe për Shqipërinë, për familjen biologjike, si edhe për familjen e mrekullueshme amerikane, me etni, raca e gjuhë të ndryshme. Sa i përket ngjarjeve kulmore të historisë së kombit tonë, teqeja u shndërrua në vatër të kuvendeve të besimtarëve myslimanë, të krishterë dhe bektashinj shqiptarë, si edhe qëndrimeve denjësisht kombëtarë.
Gjatë këtyre dekadave të përhapjes së dritës bektashiane në SHBA, përveç baba Rexhebit, në këtë teqe kanë shërbyer dhe kanë falur vitet më të bukura të jetës së tyre, baba Bajram Gurakuqi, dervish Lutfi Gjirokastra dhe  baba Arshi Bazaj, tëcilët, i gjithë komuniteti shqiptarëve në Miçigan i kujton me respektin më të thellë sepse, duke qenë besnik të baba Rexhebit, në të vërtetë mbetën besnik me traditën e kulluar bektashiane. Në këto gjurmë, ecën sot edhe dervish Eliton Pashai, i cili mban të pa fikur kandilin e Haxhi Bektash Veliut, në brezin më të ri të shqiptaro-amerikanëve në Miçigan.
Motra dhe vëllezër bektashianë!
Baba Rexhebi la pas një vepër të shkëlqyer. Le ta  përcjellim më tej!
Baba Rexhebi la një frymë shenjtërie. Le ta ndriçojmë!
Le të përulemi me repektin më të thellë për këtë bektashi dhe shqiptar të madh, duke kujtuar çfarë ka thënë studiuesja e sotme amerikane, Franxis Trix: “Baba Rexhebi ishte një bekim për Amerikën!”

Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ