27 JANAR 2026, CEREMONI PËRKUJTIMORE PËR KALIMIN NGA JETA TË BABA MUMIN LAMAJT

Ceremonia përkujtimore për 5-vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Mumin Lamaj zhvillohet të martën më 27 janar 2026, në teqenë bektashiane të Gjakovës-Kosovë. Gjatë gjithë ditës, besimtarë të shumtë do të jenë të pranishëm në këtë teqe, ndërsa ceremonia zyrtare do të nisë në orën 17:00 të kësaj dite. Masat për këtë ceremoni janë marr nga dervish Rrauf Radoniqi i Teqesë së Gjakovës, ndërsa i pranishëm dhe drejtues i riteve të kësaj dite të shënuar, do të jetë Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. “…Sot është një ditë e shënuar për besimtarët bektashian të Kosovë e kudo që janë, pasi kujtojmë 5 vjetorin e kalimit nga jeta të baba Mumin Lamajt. Vëllai jonë, baba Mumini, përvjetorin e pestë të ikjes nga jeta që ne po e përkujtojmë sot, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm fetar e atdhetar për bektashizmin, në Gjakovë e Kosovë. Veçanërisht, ai pati një rol të rëndësishëm, para dhe gjatë luftës së Kosovës, kohë në të cilën pushtuesit serbë, nuk kursyen dhe objektet bektashiane, duke e djegur dhe teqenë e Gjakovës, një objekt i rëndësishëm fetar e atdhetar…Puna dhe vepra e baba Muminit ka lënë gjurmë dhe do të nderohet e vlerësohet nga brezat në vijimësi”-pohoi mes të tjerave Dede Edmond Brahimaj.
… Baba Mumin Lama lindi më 1 qershor të vitit 1949 në Gjakovë, nga një familje e njohur e besimit bektashiane. Në vitin 1987, ai pranohet myhib i baba Tajarit. Meqë shfaqi vlera të larta morale, kombëtare e fetare, në vitin 1993, babai Tajari, e gradoi Mumin Lamën ‘Dervish’. Pas kalimit nga jeta i baba Tajarit më 1994, anëtarët e Teqesë së Gjakovës, vendosën që prijësi i zgjedhur të jetë dervish Mumin Lama. Në vitin 1996, bazuar në rregullat e Tarikatit Bektashian, Baba Mumin Lama u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini, duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës.
…Teqeja bektashiane e Gjakovës, që drejtohej nga baba Mumin Lama, u bë objekt sulmi i ushtrisë së rregullt serbe, e cila e dogji atë më 7 maj 1999. Kështu, u shkatërruan relikte e artefakte me vlera të jashtëzakonshme, u shkrumbua biblioteka që mbante thesare nga e gjithë bota (shumë nga to ishin dorëshkrime perla që nuk kthehen më). Këtë fat, pati edhe tyrbja e baballarëve në Gjakovë. Pas luftës në Kosovë, teqeja u rindërtua më 2007, me ndihmë nga Qeveria e Kosovës, financuar nga shtetet mike të vendit, si dhe nga të ardhurat e vetë teqesë bektashiane të Gjakovës. Baba Mumini, njihej gjithandej për qetësinë që reflektonte, për urtësinë e bujarinë e madhe. Tregonte respektin për çdo qenie njerëzore, ngrihej me konsideratë si për fëmijët ashtu për të moshuarit. Nuk dallonte njerëzit në elemente që diferencojnë, por këto i konsideronte pasuri të esencës së qenies njeri.