Ashtu si çdo vit, dita e 28 majit, është një ditë e shënuar për besimtarët bektashian të Luzit në Kavajë e më gjerë, pasi është dita e pelegrinazhit në teqenë e “Baba Sakos”. Edhe e mërkura e 28 majit 2025, mbledh në këtë objekt bektashian të njohur besimtarë të Luzit, rrethinave, Kavajës e treva të tjera, për të kryer ritet përkatëse. “…Dita e 28 majit, nuk është thjeshtë një ditë pelegrinazhi për besimtarët e zonës, por dhe një datë ku ne përkujtojmë rolin e këtij objekti në historinë e besimit bektashian në Shqipëri, kontributin që ka dhënë baba Sako e klerikë të tjerë që kanë lënë gjurmë në emrin e traditën e mirë që ka besimi ynë i paqtë bektashian…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
…Teqeja e Baba Sakos, ndodhet në fshatin Luzi i Madh, Njësia Administrative Lekaj, Bashkia Rogozhinë. Ajo mendohet të jetë ngritur rreth viteve 1826 dhe i kushtohet Baba Sakos. Baba Sako është një misionar i hershëm me origjinë nga Horasani i Persisë. Mbiemri Sako e ka marrë nga fjala Saki-u, nga persishtja edhe në turqisht si huazim, që do të thotë ujë përndarës, ai që servir me gota, verë-gostitës, që mbart e shet ujin.
…Mbiemri Baba Sako e ka marrë se ka shërbyer në dhënien e ujit dhe ndihmuar në popull, bamirës. Ai shërbeu në shumë vende të Ballkanit dhe më pas, u vendos në Luzin e Madh. Ai punoi me përkushtim në përhapjen e bektashizmit, duke predikuar dashurinë ndaj Zotit të Madh dhe dashurinë ndaj atdheut. E ngriti teqenë në këtë fshat dhe afroi shumë besimtarë dhe dashamirës duke u bë i njohur në gjithë zonën e Kavajës. Kur kaloi nga jeta banorët i ngritën tyrben në nderim të tij. Ka drejtuar këtë teqe dervish Abdullai (Xhani) që nga viti 1829 dhe deri sa kaloi nga jeta. Ai ka historinë e tij me Xhefai Baban e Teqesë së Madhe Elbasan, të cilin, në vitin 1826, e shoqëroi në Frashër. Dervishi punoi me përkushtim në fisin e tij, në fiset Hysaj, Aliaj, Dullaj dhe Kalaci. Për punën e mirë, sjelljet dhe kontributin në Luzin e Madh, atë e priti me nderime kundërshtari i tij, sheh Hamidi i Kavajës dhe filluan marrëdhëniet e mira edhe me tarikatin halveti. Kështu vazhdoi tradita bektashianë në Kavajë. Në vitin 1950, në këtë teqe drejtoi baba Mustafa Panariti. Objekti u mbyll në vitin, 1967 nga shteti i kohës. U rihap në vitin 1998 me një tyrbe të bukur, e cila loz një rol të rëndësishëm shpirtëror tek gjithë besimtarët e zonës së Kavajës e më gjerë.