28-VJETORI I NDARJES NGA JETA I BABA BAJRAM MAHMUTAJ, ISH-ZËVENDËS KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN

Sot, më 30 prill 2025, përkujtohet 28-vjetori i ndarjes nga jeta i njërit prej figurave më të rëndësishme të bektashizmit shqiptar, Baba Bajram Mahmutaj, ish-Zëvendës Kryegjyshi Botëror. Me këtë rast, kujtimi i tij do të nderohet në Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe në gjyshata të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë.
“Sot përkujtojmë figurën e ndritur të Baba Bajram Mahmutajt, një klerik që ka luajtur një rol të rëndësishëm fetar dhe atdhetar. Duke kujtuar atë dhe klerikë të tjerë që kanë ndërruar jetë, ne jo vetëm nderojmë kontributin e tyre, por edhe pasurojmë më tej traditën tonë të shenjtë, duke promovuar paqen, dashurinë vëllazërore dhe besimin e palëkundur në të Madhin Zot,” – u shpreh Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Një jetë në shërbim të fesë dhe atdheut
Baba Bajram Mahmutaj lindi më 18 maj 1906 në fshatin Rabije të Tepelenës, në një familje të njohur bektashiane. Xhaxhai i tij, Baba Muharremi, hapi në vitin 1890 teqenë në Plashnik të Beratit. Në vitin 1927, Bajrami veshi rrobat e dervishit dhe filloi rrugën e shenjtë fetare nën kujdesin dhe mësimet e Baba Muharremit, duke u formuar si klerik dhe atdhetar i përkushtuar.
Pas ndarjes nga jeta të Baba Muharremit, në vitin 1929, ai mori drejtimin e Teqesë së Plashnikut, detyrë që e mbajti deri në vitin 1945. Ajo që pasoi ishte një periudhë e vështirë për të, pasi u dënua me 15 vite burg nën akuzën e bashkëpunimit me Ballin Kombëtar. Më pas, u internua në Milot, ku qëndroi deri në ndryshimet politike të vitit 1990.
Rilindja fetare dhe kontributi i vonë
Me rikthimin e lirisë fetare, Baba Bajrami iu bashkua nismës për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe ishte i pranishëm në ceremoninë e 22 marsit 1991, për Sulltan Nevruzin, kur kjo Kryegjyshatë u rihap zyrtarisht. Ai kontribuoi në riorganizimin e strukturave fetare, ringritjen e teqeve dhe tyrbeve, si dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetet bektashiane në mbarë botën.
Baba Bajram Mahmutaj ndërroi jetë më 30 prill 1997, në moshën 91-vjeçare. Pas vdekjes, ai u dekorua me titullin “Pishtar i Demokracisë”, me motivacionin: “I papërkulur dhe me besimin ndaj Zotit, duroi burgjet dhe torturat e diktaturës për një Shqipëri të lirë, fetare dhe demokratike.”
Ai mbetet një nga figurat më të ndritura të bektashizmit shqiptar dhe një shembull i qëndresës, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun dhe fenë.