Të martën, më 30 prill 2024, është 27-vjetori i ndarjes nga jeta i ish-Zëvendës Kryegjyshit Botëror Bektashian, baba Bajram Mahmutaj. Me këtë rast, përkujtimi i këtij kleriku bektashian, do të përkujtohet në Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe në gjyshata të tjera bektashiane, brenda e jashtë Shqipërisë. “…Ne sot, përkujtojmë 31-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-Zëvendës Kryegjyshit, baba Bajram Mahmutaj, klerikut që ka luajtur një rol të rëndësishëm si fetar e atdhetar. Duke kujtuar baba Bajramin, ashtu si dhje klerikë të tjerë bektashian që kanë ndërruar jetë, ne jo vetëm nderojmë e respektojmë vëllezërit tanë për kontributin që kanë dhënë në kohë të ndryshme, por dhe pasurojmë më tej traditën dhe misionin tonë të paqtë, për më shumë paqe, dashuri vëllazërore, harmoni e besim të palëkundur tek i Madhi Zot, për ditë më të mira..”- pohoi ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj,
…Baba Barjami lindi në fshatin Rabije të Tepelenës, më 18 maj të vitit 1906, në një familje të njohur bektashiane. Xhaxhai i tij, baba Muharremi, në vitin 1890, hapi teqenë, në fshatin Plashnik të Beratit. Në vitin 1927, Bajram Mahmutaj, u vesh dervish. Tashmë, dervish Barjami gjeti tek baba Muharremi, prindin, edukatorin, mësuesin, teologun, atdhetarin shqiptar, duke krijuar një bazë teorike e praktike të shëndoshë, jo vetëm si klerik bektashian, por dhe si misionar shoqëror e atdhetar. Pas kalimit nga jeta të baba Muharremit, në vitin 1929, deri në vitin 1945, ai drejtoi teqenë e Plashnikut. Ky vit, do të shënonte fillimin e një kalvari të vështirë, pasi nën akuzën e bashkëpunimit me Ballin Kombëtar, drejtësia e kohës e dënoi me 15 vite heqje lirie. Pas kryerjes së dënimit, ai i nënshtrohet një internimi në Milot, kalvar i cili merr fund me ndryshimet politike të vitit 1990 dhe rifitimin e lirisë fetare e rihapjen e institucioneve të besimit. Në vitin 1991, ai u bashkohet nismëtarëve për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe ndjeu rilindje kur më 22 mars të vitit 1991, me rastin e festës së Sulltan Nevruzit, u rihap Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Ai kontribuoi për riorganizimin e ri klerikal, strukturor, organizativ, ringritjen e teqeve dhe tyrbeve në Shqipëri, por edhe në lidhjen me teqetë e tjera në botë. Baba Bajrami ndërroi jetë në 30 prill të vitit 1997 në moshën 91 vjeçare. Ai mbetet kleriku i devotshëm i bektashizmit. Pas ndarjes nga kjo jetë, ai është dekoruar me “Pishtar i Demokracisë” me motivacion: “I pa përkulur dhe me besimin ndaj Zotit duroi burgjet e torturat e diktaturës për një Shqipëri të lirë, fetare dhe demokratike”.