
Në këtë 22 qershor, në ditën e pelegrinazhit tradicional në Teqenë e Melçanit, u përkujtua me krenari edhe 385-vjetori i themelimit të kësaj teqeje si një prej qendrave më të vjetra dhe më të rëndësishme të bektashizmit shqiptar. Kjo datë nuk është vetëm simbolikë kalendarike, por përfaqëson një udhëtim të gjatë të shpirtit, dijes dhe atdhedashurisë që Teqeja e Melçanit ka mbartur ndër shekuj.
Një histori që nis në shekullin XVII
E ndodhur mbi një kodër piktoreske të fshatit Melçan, në njësinë administrative Bulgarec të Korçës, kjo teqe ka rrënjët në vitin 1640, kur u themelua nga Hysen Dede Horasani. Që në fillimet e saj, u shqua si një qendër shpirtërore me ndikim të gjerë, që më pas u pasurua dhe u zhvillua nga figura të shquara si Sali Dede Horasani, baba Abdullahu i Krujës, e të tjerë.
Falë mbështetjes së Ali Pashë Tepelenës, ajo u kthye në një teqe-kështjellë, me ndërtesa madhështore, harqe guri dhe elementë të veçantë të arkitekturës bektashiane. Por historia e saj nuk ka qenë vetëm një udhëtim ndërtimesh fizike – ajo është ndërthurur ngushtë me përpjekjet për gjuhën shqipe, identitetin kombëtar dhe lirinë e popullit shqiptar.
Rol kyç në Rilindjen Kombëtare
Në këtë teqe janë edukuar e stërvitur patriotë të njohur. Këtu, në vitin 1906, me ndihmën e baba Hysen Vërlenit dhe dervishëve të tij, Bajo Topulli themeloi çetën e parë kombëtare. Ajo u bë vend strehimi për luftëtarët e lirisë, vatër përhapjeje të gjuhës shqipe dhe rezistencë kundër pushtimeve të huaja. Shumë baballarë e dervishë të saj bashkëpunuan me figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, përfshirë edhe vëllezërit Frashëri.
Teqeja u dëmtua disa herë – u dogj nga trupat osmane më 1826, nga andartët grekë më 1914, dhe nga gjermanët më 1944 – por gjithnjë u rindërtua me përkushtim dhe besim të palëkundur.
Mbyllja dhe rilindja pas komunizmit
Në vitin 1967, me ndalimin e fesë nga regjimi komunist, teqeja u mbyll. Pas një heshtjeje të gjatë, ajo u rihap në 1991, duke u kthyer sërish në një qendër aktive e shpirtërore. Ndër vite, ajo ka njohur rikonstruksione të thella, sidomos gjatë periudhës 2018–2020, falë përkushtimit të Haxhi Baba Sadik Ibro, i cili e rindërtoi me mur guri, në stilin tradicional bektashian, duke i kthyer hijeshinë që e karakterizonte dikur.
Sot, teqeja përmban tri tyrbe të ndërtuara me kupola dhe mure të skalitura, ndërtesa funksionale për besimtarët, dhe një kompleks që ruan frymën shekullore të këtij vendi të shenjtë.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian
Me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj shprehu nderimin e thellë për historinë dhe rolin madhor të Teqesë së Melçanit:
“Në këtë ditë të shenjtë, përkujtojmë kontributin e shquar të baballarëve dhe dervishëve në këtë teqe me famë historike. Për kontributin e shquar në Rilindjen Kombëtare, mbeten edhe sot simbol i bektashizmit, jo vetëm në trevën e Korçës por për gjithë jugun e Shqipërisë e më gjerë. Nuk mund të harrohen Hysen Dede Horasani, baba Abdullahu, baba Hysen Vërleni, baba Bektash Kozeli, baba Zylfua, baba Zeqiri, baba Kadri Mukollari etj; të cilët bënë historinë e kësaj teqeje në shekuj deri më sot.”




