Dita tradicionale e pelegrinazhit vjetor në teqenë ‘Dede Reshat Bardhi’-Sarandë, 4 qershori, ka një simbolikë të veçantë këtë vit, pasi plot 15 vite më parë, në këtë objekt kulti, u bë përurimi i themeleve, ku gurin e parë, e vendosi ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi.
Lidhur me këtë ditë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, midis të tjerave tha: “…Dita e 4 qershorit, që është një ditë e shënuar pelegrinazhi për bektashinjtë e Sarandës, rrethinave e shumë më gjerë, na kujton të gjithëve gjithashtu ditën e 16 viteve më parë, kur u hodh guri i parë në themelet e këtij objekti, që mori emrin e klerikut të nderuar, ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, ish-Myrshidit tim, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Reshat Bardhi, emrin e të cilit ajo mbanë. Ajo hodhi shtat dhe u bë një objekt i mrekullueshëm për të pritur e përcjellë besimtarët, ku ata falen, luten, shtojnë adhurimin për të Madhin Zot dhe marrin shpresë për një të ardhme më të mirë. Me hijeshinë që ka kjo teqe, me misionin për ruajtjen e përhapjen e besimit tonë të paqtë, me emrin që mbanë, është dhe do të jetë një objekt adhurimi për sot e për brezat që vijnë. Ndaj dhe pelegrinazhi që përkon me këtë ditë, është plotësisht besim e shpresë për të gjithë besimtarët e dashamirësit…”.
Teqeja ‘Dede Reshati’ e Sarandës, hodhi themelet më 4 qershor të vitit 2009, në gjurmët e vjetra të Sari Salltikut në faqen e kodrinës pranë detit Jon. Punimet u bënë nën drejtimin e Baba Sadik Ibroko. Kjo teqe është përball Korfuzit, atje ku ndaloi Sari Salltiku, misionari i parë i Islamit dhe bektashizmit, sot i thonë kisha e Spirodhonit. Në momentin e nisjes së ndërtimit, ndër të tjera, Dede Reshat Bardhi (emrin e të cili do të merrte teqeja më vonë) tha: “ Ndihem sinqerisht i lumtur dhe shumë i respektuar të vendos gurin e themelit në teqenë tonë të re në Sarandë…”. Teqeja, në këto vite, ka marrë formën e plotë. Ajo ruan elementët bektashian, me dhoma të bollshme, mejdanin, kafeoxhaku, kuzhina. Ka edhe dhomën muzeale me objekte të shumta origjinale bektashiane.