484 vjet nga themelimi i teqesë “Harabati Baba” në Tetovë. Marrin pjesë Kryegjyshi Botëror dhe përfaqësuesit e ambasadave të BE dhe SHBA

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup, në bashkëpunim me Kregjyshtën Botërore Bektashiane-Tiranë dhe Gjyshatën Bektashiane në Maqedonin e Veriut, organizuan të hënën e 7 shkurtit, në kryeqytetin e saj, Shkup, në ambjentet e Institutit, u zhvillua konferencë shkencore dhe u hap ekspozitë me fotografi e dokumente rreth trashëgimisë së teqesë Harabati Baba. Kjo lidhet ngushtë  me veprën monumentale e klerikut të lartë bektashian, Sersem Ali Dedeit, dhe të gjithë klerikëve të saj, ndër shekuj, që ngritën e mbajtën ndezur çirakun bektashian të Haxhi Bektash Veliut. Me rastin e 484 vjetorin e themelimit të teqesë Harabati Baba. Muarën pjesë në këtë event të rendësishëm: drejtori i ITSHKSH-SH, Prof. Dr. Skënder Asani, Kryegjyshi  Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Maqedonisë, Arben Sulejmani, përfaqësues të lartë diplomatikë nga Ambasadat: Amerikane z. Eric Meyer, Holandeze, z. Dirk Jan Kop, Hungarisë, z. Laszlo Istvan Dux, Këshillit Evropian, z. Lejla Dervishagiq, Gjermane, z. Florian Traeger Steintjes, Ukrainës, z. Volodymyr Verbytskyi, Ukrainës, z. Eben Friedman, OSBE, znj. Adelina Marku, Republikës së Shqipërisë, z. Fatos Reka, Francës, znj. Camille Iboss, Ministrisë së Punëve të Jashtme të RMV, z. Muhamed Rakipi, Drejtoria e te drejtës nderkombetare dhe çështjeve konsullore në RMV, Prof..Dr. Agim Poshka, përfaqësues nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane me seli në Tiranë, Gjyshata Bektashiane e Maqedonisë dhe Gjyshata Bektashiane e Kosovës, Gjyshta Bektashiane Fushë-Krujë.
Në hapje të konferencës, drejtori i këtij Instituti, Prof. Dr. Asani, përshëndeti Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimajn, duke e shquar mik të madh të shqiptarëve në Maqedoni dhe të vetë Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Ai tha se ky Institut po punon me Komunitetin Bektashian që UNESCO-s, t’i propozojnë që ta marrë në mbrojtje kompleksin e Teqesë Harabati Baba në Tetovë. Ndër të tjera drejtori Asani u shpreh: “Ekspozita fotografike dhe dokumentare, kushtuar trashëgimisë kulturore të Harabati-t, është pjesë integrale e strategjisë sonë shkencore e hulumtuese për të fokusuar një vëmendje më të madhe ndaj bashkësive më të vogla kulturore e fetare, por që në thelb përbëjnë pasuri të madhe inspirimi shpirtëror... “Harabati” përbën një nocion të rëndësishëm në trashëgiminë sakrale bektashiane, pasi, që aty është memorja, kujtesa dhe lavdia e këtij komuniteti, përmes kontributit vetëmohues të dhjetëra klerikëve e patriotëve që ruajtën të paprekur kontinuitetin historik të këtij kompleksi kulturor e fetar. Për këtë arsye instituti ynë, me përkushtim ka kultivuar disa nga parimet themelore të diversitetit dhe kulturës së tolerancës, duke i shndërruar këto parime në postulate shkencore që ne arritëm t’i finalizojmë në formë të veprave apo projekteve të ndryshme. Për ne, nuk do të kishte kuptim vetëm angazhimi deklarativ nëse ai nuk do të mbështetej edhe në punën konkrete e praktike, siç edhe doli gjatë punës sonë disavjeçare në botimin e disa veprave kapitale kushtuar çështjeve që kristalizojnë kujtesën tonë historike, siç janë temat mbi shpëtimin e hebrenjve dhe përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar tendencat e mohimit të holokaustit...” Në fund të fjalës së tij, drejtori i ITSHKSH të Shkupit, Profesor Asani, shprehu mirënjohje të thellë kombëtare ndaj bektashinjve, që sipas tij “arriti të ruaj bërthamën e shqiptarizmës në fortunat më të errëta të historisë.” Më pas Kryegjyshi Botërore i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, falenderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë event për nder të 484 vjetorin e themelimit, Teqesë Harabati, si një vlerë kulturore, njerëzore dhe shpirtërore e shqiptarëve edhe të besimeve të tjera. Kryegjyshi vuri theksinnë  momente të rëndësishme të së kaluarës së lavdishme të Teqesë Harabati, por edhe dokumentoiedhe për vlerat  në lëvizjen kombëtare. Ndër të tjera, Kryegjyshi tha: “Në një ditë të ftohtë shkurti, si sot, 484 vjet më parë, me frymën e adhurimit të Sersem Ali Dedeit, te ky vend i bekuar u vu guri i parë i themelit të teqesë së Haxhi Bektashi Veliut. Tarikati Bektashian, në mënyrë të veçant, pas reformës strukturore të ndarë nga Ballëm Sulltani, nisi të ‘pushtojë’ territore të gjëra shpirtërore në viset ballkanike, duke dashur që përmes vëllazërisë të përcillte e të dëshmonte madhështinë e filozofisë e përulësisë që zotëronte. E vërteta është se teqeja Harabati Baba qysh nga dita e gurthemelit të parë e deri më sot, është shkatërruar, djegur, ringritur, shtuar e zgjeruar disa herë përgjatë shekujve. Por misioni i saj nuk ndryshon kurrë. Ka qenë dhe mbetet misionare e urtësisë e dashurisë hyjnore dhe asaj njerëzore. Nga viti në vit, teqeja që na ka mbledhur sot, erdhi duke u rritur jo thjesht në kuptim të mureve e gurëve, por në kuptim shumëherë më domethënës, atë të diturisë të mbushur me ashkun për të Gjithëmëshirshmin, për vëllazërinë e Hakut e të barkut. Teqetë tona, nga Azia e largët e deri në bukurinë e përtej-oqeaneve, dëshmuan kurdoherë se e deshën me shpirt diturinë, e paguan kurdoherë shtrenjt çmimin e saj. Klerikët, myhibët e besimtarët bektashinj, kanë vijuar udhëtimin e tyre shpirtëror përgjatë shekujve duke pasur parasysh kurdoherë thëniet e Profetit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi Të: ‘Mësimi është i detyrueshëm për çdo besimtar, ndërsa mos të mësuarit është mosbindje’, dhe “Dituria është stoli e njeriut dhe mençuria është një gjerdan i florinjtë”. Ky tempull i shenjtë adhurimi, kjo shtëpi e diturisë, Teqe e Tetovës, ka qenë shkollë e edukim për klerikët e besimtarët, jo thjesht në filozofinë e tarikatit tonë, por në mënyrë të veçantë me përgjegjshmërinë e ndjeshmërinë e thellë njerëzore, me tiparet e vyera të moralit bektashian, me idenë e lume se e duam njëri-tjetrin për hir të Zotit të vetëm. Të gjithë ata postmbajtës të kësaj teqeje, duke filluar nga Sersem Ali Dedei, Harabati Baba, Muharrem Baba... e deri te Baba Tahir Emini, me fjalët e tyre të urta e me sakrificate panumërta, me dijen dhe dashurinë e përjetshme për Zotin dhe kombin, edukuan breza të tërë besimtarësh duke shquar këtë vend, ndër më të mrekullueshmit dhe më të vizitueshmit në Ballkan përgjatë shekujve 17-të deri 19-të... Kur flasim për përvjetorë të tillë, sigurisht, nuk mund të harrojmë edhe një tipar po kaq madhështor të shfaqur ndër klerikë e besimtarë të kësaj teqeje, siç janë ndjenjat e fuqishme të besimit. Veçanërisht në shekullin 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të, Teqeja Harabati u shndërrua në vatër të fuqishme të lëvizjes autonomiste për krejt veriun e trojeve tona amtare. Ajo u bë qendra e lëvizjes së takimeve të fshehta e të hapura që burrat shqiptarë ndërmorrën në dobi të pavarësisë kombëtare. Vlen të kujtojmë gjithashtu se pikërisht në vitet 1900-1912, dervishë e baballarë bektashinj, këtu çelën klasat e para të mësimit të gjuhës shqipe, duke u përballur me masa respektive të Perandorisë Osmane; madje, në disa raste duke u dërguar syrgjynë në Azinë e largët. Së bashku me Teqetë Bektashiane në Shkup, Gostivar, Ohër, Kërçovë, Manastir...Ne nuk jemi larguar kurrë dhe nuk do të kemi ndërmend të largohemi në asnjë mënyrë nga misioni i lartë bektashian.. Me urtësinë e mësimeve, besimtarët e kesaj teqeje, me parimet që kemi trashëguar nga të parët tanë, me të drejtën që na jepet nga ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, por edhe me ndihmën e pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë, ne besojmë se shumë shpejt Harabati Baba do të rikthehet në kohërat si kohërat e lavdishme të saj, duke përcjellur paqen e përshpirtshme të këtyre viseve.”
Përshëndetën diplomatë si: Përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Shkup, Eric Meyer, i ngarkuari me punë diplomatike në Ambasadës e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut tha: “Bashkohemi me ju duke mirënjohur trashëgiminë kulturore të Harabati Baba, Teqe, e cila përfaqëson për Maqedoninë e Veriut dhe përtej. Dua të uroj liderët e Komunitetit Bektashian në 484 vjetorin e teqesë Harabati Baba. Kam ardhur në Maqedoni vetëm disa muaj më parë, mezi pres që të vizitoj këtë faltore dhe kompleksin rrëzë maleve të Sharrit. Respektimi i Lirive Fetare është një nga shumë mënyrat se si mund të respektojmë diversitetin dhe trashëgiminë, si pjesë përbërëse të kulturës amerikane. Duke kujtuar njerëzit që emigruan në SHBA 400 vjet më përpara, ishte premtimi për lirinë e besimit që i drejtoi ndaj vendit tonë. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar që të  promovojmë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor, sikurse lirinë fetare, në Shtetet e Bashkuara dhe rrotull botës. Respektimi universal për lirinë e të besuarit, për të gjithë ne, është në bërthamën e synimeve të polikës së jashtme amerikane. Për mëse 20 vjet, Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së besimit, në rreth 200 shtete dhe territore rreth e rrotull botës. E dimë se liria fetare është e drejtë njerëzore, sikur është liria për të shprehur besimin fetar publikisht dhe privatisht. Liria fetare është element thelbësor për zhvillim të demokracive të hapura dhe të qëndrueshme, duke mundësuar njerëzit të japin kontribut të plotë për shoqërinë dhe kulturën...”
Ambasadori Holandeze në Shkup, z. Dirk Jan Kop uroi për përvjetorin e teqesë Harabati Babadh e njëkohësisht u shpreh se ndjehet i nderuar që merr pjesë në këtë aktivitet. Përfaqësuesi diplomatik tha: “Sistemi kushtetues në Evropë është i bazuar në lirinë e fjalës, që përfshin lirinë e besimit. Po kështu, ajo bazohet në barazinë para ligjit, që do të thotë se çdokush trajtohet barabartë, përfshirë entitetet fetare... Në këtë vend, ne vazhdojmë të thërrasim për mbrojtje të të drejtave të minoriteteve fetare, përfshirë bektashinjtë, dhe kërkojmë implementim të verdiktit të Gjykatës Evropiane për të Drejtave të Njeriut, njejtë sikur kërkon Komisioni Evropian çdo vit në raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut. Çdo vit, Qeverisë i është kërkuar të zbatojë këtë verdikt. Por në nivel më të thellë, ju duhet të pyesni veten tuaj besoj, se çfarë bën Kushtetuta juaj për ju. Në vendin tim, kushtetuta nuk përmend ndonjë pakicë të caktuar..., të gjithë janë të barabartë para ligjit. Në vendin tim, kushtetuta nuk përmend ndonjë fe të caktuar, nëse do të do të ngritësh një komunitet fetar duhesh të ndjekësh disa veprime ligjore, që janë të ngjashme me ngritjen e një shoqate, fondacioni a kompanie; nuk duhet të marrësh vendimin e një gjykatësi ose pajtimin e ndokujt, duhet të plotësosh vetëm disa kritere ligjore. ... E kuptoj konstekstin historik, por unë besoj se në këtë vend secili do të ishte më mirë po që se do të të kishit një kushtetutë që përmend vetëm Lirinë dhe Barazinë (pa përfshirë përmendur specifikisht minorancat a mazhorancat etnike ose fetare).”
Ambasadori i Hungarisë, z. Laszlo Istvan Dux, filloi fjalën duke nderuar, siç u shpreh: Shenjtërinë e Tij Dede baba Edmond Brahimaj dhe kolegët diplomatë. Ambasadori Dux tha se do të shpalosë komente personale. Së shpejti do ta përmbyllë misionin e tij në Shkup, e do të zhvendoset në Budapest. Përshkroi se apartamenti ku do të vendoset atje është përballë tyrbes së Gyl Babait. Ambasadori shprehu se tyrbeja e Gyl Babait në Budapest jo vetëm që është ndër monumentet më të bukura atje, por njëkohësisht monumenti më verior bektashian në Evropë. Ambasadori hungarez përkujtoi ngjarjen që zuri vend në Tiranë me rastin e ngritjes së shtatores së Mbretëreshës Gjeraldinë, ku mori pjesë edhe Kryegjyshi i Bektashinjve; tha se jeta e Mbretëreshës Gjeraldinë duhet të jetë shembull për shumëkë, nga ardhja e saj në Shqipëri, jeta në ekzil dhe kthimi në Shqipëri duhet të jetë shembull për tolerancën, paqen e miqësinë.
“Këshilli Evropian është organizatë ndërkombëtare e themeluar për të promovuar dhe mbrojtur liritë njerëzore, demokracinë dhe sundimin e ligjit” – tha Kryetarja e Këshillit Evropian në Shkup, shkëlqësia e saj, zonja Lejla Dervishagiq. Ajo uroi për përvjetorin e teqesë bektashiane Harabati Baba si dhe u shpreh e gatshme për të dhënë kontribut drejt arritjes së qëllimit të përbashkët.
E rëndësishme mbas konferencës  u vizitua nga të pranishmin Ekspozita fotografike, kushtuar trashëgimisë, të teqesë Harabati Baba, kësaj trashëgimie historike, kombëtare e fetare, të vlerave universale dhe rrolit të jashtëzakonshëm të bektashinjve për paqe dhe harmoni fetare ndërmjet popujve me kultura dhe identitete të ndryshme si dhe harmoni e solidaritet për etnitë e ndryshme që jetonin krahas njëri tjetrit.
Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut, Prof. Arben Sulejmani ftoi të marrë fjalën ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Fatos Reka, i cili foli për kontributn e Komunitetit Bektashian për mbarëvajtjen e zhvillimeve shoqërore në Maqedoninë e Veriut dhe më gjërë:“Dihet se Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka një kontribut të veçantë, ashtu si edhe gjithë paraardhësit e tij, për të evidentuar vlerat patriotike, kombëtare e kulturore të Komunitetit Bektashi. Përmes kësaj ekspozite, tregohen vlerat bektashiane të kombit shqiptar. Në emër të Ambasadës (shqiptare) ju uroj suksese e mbarësi dhe gjithë të mirat në rrugëtimin tuaj patriotik.”
Përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane, z. Florian Traeger Steintjes, u shpreh: “Gati 500 vjet më herët, ish-nëpunësi i Perandosë Otomane, Sersem Ali Dedei, erdhi në Tetovë – atë botë një qytet i vogël – me qëllimin që të themelojë dhe të praktikojë udhën e Rendit Bektashian. Pas tij, nxënësi i tij, Harabati Baba bëri Teqenë në Tetovë, që ta përkujtojë jetën e Tij. Deri në ditët e sotme, Rendi Bektashian, është pjesë e popullit shqiptar, dhe njihet për tolerancën dhe çiltërsinë ndaj feve të tjera, çfarë mund të vërehet qartësisht në lutjet e tyre për të gjithë njerëzimin. Gjermania vë në theks lirisë fetare, dhe kjo gjë mund të duket qartësisht në “House of ONE” (shtëpia e përbashkët në një) – një ndërtesë që përbashkon një sinagogë, një kishë dhe një xhami nën një kulm. Nëse të gjithë e kuptojmë njëri-tjetrin mund të jetojmë në harmoni të plotë.”
Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë, Prof. Dr. Arben Sulejmani, shpjegoi në anglisht gjithë ekspozitën dhe historinë e teqesë Harabati Baba për rolin dhe rëndësinë historike e fetare të kësaj vatre fetare e kombëtare ndër shekuj.
Për rolin dhe rëndësinë e teqesë Bektashiane të Tetovës, para të pranishmëve foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryegjyshtatës Botërore Bektashiane, Nuri Çuni, që shpalosi të dhëna të rralla nga historia e gjatë dhe e lavdishme e këtij tempulli dhe kontributi i shquar i klerikëve të saj ndër breza.
Në diskutimet e lira me përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të bektashinjve të Maqedonisë, miqtë ndërkombëtarë shprehën interesim të lartë për Komunitetin Bektashian dhe për teqenë historike Harabati Baba në Tetovë. Pyetjeve të tyre ishte vështirë t’i jepej përgjigje: Si është e mundur që në këtë kohë, në Maqedoninë e Veriut të mos respektohet dhe zbatohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe rrjedhimisht Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut shteti t’i njohë të drejtën?!
Me këtë rast e gjallëruan këtë aktivitet. Këngë fetare bektashiane me këngëtarë të njohur nga trevat e banuara me shqiptarë, nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, (nefeset) u realizuan nga “Zërat e bashkuar”: këngëtarët Ajdari – Bakija.
Përkujtimi i 484 vjetorit të themelimit të teqesë Bektashiane të Tetovës Harabati Baba, vazhdoi në ambientet e teqesë, Tetovë, ku u zhvilluan ritualet përkatëse fetare. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut, Arben Sulejmani, si dhe dervishi i Teqesë Harabari, dervish Abdylmutalib Beqiri, pritën vizitorë të shumtë që erdhën nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova, që të urojnë në këtë përvjetor të një nga teqeve më të rëndësishme të botës bektashiane.
CITATE:
Prof. Skëndër Asani: “Teqeja Harabati Baba të mbrohet nga UNESCO”.
Kryegjyshi, Dede EdmondBrahimaj: “Teqe e Tetovës, ka qenë shkollë e edukim për klerikët e besimtarët, jo thjesht në filozofinë e tarikatit tonë, por në mënyrë të veçantë me përgjegjshmërinë e ndjeshmërinë e thellë njerëzore”.
“Me parimet që kemi trashëguar nga të parët tanë, me të drejtën që na jepet nga ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, por edhe me ndihmën e pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë, ne besojmë se shumë shpejt Harabati Baba do të rikthehet në kohërat si kohërat e lavdishme të saj”.
Përfaqësuesi diplomatik amerikan, Eric Meyer: “Liria fetare është element thelbësor për zhvillim të demokracive të hapura dhe të qëndrueshme, duke mundësuar njerëzit të japin kontribut të plotë për shoqërinë dhe kulturën”.
Ambasadori Holandez, z. Dirk Jan Kop: “(Në Maqedoni) thërrasim për mbrojtje të të drejtave të pakicave fetare, përfshirë bektashinjtë, dhe kërkojmë implementim të verdiktit të Gjykatës Evropiane për të Drejtave të Njeriut”.

Përgatiten
Lorik Bakija
Nuri Çuni