5 MARS 2026, DITËLINDJA E 150-TË E ISH-KRYEGJYSHIT BOTËROR, SALI NIAZI DEDE

E enjtja e 5 marsit 2026, është një ditë e shënuar për bektashinjtë, pasi në këtë ditë, 150 vjet më parë, lindi në Starje të Kolonjës, ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Sali Niazi Dede. Përvjetori i këtij kleriku me kontribute të njohura si fetar e atdhetar, do të kujtohet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe në të gjitha gjyshatat e institucionet bektashiane, brenda dhe jashtë Shqipërisë. “…Më 5 mars, nderojmë, një figurë të lartë, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve Sali Njazi Dede, “Dëshmor i Atdheut”, që të enjten, ka 1450-vjetorin e lindjes. Kryegjyshi Botëror Sali Njazi Dede, me origjinë shqiptar, nga Starja e Kolonjës vendosi për transferimin e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri, u këshillua me këshillat gjyshërore dhe erdhi në Shqipëri më 28 janar 1930. Drita ishte çelur në Shqipëri falë vendimeve historike të Kongresit të Lushnjës i cili mori në mbrojtje besimet fetare… Ai mbetet në histori si një drejtues i aftë, dhe krijues i talentuar i letërsisë fetare, sepse ishte një atdhetar i madh. Mëndja dhe dora e tij nuk firmosi pushtimin e vendit nga Italia më 1939. Ai kishte ndjenjën e lartë të atdhedashurisë dhe e ngriti bektashizmin në Shqipëri në një përmasё të re historike, duke pasuruar traditën bektashiane që vazhdon dhe sot. Me këtë qëndrim vërtetoi thënien e Haxhi Bektash Veliut se me fikjen e dritës nga Lindja, ajo ka për t’u ndezur në Perëndim. …Kjo figurë e ndritur prej kleriku dhe martiri na bën të gjithëve ne krenarë , do të mbetet përjetësisht një figurë e ndritur, si një shembull i shkëlqyer dinjiteti, krenarie, mirësie dhe atdhedashurie. Sali Njazi Dede ishte dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit, ishte modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë!…”-pohon mes të tjerave, …Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba, Edmond Brahimaj…”

Sali Njazi Dede lindi më 1876 në fshatin Starje (Starja) të Kolonjës. Në moshë të re, me familjen e tij emigroi në Turqi, ku përfundoi studimet në gjimnaz. Në moshën 20 vjeçare, filloi studimet fetare në teqenë e Haxhi Bektash Veliut…Në postin e lartë të Kryegjyshit u zgjodh në vitin 1913 në Haxhi Bektash. Me përkushtim, arriti cilësi të larta morali. Shumë shpejt u bë i njohur në rrethin klerikal të Turqisë, Egjiptit, Sirisë, Iranit, Irakut, Greqisë, Rumanisë Bullgarisë, Hungarisë, Jugosllavisë, Shqipërisë etj. Misioni i ngarkuar i dha një përvojë të pasur si klerik, organizator dhe drejtues i aftë i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Në vitin 1925, Ataturku me ligj, ndaloi dhe mbylli teqet bektashiane në Turqi. Në vitin 1929, Kongresi i tretë bektashian në Korçë vendosi që qendra e Kryegjyshatës Bektashiane të vendosej në Shqipëri (mbasi ishin bërë bisedimet disa vjeçare me Sali Njazi Dede e qeverinë shqiptare të Zogut dhe Turqisë). Kryegjysh u vendos të ish sërish Sali Njazi Dede, i cili ka vlera të veçanta në privilegjin dhe në respektin e madh që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve për vendosjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë. Ai bashkëpunoi me qeverinë e asaj kohe për ligjin mbi fenë. I dha dimension të ri bektashizmit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e bashkëpunimin me teqetë në rajon dhe në botë. Ishte krijues i talentuar me mjaftë shkrime. Më 28 nëntor të vitit 1941, Sali Njazi Dede për shkak të mos nënshkrimit prej tij të aktit të kapitullimit të Shqipërisë nga Italia fashiste e vranë mizorisht bashkë me dervishin e tij, Azizin. Ai mbetet një figurë e lartë e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Sali Njazi Dedein. Sali Dede para se të vinte në Shqipëri si Kryegjysh Botëror, ka një aktivitet të madh si klerik e atdhetar në Turqi, Greqi, Egjipt e vende të tjera…

Mes të tjerave, referuar arkivave të kohës, kryesisht atyre turke, shqiptari Sali Njazi Dede, si mik i Mustafa Qemal Ataturkut, ka kontribuar dukshëm dhe në pavarësinë e kombit turk. Sipas këtyre dokumenteve, “..më 17 dhjetor të vitit 1919, Mustafa Qemal Ataturku viziton teqen e Haxhibektashit ku ishte Sali N. Dedej, ku merr mbështetjen morale dhe materiale të tij dhe Xhemaladin Çelebiut për luftën çlirimtare. Sali Dede u bë aq ndikues në përpjekjet e tij në pavarësinë e kombit turk, sa ishte dhe për prosperitetin e popullit të tij’.

Figura emblematike e Sali Njazi Dedeit është nderuar dhe në emetimin e pullës shqiptare në vitin 2001. Ai ka marrë titullin “Dëshmor i Atdheut” vendim nr. 505, datë 20.12.2011, Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut, nga Presidenca është vlerësuar me “Urdhrin e Klasit të Parë” në vitin 1993 dhe “Nderi i Kombit” në vitin 2019. Këto dhe të tjera vlerësime i bëjnë nder jo vetëm besimit bektashian, por krejt Shqipërisë dhe botës.