Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i jepet titulli “Qytetar Nderi i Skraparit”
Dita e djeshme ka qenë e veçantë për bektashinjtë. Përkujtimi i 6 vjetorit të përfundimit të Odeonit në Selinë e Shenjtë Bektashiane, pati dhe një surprizë tjetër: Këshilli Bashkiak i Skraparit, i dorëzoi Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”. Në këtë ceremoni merrnin pjesë klerikët bektashian, krerë e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri, drejtues të institucioneve shtetërore e vendore dhe besimtarë të shumtë. Kjo ceremoni, u parapri me aktivitete të shumta gjatë gjithë ditës, ku me interes ishin ekspozitat fotografike, të përgatitura e paraqitur me përkujdesjen e Nuri Çunit, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Botërore. Fillimisht, të pranishmit në ceremoninë e mbrëmshme, ndoqën filmin dokumentar “Odeoni i Bektashinjve”, ndërsa në vazhdim, përshëndeti Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj. Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, i dorëzoi Kryegjyshit Botëror titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”.
Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian
Pasi i përshëndeti të pranishmit, dede Edmond Brahimaj, bëri një ekspoze të shkurtër të punës së bërë për ndërtimin e Odeonit si dhe pasurimin e tij në këto gjashtë vite. Ndër të tjera, ai tha: Të nderuar miq, personalitete të lartë , të ftuar në eventin e 6 vjetorit të Inaugurimit të Qendrës Multifunksionale, kulturore Fetare, "Odeoni" një vepër unikale jo vetëm për besimtarët bektashinj të kudondodhur në botë por për çdo njeri që ka dëshirë për të mësuar rreth udhës sonë mistike të Islamit , Bektashizmin! Kjo datë mbetet një datë e shënuar për miliona besimtarë bektashinj në mbarë botën dhe njëkohësisht një festë përkujtimore e përvitshme për ‘ta. Kështu ndodh edhe sot, plot gjashtë vite më parë. Përkujtimi i ndërtimit të odeonit, është një vlerësim për rrugën e ndritur të besimit tonë bektashian, një kujtesë dhe obligim për çfarë kanë bërë brezat e klerikëve tanë deri tani dhe çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen. Odeoni që ne përuruam plot gjashtë vite më parë, është pasqyrë e historisë së ndritur 800 vjeçare të bektashizmit që do pasurohet në vazhdimësi. Në këtë ditë ne përkujtojmë me respekt iniciatorët dhe realizuesit e parë të këtij projekti, Ahmet Dede Myftari e Dede Reshat Bardhin, deri tek brezi aktual që materializoi këtë projekt……Faltorja që përuruam përpara 6 vitesh, është pjesa e dukshme dhe simbolika e një besimi të lindur 800 vite më parë. Ajo çfarë e ka bërë këtë tarikat të Islamit, ti mbijetojë shekujve, të fitojë terrene të rinj shpirtërorë, të bashkudhëtojë me vlerat e spikatura të kohërave të sotme, është pikërisht fryma e mirëkuptimit me atë që ke në krah, ndjenja e lume për të ndërtuar ura dashurie në brigjet me fe, etni, raca e mentalitete të ndryshme. Mendimet dhe trashëgimitë diverse, orientimet fetare dhe prirjet kulturore të popujve, ne i kemi parë kurdoherë si pasuri shpirtërore dhe pavarësisht elementëve bazikë, besojmë se s’kemi asgjë për t’u ndarë , përkundrazi, vlen të jemi të bashkuar siç na kërkon edhe vullneti i Krijuesit. Me një ndjenjë krenarie të ligjshme për paraardhësit e mijë, unë dua t’u bëj me dije të gjithëve ju, se milionat e bektashinjve në gjithë botën, ata që inspirojnë të futen në të fshehtat e tarikatit, djem e vajza, burra dhe gra, të panjohur deri më parë, në natën e mejdanit, në prani të Haxhi Bektash Veliut dhe udhëheqësit të tyre shpirtërorë, shndërrohen në vëllezër e motra të përjetshme. …Gjatë këtyre 6 viteve të krijimit të kësaj Qendre, sektori i Arkivit ka përballuar një punë voluminoze në përzgjedhjen dhe sistemimin e dokumenteve të grumbulluara që bëjnë fjalë për aktivitetin e Kryegjyshatës, në aspektin fetar,ekonomik, historik ,kulturor etj. Dokumentet janë të grumbulluara jo vetëm nga institucione të ndryshme shtetërore, por dhe private si dhe nga individë apo familjarë të ndryshëm në të gjithë vendin. Të gjitha këto dokumente i janë nënshtruar përpunimit tekniko-shkencor nga grupi i arkivistëve si dhe më pas është bërë hedhja në sistem e të gjitha dokumenteve të përpunuara. Këto procese janë të dy proceset bazë të punës arkivore që janë të përhershme në këtë institucion. Dokumenti më i hershëm daton në vitin 1847 e duke vazhduar deri në ditët e sotme. Dokumentet që ruhen në arkiv janë jo vetëm në gjuhën shqipe por dhe në arabisht, osmanisht, frëngjisht, anglisht e gjuhë të tjera.
Muzeu i Bektashizmit u përurua me 7 shtator te vitit 2015 dhe është pjesë e Qendrës Kulturore Fetare-Odeonit. Në këtë Muze nëpërmjet dokumenteve, fotove, objekteve apo botimeve të ndryshme, jepet në mënyrë kronologjike historia 800 vjeçare e Bektashizmit. Muzeu përmban 12 stenda dyshe dhe rreth 30 vitrina, me objekte, botime të vjetra dorëshkrime etj. E veçanta e Muzeut janë manekinat me uniformat e Hierarkisë Bektashiane ku do të veçonim atë të personalizuar për Dede Reshat Bardhin. Një element plotësues i Muzeut janë edhe tre monitorët, ku nëpërmjet dokumentarëve e regjistrimeve të ndryshme, jepen teqetë në Shqipëri, Persekutimi I Klerit Bektashian, si dhe riti i përgatitjes së Ashures. Pjesë përbërëse e Muzeut janë dy mjedise: Oxhak-Kafeja dhe Salla e Matemit dhe Ashures. Në vitin 2019, falë dhuratës së çmuar të Piktorit të njohur Omer Kaleshi është shtuar dhe Salla Galeri, me piktura ku figurë kryesore jane dervishët.” Gjatë këtyre 6 viteve në ambientet e Muzeut të Bektashizmit janë kryer veprimtari përkujtimore, promovime librash, shfaqje filmash dokumentarë, ku kanë marrë pjesë, akademikë, profesorë, aktorë të njohur si dhe personalitet të fushave të ndryshme. Muzeu ka ngjallur interes të veçantë për vizitorë vendas e të huaj, si personalitete të shumtë nga vende të ndryshme të botës, ambasadorë, grupe turistike, studiues etj. Muzeu ka rreth 500 objekte origjinale, botime të rralla si dhe dhurata nga personalitete dhe Organizma Botërore. Të gjitha objektet e Muzeut janë të kartelizuara, proces që është në vazhdim. Gjatë këtyre 6 viteve muzeu i bektashizmit ka realizuar 20 ekspozita. Për muzeon kemi realizuar 4 Albume, 6 botime dhe korrektime librash, dhe realizim i filmit dokumentar. Mjediset e bibliotekës përbëhen nga salla e leximit me fonde të hapura dhe ajo e arkivit të saj. Salla me fonde të hapura i shërben lexuesve, studiuesve, klerikëve etj me punonjës Artur Gjini. Në këtë ambient çdo lexues ka mundësi të konsultohet drejtpërdrejtë me literaturën që ajo disponon. Hapësira e arkivit shërben për sigurimin e kopjes unike të çdo titulli, si edhe për ruajtjen e ekzemplarëve të rrallë. Pas një strukturimi tematik, është realizuar procesi i inventarizimit të fondeve, i pasqyruar në librin e inventarit . Gjithashtu është realizuar klasifikimi bibliografik sipas standardeve bashkëkohore ndërkombëtare duke vijuar hap pas hapi me pasurimin e fondeve. Kjo bibliotekë numëron rreth 4 mijë tituj. …Pjesë integrale e kësaj biblioteke janë edhe veprat e Vëllezërve Frashëri të cilave iu është dedikuar një hapësirë e veçantë. Së fundmi janë krijuar edhe dy salla të bibliotekës me tituj e tematika të ndryshme. Fonoteka/Fototeka/filmoteka përmban mbledhje, digjitalizim, inventarizimi dhe botimi i librit me nefese bektashiane të Pëllumb Katroshit. Dokumentarë dhe arkivimi i materialeve të ndryshme gjatë aktiviteteve në vite. Ndërtimi i tempullit bektashian, Odeoni, ka qenë idea e ish Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Dede Ahmet Myftarit, qysh në vitin 1958, dhe e filloi Dede Reshati në janar e vitit 2004 me firmën e ndërtimit Haredin Fratari dhe nën kujdesin e tij deri në vitin 2011 mori formën e plotë arkitekturor. Kjo vepër e vetmja në llojin e vet në të gjithë botën është një ndërthurje e ornamentalistikës islame në traditën shqiptare të ndërtimit. Është përdorur mermer, granit, profir, vitrazhe me arabeska befasuese për nga rafinimi i tyre, kaligrafi arabe gjithmonë shoqëruar me përkthimin shqip të emrave të martirëve të besimit bektashian gjenden në këtë faltore….. Një kontribut në mbarëvajtjen dhe menaxhimin e ndërtimit të Odeonit dhe ristrukturimit të Selisë së Shenjtë ka dhënë departamenti i ekonomisë dhe finanacave të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane me në në krye Jetmir Bodini.
Kjo godinë madhështore i shton Kryegjyshatës Botërore Bektashiane zhvillime të mëtejshme të besimit bektashian; studime hulumtime, botime, filmime dhe komunikimit kombëtar dhe ndërkombëtar duke i dhënë dimesion besimit bektashian në trungun e madh të fesë Islame. Kjo vepër plotësoi një dëshirë të madhe për gjithë besimtarët bektashian, klerikëve dhe Kryegjyshëve Botërorë. Por njëkohësisht ky Tempull i Madh Qendror është një krenari për të gjithë shqiptarët. …Edhe një herë, faleminderit të gjithëve për interesimin dhe pjesëmarrjen! Zoti ju bekoftë! Amin!”.
Titulli “Qytetar Nderi i Skraparit”
Në vazhdim, Adriatik Mema, Kryetar i Bashkisë së Skraparit, përshëndeti të pranishmit. Ndër të tjera, ai tha: “…Jam shumë i lumtur që më jepet rasti sot që të përshëndes këtë audiencë të nderuar me rastin e 6-vjetorit të ndërtimit të Odeonit Bektashian, një materializim i shkëlqyer i një dëshire të kahershme, që fati e solli ta konkretizonte Dede Edmond Brahimaj… …Merita të padiskutueshme, ashtu si dhe paraardhësit e tij, dede Ahmeti e Dede Reshati, ka Dede Edmond Brahimaj. …Si kryetar i Bashkisë së Skraparit, unë jam sot këtu dhe për një arsye tjetër. Kam kënaqësinë që të jem unë ai që do ti dorëzoj Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, titullin e lartë ‘Qytetar Nderi i Skraparit”, të akorduar nga Këshilli Bashkiak Skrapar.
Në fund, ai i dorëzoi Dede Edmond Brahimajt, titullin ‘Qytetar Nderi i Skraparit”, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë si misionar i paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, si dhe përkushtimin e tij në ringritjen e objekteve të kultit Bektashian në Skrapar”.
Dede Edmondi, përshëndeti dhënësin e titullit të lartë.
Përgatiti: K. BORIÇI