7 KORRIK, 150-VJETORI I THEMELIMIT TË TEQESË SË THEREPELIT, SKRAPAR

E premtja e kësaj jave, 7 korrik 2023, është dita e pelegrinazhit në teqenë e Therepelit, Skrapar.
Teqe e Therepelit, ndodhet në fshatin Therepel, Njësia Administrative Vëndreshë, Bashkia e Skraparit. Ajo ka përballë malin e Tomorrit. Teqeja është themeluar nga Baba Beluli në vitin 1873, i cili kishte marrë dorë nga Haxhi Ali Hoqi i teqesë Asim Babai i Gjirokastrës. Ky objekt bektashian dhe klerikët që kanë shërbyer në ‘të, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e përhapjen e bektashizmit dhe në çështjen kombëtare.
Në vijimësi, në këtë teqe drejtoi baba Aliu (1908), baba Halim Therepeli dhe dervish Islam Poliçani (1924-1925). Në vitin 1940 drejtuan teqenë: Baba Halim Therepeli, dervish Qamil Sadik, dervish Hajri Jashari, dervish Islam Janusi, dervish Teki Ismaili, dervish Meleq Xhafer Qato. Në vitin 1952, drejtoi dervish Hysen Merdani. Në vitin 1955 drejtuan klerikët: baba Halim Therepeli deri në prill 1955, i cili kaloi nga jeta; dervish Hysen Qenaj dhe dervish Islam Poliçani. Kurse në vitin 1965 drejtuan baba Ahmed Goxhaj, dervish Hysen Greshica. Ndërsa në vitin 1963, deri në vitin 1967, drejtoi baba Muharrem Limani. Është e ndërtuar, me mur guri dhe rreshta të rregullt një katëshe, drejtkëndëshe, pranë tyrbja me kupolë. Sot është tyrbja me 12 kënde dhe kupolë dhe simbolin bektashian, taxhin. Hyrja me tip ballkoni dhe kolona nga lindja. Ky objekt, varej nga teqeja e Prishtës. U mbyll në vitin 1967 me ndalimin e fesë. U rihap me ringritjen e tyrbes së baba Belulit, në vitin 1992.

Përgatiti:
Xh. ÇULLHAJ