7 QERSHOR, DITA E PELEGRINAZHIT NË TEQENË E QESARAKËS-KOLONJË

Dita e 7 qershorit është një ditë e shënuar për besimtarët bektashianë të trevës së Kolonjës, pasi në këtë ditë, në teqenë e njohur të Qesarakës, është dita e pelegrinazhit tradicional vjetor. Kjo ditë, mbledh në këtë vend të shenjtë, klerikë bektashianë, besimtarë të shumtë e dashamirës të kësaj treve e shumë më gjerë, për të kryer ritet tradicionale, Nuk mungojnë gjithashtu dhe drejtues qendrorë e vendorë si dhe shumë besimtarë emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, ku për arsye ekonomike, kanë emigruar. “… Teqeja e Qesarakës në Kolonjë, një nga objektet bektashiane-monument kulture, ndër dekada e shekuj, ka shërbyer si një qendër e edukimit fetar e atdhetar të brezave të besimtarëve. Edhe sot në këtë ditë, besimtarë të shumtë udhëtojnë e vijnë në Qesarakë, ku luten e falen, meditojnë e bashkëbisedojnë me njeri-tjetrin, duke marr me vete më shumë dashuri për të Madhin Zot dhe shpresë për ditë më të mira në vijimësi…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj,.

…Teqeja e Qesarakës ndodhet në fshatin Qesarak, Njësia Administrative Çlirim, Bashkia e Kolonjës. Është themeluar për nder të shenjtorit Haxhi Babai. Historia, është sa mitike dhe reale. Haqxhi Babai, ka sjellë një dorë dhe ma varri i Abaz Aliut në Qerbela dhe në vitin 1600, ngriti varrin kenotaf për nder tij, në Çukën e Tomorrit. Ndërroi jetë duke udhëtuar në fshatin Qesarakë. Teqeja ka lozur një rol të rëndësishëm ndaj lëvizjes kombëtare dhe për gjuhën shqipe. Petro Nin Luarasi, e kishte strehë këtë teqe.

Në vitin 1914, andartët grekë dogjën teqenë dhe arrestuan baba Ibrahim Qesarakën. Teqeja u rindërtua pas shumë viteve. Teqeja përfshinte ndërtesa një katëshe dhe bodrume në formë drejtkëndshi me mur guri me rreshta të rregullta dhe, ambientet e nevojshme sipas traditës bektashiane. Çatia është mbuluar me rrasa guri. Tyrbja madhështore tip kupolë, ka një arkitekturë të veçantë pozante me dritare të mëdha në mes dhe afër kupolës. Tyrbja ka qenë tre katësh, por e prishën grekët në vitin 1914. Pranë saj janë varre të baballarëve dhe dervishëve. Është e rrethuar me qiparisa dhe pemë të ndryshme frutorë.

Kanë drejtuar këtë teqe shumë baballarë të njohur si: baba Qemal Qesaraka, baba Jahjai, vëllami i Haxhi Babait, dervish Ahmeti, baba Selmani, baba Shukriu, baba Shabani, baba Ibrahim Shkëmb etj… Në vitin 1940, këtu drejtonte dervish Riza Qesaraka. Në periudhën 1950-1963, drejtoi dervish Ahmet Riza Shkëmbi. Në vitin 1967, ajo u mbyll. U rihap në vitin 2000, kohë në të cilën e drejtoi, baba Xhemal Shkëmbi.

Është shpallur monument Kulture nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, me vendim nr. 1886, datë 10. 06.1973.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ