E premtja e 2 qershorit 2023, është një ditë e shënuar përkujtimore për komunitetin bektashian kudo që ndodhet në botë, pasi shënon 75-vjet nga dita e zgjedhjes në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, të klerikut Ahmet Myftar Dede. Kjo ditë, do të përkujtohet në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë dhe në gjyshatat e tjera bektashiane. “…Ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Ahmet Myftar Dede, ka një kontribut të vyer për bektashizmin, ndaj puna dhe shembulli i tij, do të mbetet për ne klerikët dhe miliona besimtar në Shqipëri e në botë, një shembull krenaria, devocioni e përkushtimi në Udhën e Hakut…”-pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
…Dede Ahmeti ka lindur më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës. Mësimet e para në shkollën fillore, i mori në shkollën e fshatit, ndërsa të tjerat, në qytetin e Vlorës. Mbeti jetim qysh herët, por mundi të trashëgoj prej prindërve, dashurinë për dije, dashurinë për atdheun. Prej të afërmve të vet, u mëkua më pas, me dashurinë për besimin e kulluar bektashian. Mbaroi shkollën qytetase në vitet 1924-1929 në Vlorë. Më pas shkon ushtar në Dibër në vitin 1936. Këtu u njohë me baba Zenel Dumen, nga Çepani i Skraparit dhe mori dashurinë dhe besimin te i madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe Islamin në përgjithësi. Ku qëndroi në teqenë e Bllacës në vitet 1937-1939. U vesh dervish në teqenë e Bllacës nga Baba Zeneli. Këtu në teqenë e Bllacës qëndroi dhe shërbeu si dervish nën drejtimin e baba Zenelit, në vitet 1937-1939. Ishte vetëm 22 vjeç kur vishet dervish prej baba Zenelit të teqesë së Bllacës në Dibër dhe bën betimin e shenjtë, për t’i shërbyer rrugës së Hakut. Një vit më vonë, në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetëra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian, zinte vend në zemrat e luftëtarëve.
Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmetit Myftarit, bie në sy të autoriteteve italianë. E thërrasin dhe i thonë duhet të heshtë, duhet shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!”. Në fillim të majit të vitit 1943, e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të “Porto-Rromanos”. Edhe këtu, shpirti i lirë i tij, nuk gjen prehje. Fjala e ngrohtë e tij, bind komunistë dhe nacionalistë, se përpara çdo lloj bindjeje partiake, është atdheu. Me kapitullimin e forcave italiane, e lë kampin e “Porto-Romanos” dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e Komandantit të Qarkut në Martanesh dhe për para tij, çelen dyert e karrierës ushtarake. Provat i kish, aty në vijën e parë, në zjarrin e betejave. Madje në një prej këtyre betejave, u plagos rëndë. Shokët e morën në supe, e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën. Gjithsesi, brenda zëmrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pat dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Me shkrimin e tij të bukur, falënderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945, paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke hedhur në supe harkanë e dervishit bektashi. Më 2 tetor 1945, merr titullin baba dhe shërben plot devocion në teqetë e Baba Hamitit-Elbasan si edhe Kuzum Baba në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Kurse në vitet 1948-1958 organizoi arsimin fetar, u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetëra libra për bektashizmin. Në këto vite i dha hov bektashizmit dhe u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën.
Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqanëve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua arsimi fetar, u nxorën prej arkivave dhjetëra libra për bektashizmin dhe u përkthyen në gjuhën shqipe dhe, zëri i bektashizmit u dëgjua më larg se kurrë. Në Konferencën Ndërkombëtare “Apel Paqes” në Tiranë në vitin 1956, shpalosi mendimet në referatin e Perëndisë. Pas kësaj filloi lufta ndaj tij nga partia-shtet.
Pikërisht kjo gjë nuk mund t’i pëlqente partisë-shtet e cila thuri rrjetën e merimangës dhe me ndihmën e segmenteve të caktuar të sigurimit famëkeq të shtetit, bëri që dede Ahmet Myftari të linte postin e rëndësishëm dhe të kalonte privacionet në vitet e rënda të internimit të dede Ahmetit dhe dervish Reshatit, në Drizar të Mallakstrës. Privacionet dhe torturat u bënë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Por edhe në këto kushte, të dy këta shenjtorë, rrëfyen shpirtin e madh dhe të paepur, rrëfyen vendosmërinë e palëkundur për ta mbajtur të pastër burimin e besimit bektashian.. Një meritë e padiskutueshme gjithashtu e dede Ahmetit, është fakti që frymën e tij, shenjtërinë e tij të panjollosur, ai përcolli plot dashuri, në personalitetin e dede Reshat Bardhit. Ky me përkushtimin e vet, me fuqitë e dhuruara nga Zoti, mundi të mbante gjallë besimin tonë edhe në momentet më të vështira, ato të pas viteve 1967.
Dede Ahmeti, ndërroi jetë, më 10 korrik 1980.
Dede Ahmeti, shtë shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave ,Ahmet Myftar Dedenë. Janë botuar broshura, libra për jetën dhe veprën e e tij, përgatitur filma dokumentarë dhe kalendarë.
Busti i Dede Myftarit është vendosur në qytetin e vlorës dhe në fshatin Brataj.
DISA NGA VLERËSIMET ZYRTARE PËR DEDE AHMETIN:
-Nga Presidenca, Urdhri për Veprimtari Patriotike të Klasit I (pas vdekjes) 16.07.1993
-Qytetar Nderi i Vlorës (pas vdekjes) 30 .10. 2000
-Figurë e shquar në emetimin e pullave Albpost 2001
-Personaliteti i Labërisë, nga Shoqata “Labëria”, 25.02. 2014
-Nga Presidenca, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), 22 shkurt 2016
“Qytetar Nderi i Komunës Brataj “ (pas vdekjes), gusht 2016
-Vendosja e bustit në Qytetin e Vlorës…
-Vendosja e Bustit në Brataj, 2011
-Vendosja e Bustit në Krujë, dhjetor 2021.