91-VJETORI I LINDJES SË DEDE RESHAT BARDHIT. KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE  BABA, EDMOND BRAHIMAJ: DEDE RESHATI, DRITË NË MISIONIN BEKTASHIAN!

Ditën e mërkurë, 4 mars 2026, në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u zhvillua një aktivitet përkujtimor me rastin e 91-vjetorit të lindjes së Ish- Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Reshat Bardhit, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Bektashizmit në Shqipëri dhe më gjerë. Kjo ditë shërbeu si një moment reflektimi dhe nderimi për jetën, veprën dhe kontributin e tij në ruajtjen dhe ringritjen e besimit në periudha të vështira për komunitetin fetar.

Në këtë aktivitet morën pjesë klerikë, besimtarë dhe miq të shumtë të Kryegjyshatës, ndërsa fjalën kryesore e mbajti Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Në mesazhin e tij, ai ndau reflektime mbi jetën dhe misionin shpirtëror të Dede Reshat Bardhit, duke theksuar rolin e tij si një udhëheqës që i kushtoi jetën shërbimit ndaj Zotit, komunitetit dhe vlerave të tolerancës e dashurisë njerëzore.

Fjala e plotë e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj:

“Të nderuar klerikë, besimtarë, miq dhe dashamirës të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane,

Sot, në 4 mars, përulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë përpara kujtimit të Haxhi Dede Baba Reshat Bardhit, në 91-vjetorin e lindjes së tij – një datë që për ne nuk është thjesht një përvjetor kalendarik, por një ditë drite, reflektimi dhe falënderimi ndaj Zotit për dhuratën që i dha këtij komuniteti dhe mbarë kombit.

I lindur më 4 mars 1935 në fshatin Lusëm të Kukësit, ai e nisi rrugëtimin e tij në thjeshtësinë e një familjeje besimtare, ku mësimet e para fetare i mori tek hoxha i fshatit. Aty u mboll fara e dashurisë për Zotin, që më pas do të rritej dhe do të jepte fryte të bekuara për mbarë Bektashizmin. Formimi i tij në Medresenë e Tiranës dhe njohja e gjuhës arabe e thelluan dijen, por mbi të gjitha forcuan përkushtimin e tij ndaj rrugës shpirtërore.

Në vitin 1954, kur u dorëzua dervish tek Kryegjyshi i asaj kohe, Dede Ahmet Ahmataj, ai zgjodhi rrugën e sakrificës, përulësisë dhe shërbimit. Vitet e internimit, nga 1958 deri në 1967 në Drizar të Mallakastrës, ishin sprova të mëdha, por edhe dëshmi e një besimi të pathyeshëm. Në kohë errësire, ai ruajti dritën; në kohë heshtjeje të imponuar, ai ruajti zërin e shpirtit.

Pas vitit 1967, për 23 vjet me radhë, punoi si punëtor i thjeshtë në Ndërmarrjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov” në Tiranë. Por edhe pse i larguar nga shërbimi i dukshëm fetar, ai nuk u largua kurrë nga misioni i tij shpirtëror. Ai e jetoi besimin në heshtje, në përulësi, në punë të ndershme, duke u bërë shembull i asaj që Bektashizmi predikon: se shenjtëria nuk qëndron në fjalë të mëdha, por në zemër të pastër dhe në vepra të drejta.

Me ardhjen e lirisë fetare në vitin 1991, ai u vu në krye të Kryegjyshatës Botërore, duke u bërë rilindësi i Bektashizmit pas dekadave të persekutimit komunist. Ai ringriti jo vetëm institucionin, por edhe shpresën; jo vetëm muret e teqeve, por edhe besimin në zemrat e njerëzve. Me urtësi, maturi dhe përkushtim, ai e udhëhoqi komunitetin drejt një epoke të re, duke e bërë Bektashizmin një zë të fuqishëm të paqes, tolerancës dhe dashurisë ndërfetare.

Sot, në këtë 91-vjetor të lindjes së tij, ne e kujtojmë jo vetëm si një figurë historike, por si një baba shpirtëror, si një shembull të gjallë të njeriut që ju përkushtua Zotit pa kushte. Jeta e tij na mëson se sprovat janë udhë për pastrim, se sakrifica është farë që jep fryte të bekuara dhe se dashuria për Zotin duhet të shndërrohet në shërbim ndaj njerëzve.

Jeta e Haxhi Dede Baba Reshat Bardhit ishte mishërimi i fjalës që ai vetë e jetoi dhe e përcolli me urtësi: se besimi nuk është zhurmë, por dritë e brendshme; nuk është vetëm fjalë, por vepër. Ai na mësonte se Bektashizmi mbahet me zemër të pastër dhe me shërbim ndaj njeriut, sepse rruga e Zotit është rrugë drite dhe kush ecën me përulësi, bëhet vetë dritë për të tjerët. Këto dy mesazhe nuk ishin thjesht thënie për të, por thelbi i jetës së tij: në përulësinë e internimit, në heshtjen e punës së ndershme, në sakrificën e viteve të vështira dhe në misionin e madh të ringritjes së besimit, ai zgjodhi gjithmonë të jetë dritë. Dhe sot, kujtimi i tij mbetet si një kandil i pashuar që na kujton se shpirti që i shërben Zotit dhe njerëzimit me dashuri, jeton përtej kohës.

Le të lutemi që shpirti i tij të prehet në paqen hyjnore dhe drita e tij të vazhdojë të ndriçojë rrugën tonë. Le të mbajmë gjallë amanetin e tij për unitet, për devotshmëri dhe për dashuri të pakushtëzuar.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i Haxhi Dede Baba Reshat Bardhit, dhe qoftë shembulli i tij frymëzim për brezat që do të vijnë. Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin! ”

Ky përkujtim u shndërrua në një moment nderimi dhe mirënjohjeje për trashëgiminë shpirtërore që Dede Reshat Bardhi la pas, duke rikujtuar se vepra dhe shembulli i tij vazhdojnë të jenë frymëzim për komunitetin bektashian dhe për shoqërinë në tërësi. Kujtimi i tij mbetet i gjallë si simbol i përkushtimit, urtësisë dhe shërbimit ndaj Zotit dhe njerëzimit.