4 vjetori i kalimit nga kjo jetë, i baba Ismail Jangullit

Sot, është katër vjetori i ndarjes nga jeta i baba Ismail Jangullit, klerik i teqesë së njohur të Bllacës. Baba Ismaili ka lindur në fshatin Godvi më datën 05.05.1932. Fshati Godvi është pjesë përbërëse e komunës Zerqan, prefektura Dibër. Baba Ismaili u lind dhe u rrit në një familje të madhe patriarkale me tradita patriotike. Patriotizmi i kësaj familje ka qenë dhe është i farkëtuar dhe i shkrirë në rrugën e ndritur të besimit, në tarikatin bektashian. Plaku apo stërgjyshi i këtij fisi, Selim Jangulli, i dha udhë dhe emër të ndritur kësaj kulle të lashtë. Ai e merr besëlidhjen bektashiane në teqenë me emër, atë të Hider Babait në Kërçovë tek Ismail Baba rreth vitit 1771. Edhe tre djemtë e tij Abazi, Aliu dhe Hyseni e marrin nasibin e besëlidhjes bektashiane pikërisht në këtë teqe të bekuar.. Baba Ismail Jangulli është pjesë e këtij zinxhiri plot lavdi. Ai u rrit me edukatën bektashiane që në fëmijëri. Shumë baballarë dhe dervishë ishin bërë pjesë e familjes së tij të madhe. Nëna e tij, Hidja e kishin marrë dorën e besëlidhjes tek baba Zeneli në Bllacë, gjë që ndihmoi drejtpërsëdrejti në  edukimin e këtij djaloshi.
Baba Ismaili, në moshën 23-vjeçare, me datë 22/03/1954, merr besëlidhjen bektashiane tek baba Xhemal Selsa. Baba Ismaili, fillimet e veta i filloi si arsimtar. Ai shërbeu si mësues i ciklit të ulët në shumë fshatra të Peshkopisë. Me vonë, punon në ndërmarrjen e furnizimit të punëtorëve në Thekër të Martaneshit si magazinier, si kuzhinier dhe si shitës dyqani. Me vonë vjen ne Bulqizë dhe punon po në këtë ndërmarrje në punishten e ëmbëlsirave. Pas revolucionit të shkurtit të vitit 1967 ku u prishën të gjithë kultet e besimeve të ndryshme në Shqipëri, Ismail Jangulli e përjeton shumë keq këtë katastrofë. Momenti më i dhimbshëm për babanë e ardhshëm bektashian, ishte kthimi i trupit të shenjtë, të zhvarrosur, të baba Rushit Tollës në Strikcan pas 37 vitesh. Ai ndodhet aty kur kufoma vendoset në dhomën e madhe të Sabri Tolles në Strikcan.  Baba Ismaili në prani të shume banorëve vendas dhe të huaj, e kap dorën e Shenjtë të baba Rushitit, dhe pasi e puth atë, me lot ne sy e ngre ate lart duke ju drejtuar te pranishmeve: “Ja kush është Ehli-Bejti që nuk vdes kurrë!”. Të tubuar në këtë rast, nuk ishin vetëm besimtarë bektashian; aty nuk mungonin edhe informatorë të sigurimit të shtetit, pre’ e të cilëve u bë baba Ismaili.
Më 31/03/1976 arrestohet me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, dhe me ku dënohet me 10-vjet burg. Para se të marrë dënimin  prej 10 viteve burg, trupi gjykues i drejtohet Baba Ismailit: “Shkele këtë fotografi me këmbë dhe do të lirojmë që tani nga salla”. E kishin fjalën për foton e Pirit tonë të ndritur, Haxhi Bektash Veliu, që ja kishin marrë si provë në shtëpinë e tij. Por përgjigja e Babait tonë të nderuar ishte:”Ma bini ta puth atë, ai me ka dënuar mua dhe jo ju!”.
Me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, më datë 12.10.1976, I hiqet dhe medalja që kishte, ajo “Për shërbim të mirë ndaj popullit”.
Vuajtjen e dënimit ai e kreu në Spaç te Mirditës ku nga 10 vite, bëri 5 vjet e 6 muaj. Në vitin 1981 lirohet nga burgu dhe kthehet pranë familjes së tij.
Nga Valikardha që e kishte vendbanimin e dytë, largohet në fshatin Dom të rrethit te Matit, ku nis një jetë të re  plot peripeci e mundim. Me ardhjen  e demokracisë, u rikthye edhe  liria e të besuarit në Zot. Kultet fetare filluan të rindërtohen, ku bashkë me ‘ta, filloi të ndërtohet edhe shpirti i shkatërruar i çdo besimtari. Edhe teqeja e Bllacës, e shkatërruar deri në themel, filloi të hedhë shtat falë ndihmës së pa kursyer të besimtarëve të krahinave siç është Gryka e Madhe, Bulqiza dhe Gryka e Vogël.
Teqeja e Bllacës, sërish ngeli pa shërbim e përkujdesje. Këshilli i teqesë, i shtrënguar nga situata e krijuar, niset për në Tiranë tek Kryegjyshi Botëror  Bektashinjve ku dhe i kërkohet një klerik për shërbim në teqenë e Bllacës. Kryegjyshi u thotë: “Shkoni e të më bini këtu Ismail Jangullin”. Dhe kështu ndodhi. Baba Ismail Jangulli merr në dorëzim teqenë e Bllacës në nëntor të vitit 1997. Në gusht të vitit 1998 vishet dervish për të pritur datën e  shumëpritur të 4 prillit 1999, ku Baba Ismaili merr dekretin e Shenjte te ‘Babait’ nga Haxhi Dede Reshat Bardhi. Baba Ismail Jangulli ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, në ngritjen dhe lartësimin e emrit të mirë të kësaj Teqeje të njohur.
Duke vlerësuar kontributin e baba Ismail Jangullit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera ka pohuar: “ Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ne nderojmë e respektojmë veprën e baba Ismail Jangullit. Ne e nderuam atë në bisedat dhe ceremonitë tona, ne pritëm me kënaqësi titullin ‘Nderi i Kombit’ që myrshidin tonë iu akordua  nga Presidenti i Republikës, ne erdhëm herë pas here tek mezari i tij, në gjoks të maleve dhe u çmallëm me heshtjen tonë. Ne e kemi mbajtur në zemra gjatë gjithë kësaj kohe baba Ismailin, siç iu mbajmë emrat e shquar të qindra dervishëve dhe baballarëve të tjerë, të cilët, vunë në themelet e bektashizmit jo thjeshtë këmbënguljen dhe përkushtimin, por krejt jetën e tyre. Baba Ismail Jangulli ishte dhe mbetet modeli i klerikut të përkushtuar. Madje i përkushtuar ndaj Zotit dhe Haxhi  Bektash Veliut, në kohërat më të vështira që kaluam, në kohërat kur besimi në Zot ndalohej me ligj, me forcë, me ashpërsinë e segmenteve shtetërorë. Ai mbajti të gjallë këtë besim brenda vetes, por ndërkaq nuk u tremb të përcillte atë në çdo besimtar shqiptar që ëndërronte të merrte diçka nga drita e Ehli-Bejtit… Me jetën dhe veprën e baba Ismail Jangullit, lidhet ndërkaq edhe lëvizja e madhe e kësaj treve për t’iu bashkuar ringritjes bektashiane, për të bërë që fjala e urtë e Haxhi Bektash Veliut të rigjejë zemrat e humbura. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se si në fillim të viteve ’90, në këtë vend të bekuar, ky klerik e nisi nga e para dhe me dashurinë ndaj besimit dhe besimtarëve, mundi të ringrejë këtë tempull të dashurisë hyjnore dhe asaj njerëzore. Të gjithë ne nuk harrojmë se bujtës në këtë shtëpi të Zotit, ishin jo vetëm dibranët e zerqanasit, por edhe krutanët, tiranasit e deri besimtarët e Vlorës dhe Lazaratit. Ky është bektashizmi, simbol uniteti dhe solidariteti të thellë…”

Përgatiti:
Xhorxhin Cullhaj