Sot përkujtohet 28-vjetori i kalimit nga jeta i baba Sherif Canometaj (4 gusht 1908-14 shkurt 1994).
Baba Sherif Canonetaj ka lindur më 4 gusht të vitit 1908 në lagjen Carromet, të fshatit malor të Zhapokikës-Tepelenë, në një familje me tradita bektashiane. Familja e tij e mëkoi me dashurinë ndaj Zotit dhe Atdheut. Në moshën 11 vjeç, lexonte lirshëm në shqip dhe arabisht. Në moshën 27 vjeçare, në vitin 1935, merr dorën ‘dervish’, në teqenë e Koshtanit, nga baba Shefqet Koshtani; në vitin 1943, nisi kursin për dervish në Kryegjyshatë, por për arsye të luftës, kursi u ndërpre. E rifilloi dhe kreu kursin dyvjeçar për dervish në Kryegjyshatën Botërore bektashiane, në vitet 1945-1946. Baba Sherifi mësoi edhe me mësues privat, me Hafiz Ali Korçën, i cili qëndronte për çdo vit, dy-tre, muaj në teqenë e Madhe Elbasan. Mësonte gjithashtu edhe në gjuhë të huaj, me mësuesit Qemal Ohri, Novruz Darova, Tasim Dylgjeri etj. Po ashtu, mësoi në filozofi, letërsi, dhe gjuhë të huaja në arabisht, persisht, turqisht dhe italisht. Përjetoi ngjarjet e marsit të vitit 1947 në Kryegjyshatë, vrasjen e baba Fajës dhe baba Fejzës, si dhe futjen në burg për 2-3 muaj të Kryegjyshit Abaz Hilmi Dede. Më pas, më 4 nëntor të vitit 1948, u emërua nga dede Ahmeti baba në teqenë e Greshicës. Më pas ka lëvizur në teqenë e Çorrushit, Mallakastër, teqenë e zallit, në Kryegjyshatë, në teqenë e baba Xhemalit në Elbasan, në teqenë e Martaneshit dhe në vitet 1960-1964, në teqenë e Prishtës-Skrapar. Më pas shkoi në teqenë e Madhe në Elbasan, ku qëndroi deri në vitin 1967, kohë që u ndalu feja me ligj nga regjimi komunist. Mbas kësaj u mor me tregti, shiste cigare për 23 vjet dhe banonte në Elbasan. Në vitet 1967-1990, ai mbajti gjallë besimin bektashian, duke përdorur shtëpinë e vet si teqe, ku me forcën e tij mistike u mëkonte plagët e shpirtit besimtarëve, të cilët nuk ngurruan asnjëherë të kërkonin ndihmën tek ky shërbyes i palodhur… Baba Sherifi, me shenjtërinë e tij, kishte bindur jo vetëm popullin, por edhe autoritetet e kohës, të cilët nuk guxuan asnjëherë të ndalonin veprimtarinë e tij.
Ai njihet me disa mbiemra, si: Carrometi, Canometi, Hajdini, Shabani, Cani dhe Elbasani. Në Elbasan, në apartamentin ku banote, kishte vendosur mbi derën e shtëpisë mbishkrimin “Teqe”, mbiemrin Canometi dhe i pëlqente të thoshte, se ‘jam nga Zhapokika e Tepelenës’, ‘kam lindur në Canometaj’.
Në vitin 1956, Kryegjyshi Botëror, Dede Ahmeti, në ceremoninë e Hashures në Teqenë e Madhe Elbasan e cilësoi baba Sherifin (pohoi): “Pëllumb i bektashizmit”, “ Ju o besimtarë që keni ardhur sot këtu, ju që frekuentoni këtë teqe dhe ju myhib të baba Sherifit jeni me fat, se këtu shërben një nga dy pëllumbat që ka sot bektashizmi shqiptar, shërben fakiri baba Sherifi.”
Baba Sherifi ka shumë vlerësime nga populli i trevave të Tepelenës, Gjirokastrës, Skraparit, Martaneshit, Përmetit, Mallakastrës, Elbasanit, Korçës etj.
Gjatë shërbimit si klerik, me punën e tij, kulturën e gjerë që zotëronte dhe respektin që gëzonte nga të gjithë klerikët dhe besimtarët bektashianë, por edhe në popull, arriti të merrte të gjitha gradat e klerikut bektashian. Në vitin 1965 u bë Halife. Ai la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën popullore dhe bektashizmit. Janë këto vlerë që e lartësojnë figurën e këtij shenjtori. Baba Sherifi mbetet një figurë e shquar e bektashizmit.
Përgatiti:
Nuri Çuni