Sot, 105 vjetori i lindjes i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Ahmet Myftar Dede

Sot është 105 vjetori i lindjes i  ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Ahmet Myftar Dede
“Dede Ahmeti ka dhënë një kontribut të çmuar për bektashizmin, gjë e cila do vlerësohet e do shërbej ndër breza.  Ai ishte një klerik i përkushtuar që ndjente lodhje në Udhën e Hakut, dinte të falte mirësi, dashuri e besim në Zot, kontribuoi maksimalisht për përhapjen e besimit bektashian dhe ngritjen e institucioneve si dhe nuk kurseu mbështetjen dhe kontributin konkret për çlirimin e  vendit nga pushtuesit. Dede Ahmeti, është shembulli më i mirë i aksiomës së njohur bektashiane “Pa atdhe, nuk ka fe”, pasi në vitet e vështira të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai jo vetëm dënoi publikisht pushtimin e vendit, por ishte në ballë të lëvizjes popullore për nevojën e çlirimit me armë në dorë”- pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, dede Ahmet Myftari lind më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës dhe ndërroi jetë në Tiranë në vitin 1980.  Në shkollën e fshatit Brataj ai mori mësimet e para i mori ndërsa të tjerat, në qytetin e Vlorës. Dede Ahmet Myftari, trashëgoi prej prindërve, dashurinë për dije dhe për atdhe. Pasi mbaroi shkollën qytetase në vitet 1924-1929 në Vlorë, në vitin 1936, u dërgua të kryej shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Dibër. Këtu u njoh me baba Zenel Dumen, ndjeu së brendshmi dashurinë dhe besimin te i Madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe islamin në përgjithësi. Pasi mori dorë në teqenë e Bllacës dhe u konsakrua dervish nga baba Zeneli,  në vitet 1937-1939, shërbeu si klerik në po këtë teqe. Ishte vetëm 22 vjeç kur vishet dervish dhe bën betimin e shenjtë, për t’i shërbyer rrugës së Hakut, rrugë të cilës i qëndroi besnik deri në ditën e ndarjes nga jeta. Në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetëra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete  kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian zinte vend në zemrat e luftëtarëve. Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmet Myftarit, bie në sy të autoriteteve italianë. E thërrasin dhe i thonë duhet të heshtë, duhet shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!” Në fillim të majit të vitit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të Porto-Romanos.  Edhe këtu shpirti i lirë i tij, nuk gjen prehje. Fjala e ngrohtë e tij, bind komunist dhe nacionalistë se përpara çdo lloj bindjeje partiake është  atdheu. Atij do  t’i falemi në çdo kohë, me çdo mjet, në çdo  situatë. Me kapitullimin e forcave italiane e lë kampin e Porto-Romanos dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë.  Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandantit të qarkut në Martanesh dhe përpara tij çelen dyert e karrierës ushtarake. Provat i kish dhënë, aty në vijën e parë, në zjarrin e betejave. Madje në një prej këtyre betejave u plagos rëndë. Shokët e morën në supe e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën. Gjithsesi brenda zëmrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pat dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Me shkrimin e tij të bukur, falënderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945,  paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke mbajtur plot dashuri në supe harkanë e dervishit bektashi.
Sipas dokumenteve zyrtare, Ahmet Myftari, pasi merr titullin ‘Baba’, në tri vitet në vazhdim, punon me përkushtim si klerik në teqenë e ‘Baba Hamitit’ në Elbasan dhe më pas në teqenë e ‘Kuzum Babait’ në Vlorë. Në 2 qershor 1948,  me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian.  Për dhjetë vite me radhë, në krye të Selisë së Shenjtë dede Ahmet Myftari përveç ruajtjes të pastër të doktrinës bektashiane, mundësoi arsimin fetar duke bërë me dije edhe dervishin e teqesë më të largët. Në këto  vite i dha hov bektashizmit dhe  u  bë faktor i harmonisë  fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Organizoi një varg lidhjesh të komunitetit bektashian shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën. Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqanëve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua arsimi fetar, u nxorrën prej arkivave dhjetëra libra për bektashizmin dhe u përkthyen këta në gjuhën shqipe duke ndriçuar mistikën e thellë të këtij besimi.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI

Ekspozita për Dede Ahmetin