Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pret Marcos Alonso, Ambasador i Republikës së Spanjës në Shqipëri

Sot më datë 12.03.2021 SHTZ, Marcos Alonso, Ambasador  i Republikës së Spanjës në Shqipëri, zhvilloi një vizitë kortezie në Selinë e Shenjtë Bektashiane, ku u prit dhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Objekt i kësaj vizite ishte njohja e kryediplomatit spanjoll, me aktivitetin e Selisë së Shenjtë Bektashiane, rolin e bektashizmit në forcimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare. situatën e vështirë nga pandemia botërore dhe atë në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në vendin tonë së shpejti.
Biseda vijoi me qëndrime dhe mendime të Kryegjyshit njëkohësisht kreu i në lidhje me situatën politike parazgjedhore dhe kontributin që krerët e komuniteteve fetare duhet të japin në zgjedhje të përfaqësuesve të tyre në parlament, jo  të korruptuar dhe me moral të pastër.
Në mirëkuptim të plotë për bisedën transparente, diplomati mik u njoh nga Dede Edmond Brahimaj dhe për problemet dhe aktivitetin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, institucion që aktualisht, drejtohet nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve. Në bashkëbisedim u trajtuan dhe problematikat ekonomike, kryesisht ato të pronësisë së pa njohur ende ligjërisht që Kryegjyshata Botërore ka, edhe tri dekada nga ndryshimet politike në vend. Kryegjyshi i konfirmoi diplomatit se me gjithë përpjekjet e shumta, kthimi dhe kompensimi i pronave ende vazhdon të ngelet një problem i pazgjidhur për komunitetet fetare në Shqipëri.
Në këtë vizitë, diplomati spanjoll bëri dhe një vizitë në mjediset e odeonit, ku u ka nga afër muzeun bektashian, bibliotekën, galerinë etj. Ambasadori u impresionua nga sa pa dhe u informua, duke shprehur njëkohësisht dhe vlerësimin për misionin dhe përpjekjet e besimit bektashian, të Kryegjyshit Botëror Dede Edmond Brahimaj, në të mirë të forcimit të paqes, dashurisë njerëzore, harmonistë fetare dhe besimit në Zot.

Përgatiti:
Sheldiana JANO
Zyra e Protokollit