Përkujtohet në Vlorë, 421-vjetori i themelimit të teqesë “Kuzum Baba”

Qindra besimtarë bektashianë vendas e të ardhur, u mblodhën të premten e 2 prillit 2021, në Vlorë, për të përkujtuar së bashku 421-vjetorin e themelimit të teqesë “Kuzum Baba”, një nga objektet e njohura të bektashinjve për traditën e lashtë shekullore të këtij besimi të paqtë.
Pjesëmarrja masive dhe ritet e kësaj dite, u bënë nën masat e mbrojtjes nga pandemia e Covid-19. Në ceremoninë përkatëse dhe aktivitetet e kësaj dite, mori pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ishte baba Sadik Ibrokodheli që pasi i uroi mirëseardhjen Kryegjyshit Botëror, e informoi atë për masat rreth aktivitetit si dhe problemet e tjera, me të cilat përballen institucioni dhe bektashinjtë e kësaj treve. Baba Sadiku e falënderoi Kryegjyshin Botëror ndër të tjera, dhe për kontributin që ai ka dhënë në realizimin së fundi të rikonstruksionit të teqesë së lashtë të “Kuzum-Baba”. Në vazhdim, në ceremoninë përkatëse, përshëndeti dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili ndër të tjera tha: Të nderuar besimtarë bektashianë, miq dhe dashamirës të teqesë së Kuzum-Babait! Kam nderin dhe privilegjin të jem sot pranë jush, në këtë ditë të bekuar pelegrinazhi dhe më lejoni t’ju uroj të gjithëve: Gëzuar këtë festë të Ehli-Bejtit! Zoti i Lartësuar ju plotësoftë çdo dëshirë juve dhe familjeve tuaja! Qofshi jetë e mot në vëmendjen e Kuzum-Babait si edhe dhjetra dervishëve dhe baballarëve që kanë shërbyer në këtë teqe! Tarikati bektashian, siç është bërë me dije nga historiografia, ka hedhur hapat e tij të parë në trevat shqiptare, qysh në fillimet e shekullit të 14-të. Dhe që prej kësaj kohe, gjurmët e ndritura të Haxhi Bektash Veliut i gjejmë në trevën e Vlorës sonë.  Nisur me teqenë e Kuzum-Babait, vijuar më tej me teqetë e Kaninës, Smokthinës, Kurorës së Malit, Gjormit, Gorrishtit, Shkozës, Golimbasit, si edhe dhjetëra vendeve të shenjtë, tarikati ynë rritej dita-ditës, duke frymëzuar urtësi dhe paqe, jo vetëm në gjirin tonë, por edhe në marrëdhëniet me fetë dhe besimet e tjerë. Kjo traditë e vyer, e ngjizur gati shtatë shekuj më parë, vazhdon ende sot, të na mbajë të bashkuar në besimtarëve, nën idenë e madhe se feja dhe atdheu janë kurdoherë të pa ndarë. Në mënyrë të veçantë, teqeja e Kuzum-Babait ka luajtur një rol të spikatur jo vetëm në Vlorë e rrethina por edhe në Mallakastër, duke shpërndarë përmes klerikëve të saj, frymën bashkëpunuese dhe duke u përpjekur të organizojë e drejtojë ritet tona, bazuar në kodet zakonorë dhe ligjësitë e ardhura prej urtësisë së Ballëm Sulltanit. Doktrina bektashiane u ruajt në këtë gjyshatë me kujdesin më të madh dhe klerikët që shërbyen këtu, e pasuruan traditën me parimet më të larta njerëzorë. Teqetë e Vlorës sikundër ato të gjithë Shqipërisë, së bashku me besimin e palëkundur në Zot, ushqyen në brezat e besimtarëve, ndjenjat më të pastra të lirisë individuale dhe pavarësisë sonë kombëtare. Klerikët që kanë shërbyer këtu, si: baba Sali Matohasanaj, baba Ahmet Turani, baba Bektash Aliaj, baba Abedin Agaj, dervish Qebir Metlliu, dervish Xhelo Sinani etj, kanë lënë gjurmët e tyre të sakrificës së përjetshme fizike, duke shpërndarë dritën e besimit, duke përçuar përmes diturive të tyre, tiparet më të vyera njerëzore tek mijra ndjekës të tarikatit tonë. Ata mundën të ruajnë të pastër dhe të shëndoshë besimin tonë, sepse vetë jeta e tyre fizike dhe shpirtërore, ishte dhe mbetet shembull i gjallë i devotshmërisë ndaj Krijuesit. Gjej rastin gjithashtu, të kujtoj sot edhe birin e Vlorës, Dede Ahmet Myftarin, cili ka shërbyer për pak kohë në këtë teqe. Aftësitë e tij fetare dhe njerëzore, tejpamësia në zhvillimet e besimeve në Shqipëri, kanë lënë gjurmët e tyre, duke i dhënë nder e lavdi vetë emrit të Haxhi Bektash Veliut. Edhe kur ishte në detyrën e lartë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Ahmeti u përkujdes në çdo moment që kjo teqe dhe gjyshata e Vlorës, të shpërfaqnin po atë dritë të mrekullueshme të bujarisë dhe urtësisë bektashiane. Nder dhe respekt, për Dede Ahmetin, si dhe gjithë klerikët e kësaj gjyshate nëpër vite! U bënë më shumë se një vit, që pandemia botërore po na sulmon tinëzisht, duke shkaktuar dhimbje e drama, në familjet tona biologjike, por edhe në familjen e madhe të tarikatit. Falënderoj sot gjithashtu, vëllanë tim, baba Sadiku Ibrokodhelin dhe sekretarin e Vlorës, Fredi Lilën, për, për punimet e kryer së fundi për rikonstruksionin e teqesë dhe masat për aktivitetin e sotëm. Është kjo arsyeja që ditët tona të pelegrinazheve, nuk e kanë pjesëmarrjen dhe as gjallërinë e tyre të dikurshme. Por ne shpresojmë që me ndihmën e Zotit të Lartësuar, si edhe të vullnetit e kujdesit tonë, kjo e keqe e madhe të largohet një orë e më parë. Prandaj le të mos shkëputemi shpirtërisht nga njëri-tjetri. Le të ofrojmë dashuri e ndihmë edhe në këto kohëra, pa e humbur askurrë shpresën se do të mblidhemi sërish për të festuar në oborret e teqeve tona. Le të bashkojmë lutjet për të mirën tonë dhe të gjithë njerëzimit. Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”.
Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, në vazhdim, priti e bashkëbisedoi me besimtarë të shumtë, drejtues lokal, deputetë e mysafirë që kishin ardhur këtë ditë në Vlorë, për të kujtuar së bashku, 421-vjetorin e themelimit të teqesë “Kuzum Baba”. Në fund, bashkëbisedimi me nefese e këngë bektashiane, vazhdoi në drekën e përbashkët, përgatitur me këtë rast.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI