Përkujtohet 88-vjetori i kalimit nga jeta, i Dervish Sufës

Sot është 88 vjetori i kalimit nga kjo jetë, i Dervish Sufës, klerikut të njohur nga Kruja.  Ai vjen nga një familje e njohur e Kërçinëve në Dibër të Madhe, por që prej kohësh (çereku i parë i shekullit të 18), ishte vendosur në Krujë. Sipas dokumenteve të kohës e dëshmive, fisi Kërçini trashëgoi në breza besimin e kulluar bektashian. Kërçini ishte fis i madh nga ku kanë dalë klerikë të njohur bektashianë si Hajdar Kërçini (Hatemia), baba Sulejmani, dervishi i Suleimani etj. Pas kalimit nga jeta, klerikët e këtij fisi u varrosën në tyrben e madhe dhe tyrben e vogël të teqesë së Gjormit në Krujë. Familja e njohur Kërçini, ka lidhje me fisin e Hatemisë të Gjormit në Mamuras. Kështu, Avlla Kërçini pati dy djem Islamin dhe Mustafain (i vitit 1836). Mustafai u martua me Gonxhen dhe lindën dy djem, Fazlliun dhe Isufin (dervishin e ardhshëm), në vitin 1873.
Mustafai dhe Gonxhia ishin besimtarë dhe myhibë.  Mustafai, pas lindjes së Isufit, u vesh dervish dhe shërbeu në teqenë e ‘Shememi Babai’, në vitet 1879-1880. Pas kalimit nga jeta është varrosur pranë teqesë ‘Shememi Baba’. Trungu i kësaj familje është lidhur edhe me tri fise gjinore, Kërçini, Zhuku dhe  Baltori. Prindërit e Isufit, patën një kujdes të veçantë për të, kurse djali tjetër i madhi, Fazlliu ishte përkrahës i luftës së Tallajbesë të vitit 1906. Ai u vra nga turqit në Mamuras, në vitin 1907. Ata patën edhe një vajzë, Hatixhen, e cila u martuar në Durrës, tek fisi Qehajt.  Jeta e Isufit ishte plot përkujdesje dhe dashuri prindërore, falë kulturës bektashiane, që e mori nga prindërit dhe fisi i tij.  Vizitat në teqen e ‘Shememi Babait’, Ball Efedi dhe ngjitja në malin e Krujës, Sarisalltik në ditët e pelegrinazhit, lanë gjurmë në formimin e tij që nga fëmijëria.  Në vitin 1881, në moshën 8 vjeçare, ai filloi shkollën fillore turke me hoxhë mulla Hysen Topçiun e Parë. Mësimin e bënin tek ‘Xhamia e Varoshit’, ku mësoi lëndët shkrim e këndim turqisht, arabisht, matematikë dhe edukatë fetare. Kuranin e mësonte me endje dhe ishte një nxënës i dalluar. Falë intelektit dhe punës, ai mbaroi shkollën për 3 vjet, pra në vitin 1884. Djali 11 vjeçar dinte shumë sure kuranore përmendësh. Shpesh babai i tij, Mustafai, e çonte tek ‘Teqeja e Shememi Babait’ ku merrte pjesë familjarisht në festat e ceremoni si Sulltan Nevruzi, Matemi, Ashurja, Bajrami i Madh dhe i Vogël, duke u njohur gradualisht me shenjtorët e bektashizmit për Sarisalltikun, Shememi Baban, Hatemin, baba Hysen Kukelin, baba Haxhi Ismail Subashi etj. I ati, dervish Mustafai, kaloi nga jeta në moshën 52-vjeçare, duke e lënë Isufin jetim në moshën 15 vjeçare. Por Isufi eci në rrugën e babait,  jo vetëm si besimtar duke njohu më shumë historinë e bektashizmit. Babai i teqesë ‘Shememi Babai’, Haxhi Ismail Subashi etj, tek ai panë jo vetëm edukatën familjare, shkollën, por dhe cilësitë e veçanta për tu bërë klerik i ardhshëm. Haxhi Ismail Subashi nuk e ndante asnjëherë nga vetja, në bisedat e ëmbla, duke ja rritur përkushtimin për bektashizmin. Kështu, adhurimi erdhi duke u shtuar për të vazhduar rrugën e Hakut duke u bërë myhib. Në vazhdim kaloi dhe provat e përgatitjes si dervish, të 1001 netëve, një kod bektashian që zgjat rreth tre vjet. Dervish Sufa, njohu tek baba Haxhiu dashurinë e madhe ndaj Zotit, Krijuesi i Gjithësisë dhe gradën e lartë shpirtërore të tij. Vizitonte vendet e shenjta në Krujë dhe vende të tjera, ku mori një kulturë të përgjithshme bektashiane. Në vitin 1891 ,kur mbushi të tetëmbëdhjetat, u bë dervish nga myrshidi, Haxhi Ismail Subashi. Mësoi shumë nga baba Haxhiu, jo vetëm kulturën fetare por dhe edukimin për ndjenjën e atdhetarizmit. Burimet historike tregojnë se baba Haxhi Ismail Subashi, së bashku me dervish Sufën, për qëndrimin e tyre antiosman, për dy vite, internohet në Nadan të Turqisë. Pas internimit kthehen të dy në Krujë, duke vazhduar drejtimin e teqesë. Kështu, baba Haxhi Ismaili, nuk e ndante asnjëherë dervishin, në shërbimet fetare dhe administrimin e teqesë. Por shpirti i tyre atdhetar u reflektua dukshëm në vitin 1911, kur zhvillohej lufta në Shkodër me Malin e Zi,. Me urdhër të baba Haxhiu, luftëtarët vullnetarë të Krujës, ushqeheshin nga teqeja e ‘Shememi Babait’, ushqimin të cilin e gatuante dervish Sufa. Është interesant, dhe fakti e përballjes së tyre me Haxhi Qamili, i cili dogji teqetë e Dervish Shabanit, Zemzen Babait, Ballë Efendisë dhe teqenë e Shehut, në Kala. Në këtë situatë të vështirë, baba Haxhiu së bashku me dervish Sufën, iu kundërvunë Haxhi Qamilit me një batalion vullnetarësh nga Kruja duke ndalur djegiet e tjera të teqeve në Krujë. Qëndresa e këtyre klerikëve, u reflektuar dhe kundër pushtimit serb.
Pas këtyre ngjarjeve, në vitin 1917, kur kaloi nga jeta baba Selim Qyshka i Parë, baba Haxhiu transferohet në Hambaraj të Fierit. Baba Haxhiu kaloi nga jeta në Hambaraj në vitin 1920. Dervish Sufa, gjatë kësaj periudhe shërbeu edhe në teqetë e tjera të Krujës, si Haxhi Jahja Baba, në tyrben Byjyk Abdall dhe bënte shpesh herë vizita në zonën e Krujës dhe Dibrës. Ai, shkonte shpesh dhe në Martanesh e në Haxhi Bektash në Turqi. Kështu, ai u bë shumë i njohur në Krujë, por edhe në rrethinat e saj. Dervish Sufa,  jo vetëm që dinte të drejtonte teqenë, por ishte edhe administrator i mirë, dallohej për cilësitë e rralla mistike, ka bërë shumë mrekulli, sa edhe sot i tregojnë besimtarët krutanë. Ky kalender u bë i famshëm se kishte një mendje të ndriçuar. Ai e njihte shumë mirë Kuranin, dinte arabisht etj. Atë e respektonin të gjithë personalitete zyrtare, Abaz Kupi dhe vetë mbreti Zog e njihnin nga afër. Shpesh e lejonin të vinte deri tek zyrat e tyre, edhe hipur mbi gomar. Gjithashtu, është i njohur për mrekullitë e shumta që ka bërë. Ai kaloi nga jeta në 14 prill të vitit 1933. Në këtë kohë teqenë e drejtonte baba Mehmeti, i cili e varrosi ku ndodhet sot tyrbja. Besimtarët e ndiznin kandilin çdo natë.  …Tyrbja iu ndërtua në vitin 1953. Por në vitin e mbrapsht 1967, ajo u prish. Tyrbja e tij u rindërtua në vitin 1994 nga bamirësi i njohur Hysen Goci dhe më vonë është riparuar nga Ali Ramazan Veseli, banor i Mamurasit.
Për dervish Sufën, janë kënduar dhe këngë, të cilat janë transmetuar brezave. Në njërën pas tyre, (pas gjetjes së eshtrave), ndër të tjera thuhet:
Dervish Sufa të qofshim falë ,/
Me gjithë zemër, jo me fjalë,/
Jezitia të munduan,/
Merkatin tënd e sheshuan,/
Shumë kërkova me të gjetë,/
Isharetin e dhe vetë,/
Çave çimeton si harasan,/
E na the: Këtu jam!”.
Besimtarët e Krujës në varrin e tij shkruan këtë epitaf:
“Dervish Sufa të qofshim falë./
Qeramete shumë tregove/
Qoftë i vjetër apo djalë./
Tërë krutanët i nderove.” 
..Dervish Sufa është dekoruar(pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës në vitin 1995 me “Medalje e Veprimtarisë Patriotike”, me motivacionin: “Fetar dhe nacionalist i shquar në luftë kundër pushtuesit për një Shqipëri të lirë e të bashkuar”.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI