Përkujtohet 211 vjetori i themelimit të teqesë së Gllavës

Teqeja e Gllavës, e vendosur jo larg rrugës që shkon nga Këlcyra në Berat, u themelua rreth vitit 1810 nga Sadik Babait, ndërsa pas tij, nga baba Ismaili, që kishte marrë dorën e Haxhi Ali Hoqit, i babait të teqesë “Asim Baba” të Gjirokastrës. Kjo qendër ishte shumë pranë teqesë së Rabijes dhe disa të tjerave në rajon. Zëvendësuesi i baba Ismailit, është baba Medini (në vitin 1912) dhe pas tij, baba Murati, i cili ka punuar me baba Ismailin. Tyrbja e tyre mban vitin 1923. Sipas Hasluck, në fillim të shekullit që shkoi, kjo teqe ishte e varfër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, teqeja drejtohej nga baba Qamili, zëvendësues i baba Medinit, i propozuar prej gjyshatës së Gjirokastrës dhe i emëruar prej Salih Niazi Dedesë në vitin 1939. Baba Shefqet Gllava drejtoi disa vite në vazhdim dhe la emër në këtë trevë. Baba Qamili mori pjesë në luftërat për lirinë e atdheut. Në këtë periudhë, teqeja u bë dhe qendër e luftës kundër pushtuesve italianë. Në korrik të vitit 1943, gjatë operacionit italian, kleriku bektashi u arrestuan  nga italianët, për ndihmën që u jepte luftëtarëve të lirisë. U lirua nga burgu në shtator të vitit 1943. Baba Qamili ishte nacionalist, e donte popullin dhe atdheun. Në teqe, priste dhe përcillte të gjithë pa dallim ideje. Në vitet e luftës antifashiste, ai punonte dhe bashkëpunonte me dervish Rexhebin e teqesë së Zallit. Në vitin 1945, në moshën 45 vjeçar,e në kulmin e veprimtarisë së tij klerikale u pushkatua. Për sa i përket periudhës pas 1945, teqeja funksionoi me baballarë dhe dervish të tjerë si: Baba Abedin Gllava, në vitin 1950-1956; gjysh  Muharrem Dino (viti 1963);  baba Qamil Kapllani nga Vërzhezha e Skraprit etj, deri në vitin 1967, kur u ndalua feja me ligj nga shteti monist. Teqeja u rihap pas viti 1990, duke filluar me ngritjen e tyrbes nga besimtarët e fshatit Gllavë.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI