Sot përkujtohet 24 vjetori i ndarjes na jeta i baba Bajram Mahmutaj. Baba Bajrami lindi, më 18 maj 1906, në fshatin Rabije të Tepelenës në një familje të thjeshtë dhe ndërroi jetë më 30 prill 1997. Prindërit e tij Sadik e Merushe Mahmutaj ishin me besim dhe përkushtim tek bektashizmi. Kjo lidhet edhe me faktin se tradita bektashiane ishte përhapur herët në fshatin Rabije. Atje kishte një teqe, themeluar nga baba Aliu që në shek. XVI. Kjo teqe u bë e njohur në Luftën e Dytë Botërore, si simbol i atdhetarizmit. Më 24 korrik 1943, në këtë teqe dhanë jetën baba Abazi dhe pesë dervishët e tij (dervish Fehimi, dervish Bajrami, dervish Lame dhe dervish Barjam Bardhaj) si edhe njëzete shtatë besimtarë bektashianë). Xhaxhai i tij, baba Muharremi, klerik me edukatë dhe shkollë, i veshur dervish herët kishte qenë baba në teqenë e njohur “Durballi Sulltan”, në Farsala të Greqisë. Në vitin 1890 erdhi në Shqipëri, hapi teqenë, në fshatin Plashnik të Beratit, ku si i angazhuar në Rilindjen Kombëtare, bashkëpunoi me klerikë të shquar të Beratit, si baba Kamber Velabishti, baba Medin Gllava, me Babë Dudë Karbunarën etj. Ata kishin edhe çetat për liri e pavarësi në zonën e Shpiragut, Tërpanit, Gllavës e Vokopolës të Beratit dhe Skraparit. Për këtë veprimtari të tij atdhetare, në vitin 1914, u persekutua nga Haxhi Qamili. Në Rabije, i dogjën shtëpinë e vëllait, Sadikut, të cilin e burgosën në Durrës. Bajramin në moshën shtatë vjeç, e mori në teqenë e Plashnikut, xhaxhai i tij, Muharremi. Baba Muharremi e përgatiti ndër vite, Bajramin e vogël, me dashurinë për Zotin. Më 1925 në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare e vuri të shërbente në teqe, si kandidat për dervish. Dy vjet më vonë, në vitin 1927, Bajrami u vesh dervish dhe punoi pranë kësaj teqeje. Dervish Bajrami gjeti te baba Muharremi, prindin, edukatorin, mësuesin, teologun, atdhetarin shqiptar. Por nuk shkoi shumë dhe më 1929 ndërroi jetë babai i teqesë së Plashnikut. Megjithëse i ri, por me përvojën e fituar në këto vite pranë baba Muharremit, ky mori përsipër të drejtoj, si baba, teqenë. Në një dokument arkivor të datës 8 dhjetor 193,9 firmosur nga Kryegjyshi Botëror Sali Nijazi Dede, në listën e teqeve bektashiane ky klerik është i regjistruar baba, në teqenë e Plashnikut të Beratit. Gjatë luftës teqeja e Velabishtit ishte konak për luftëtarët e lirisë. Me këtë përkushtim dhe vullnet punoi deri në vitin 1945. Pas këtij viti, nisi për të kalvari i vuajtjeve, persekutimi, burgosje, internime. Arrestohet dhe dënohet 15 vite burg nga Gjykata Ushtarake e Beratit, si nacionalist. Kur mbaroi dënimin e burgut për pesëmbëdhjetë vjet, e internojnë në Milot, pranë Urës së Matit, ku qëndroi deri në vitin 1975. Pas vitit 1975, ai qëndroi në familjen e nderuar të Teki Toros, në Durrës. U ribashkua me njerëzit e familjes e të afërmit, prej të cilëve ishte ndarë që prej vitit 1945. Në vitin 1991 u bashkohet nismëtarëve për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane duke punuar me gjithë shpirt, për bektashizmin. …Baba Bajrami, me intelektin dhe thellësinë e ideve, u bë krahu i djathë i Haxhi Dede Reshat Bardhit deri në çastet e fundit të jetës së tij. Ai mori pjesë në shumë ceremoni të rihapjes të teqeve në Shqipëri. Bëri vizitë në ish Qendrën Botërore në Turqi, Haxhi Bektash. Rreth një vit (1992), ai qëndroi në teqenë e Detroitit në SHBA. Baba Rexhebi iu lut të qëndronte në Amerikë. Por baba Bajrami i tha: “Unë jam i moshuar, dua Shqipërinë, të jetoj këto kohë në vendin tim me besimtarët, me njerëzit e mi të dashur!”. Baba Bajrami është “Pishtar i Demokracisë” me motivacion: “I pa përkulur dhe me besimin ndaj Zotit duroj burgjet e torturat e diktaturës për një Shqipëri të lirë, fetare dhe demokratike”. Baba Bajrami ndërroi jetë më 30 prill të vitit 1997 në moshën 91 vjeçare. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi në fjalën e lamtumirës midis të tjerave tha: “Me sy të pamë e s’u ngopëm, të dëgjuam e shumë të deshëm, në rrugën e urtësisë së bashku predikuam dhe për asnjë çast s’të harruam. Me fjalën e ngrohtë e me thjeshtësi rrëmbeve me mijëra dashuri”.
Haxhi Dede Edmond Brahimaj për baba Bajram Mahmutajn
“Baba Bajram Mahmutaj, për gati 7 vite, ka qenë Zëvendës Kryegjysh Botëror. Ai ka qenë dhe mbetet një klerik i rrallë. Kam pasur fatin ta njoh, të punoj me të dhe t’i shërbej në periudhën 1991-1997, në Kryegjyshatë, në biseda e takime, të cilat më kanë lënë mbresa të veçanta. Ruaj shumë kujtime nga kjo njohje e bashkëpunim, mes tyre dhe një intervistë të gjatë me ‘të, e cila do të ishte e fundit në këtë jetë për klerikun. Takimet me të më krijuan staturën e një kleriku të paepur në udhëtimin e tij të hakut, udhëtim i gjatë me punën përkushtuese në dashurinë pakufi tek Krijuesi dhe me bindjen e plotë në dashuri të pashuar ndaj Zotit. Ishte ky udhëtim që e kaloi në gjithë jetën e tij. Por portreti i baba Barjamit ishte i veçantë dhe në moshën 88 vjeçare. Rrudhat dhe thinjat e bënin sa fisnik, të matur, të urtë, të ëmbël, me buzëqeshje dhe plot hijeshi, që vetëm afronte dhe jepte mesazhin dhe gjithë atë kulturë e dije të fituar në jetë dhe vështirësitë e kalvarit të tij dhe familjes gjatë persekutimit 1945-1990. Në çdo bisedë dhe takim ai kishte një moto, ta njohim bektashizmin, rrënjët dhe historinë e tij, sintetizuar në fjalët e arta të themeluesit të bektashizmit, Haxhi Bektash Veliut: “Lutjes së Zotit mos iu nda/ Dijeninë përvetësoje si armë në dorë,/ Mos ki turp të nxësh,/ Mos kërko të metat e tjetrit, shiko të metat e tua,/ Trego drejtësi në çdo punë,/ Mos u ngut kur përgjigjesh. Kurrë mos fol për veten tënde…”.
Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI