Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Një pritje vëllazërore që forcon bashkëpunimin në misionin e përbashkët për paqe, dialog fetar e vëllazëri!
Sot mbushen pesë vite nga takimi zyrtar i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me Papa Françeskun, së Selinë e Shenjtë, në Vatikan. Për Dede Edmond Brahimaj, ky takim i rëndësishëm zyrtar, pritja dhe bisedat konstuktive, forcuan më tej bashkëpunimin në misionin e përbashkët për paqe, dialog fetar e vëllazëri!
“Ftesa e Kreut të Selisë së Shenjtë për vizitën zyrtare dyditore të delegacionit tëKryegjyshatës Botërore Bektashiane në Vatikan, në datat 10-11 maj të vitit 2015, ishte në ftesë e mirëpritur dhe që u realizua me sukses të plotë. Takimet me klerikët e funksionarët e Selisë së Vatikanit, sidomos pritja e veçantë dhe biseda me Papa Franceskun, forcoi më tej bashkëpunimin, miqësinë dhe punën e misionit tonë të përbashkët për paqe, mirësi, tolerancë fetare e vëllazëri kudo në botë. Jemi takuar dhe herë të tjera me Papën e Romës, takime të cilat synojnë forcimin e mëtejshëm të misionit tonë..”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Takimi i Kryegjyshit Bektashian me Papën e Romës
Momenti më i rëndësishëm i vizitës zyrtare, (në datat 10-11 maj të vitit 2016), të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj në Selinë e Shenjtë në Vatikan, me ftesën e Papës, ishte takimi me Papa Franceskun. Takimi që zgjati 45 minuta (tej parashikimi protokolar), u zhvillua paraditen e 11 majit. Delegacionit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, i ishte bashkëngjitur dhe Visar Xhiti, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Shqipërisë në Vatikan. Ishte hera e parë që bashkësia e bektashinjve takohet me Pasardhësin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjë që i jep vizitës së këtij delegacioni karakter të rëndësishëm historik, siç e theksoi dhe Radio Vatikani, seksioni i gjuhës shqipe, në lajmet e veta …. Në momenti e takimit, Papa theksoi “Jam i lumtur që pres një mik të mirë nga Shqipëria!”, ndërsa vlerësimi i Kryegjyshit Botëqror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj e quajti Papa Françeskun “Vëllai i madh, që punon për paqen botërore!” Në këtë bisedë tejet miqësore, Papa Francesku, ndër të tjera theksoi: “…Kam mbresa shumë të mira nga vizita në Shqipëri, më bëri përshtypje rinia. Jam i befasuar nga historia e martirëve shqiptarë. …Shqiptarët janë në rrugë të drejtë, drejt zotit dhe përparimitPopullit shqiptar i jap me gjithë zemër bekimin tim dhe lus Zotin ta mbrojë, ta ndihmojë të ecë përpara e kurrë, kurrë, kurrë të mos lejojë luftën ndërmjet bijve të tij. Amen!”. Vlerësimet e ndërsjellta mes Papës e Kryegjyshit për misionet që ata kryejnë, përfshinë dhe mendimet e tyre dhe angazhimet për forcimin e respektit, bashkëpunimit e forcimit të bashkëjetesës, dialogut ndërfetar, përpjekjeve për paqe, urtësi e mirësi. Pas takimit të përzemërt, po më 11 maj, Kryegjyshi dha një intervistë të zgjeruar për Radio-Vatikanin.
Jehona e takimit
Takimi i Papa Franceskut me Dede Edmond Brahimajn, pati jehonë në mediet botërore në kohë reale dhe në vijimësi. Përveç transmetimeve në Radio-Vatikan, agjenci e gazeta i dhanë hapësira të konsiderueshme këtij eventi. Gazeta e Vatikanit, e përditëshmja “L’Osservaçore Romano” (12 maj 2012) botoi një shënim për vizitën dy ditore të delegacionit bektashin nga Shqipëria me titull “Në shenjën e vëllazërisë”, shoqëruar dhe me një foto, ku janë të kapur nga krahët miqësisht Baba Mondi me Papa Françeskun, me diçiturën: Audiencë e Papës me Kreun e Bektashinjve. Ndërkaq takimi kulmoi kur Papa Françesku bekoi shqiptarët, mediat si ANSA, Radio Vatikani, etj, i bënë jehonë asaj që Papa tha: “Popullit shqiptar i jap me gjithë zemër bekimin tim dhe lus Zotin ta mbrojë, ta ndihmojë të ecë përpara e kurrë, kurrë, kurrë të mos lejojë luftën ndërmjet bijve të tij. Amen
Përjetime nga takimi
Gazetari Ferdinant Samarxhiu, i cili shoqëroi Kryegjyshin Botëror Bektashian në këtë vizitë të rrallë, në kujtimet e tij shprehet:“Çaste të paharruara!… Drejtori i Radio Vatikanit për gjuhën shqipe, miku im dhe i Shqipërisë, Dom David Xhuxha, (i vetmi që shoqëroi Papën në makinë, së bashku me Mons. Rrok Mirditën, në vizitën në Shqipëri), ndihmoi që të konsiderohej si një rast tepër i veçantë, që të na jepej leja që kamera jonë të fiksonte pamjet historike të këtij takimi. Dhe ashtu ndodhi. Të gjithë prisnim ardhjen e Papës. Dhe hierarkët e lartë të Vatikanit ishin me fat që me këtë rast e takonin.Hyrja në sheshin e Vatikanit na bëri që të përjetojmë çaste të paharruara… Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj u prit nga Papa i Romës si një lider vizionar i kohës, flamurtar i dashurisë në rrugën e Zotit, që kërkon ta përçojë në zemrat e njerëzve, të lindë tek ata dashurinë për Zotin, rrugën që përcjell, po udhëheq bektashizmin në horizont me vizionin e kohës, po lufton që të përhapë këtë besim jo vetëm në 31 vende të botës, me objekte kulti të këtij besimi, dhe ta përhapë më gjerë në shoqërinë e sotme njerëzore. Mbetet e paharruar momenti i takimit kur Papa tha: Pres një mik të mirë nga Shqipëria! Mesazhin e Papës, që unë e përjetoj për vendin tim, me një nostalgji të veçantë nga Ati i Shenjtë,na kish pushtuar mendjet dhe zemrat tona, të Kryegjyshit në radhë të parë, por edhe timen si gazetar që do të përcillja mesazhet e takimit historik, të rrallëndodhur, të Atit të Shenjtë…!”
SOM
Dede Edmond Brahimaj: Ftesa e Kreut të Selisë së Shenjtë për vizitën zyrtare dyditore të delegacionit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Vatikan, në datat 10-11 maj të vitit 2015, ishte në ftesë e mirëpritur dhe që u realizua me sukses të plotë. Takimet me klerikët e funksionarët e Selisë së Vatikanit, sidomos pritja e veçantë dhe biseda me Papa Franceskun, forcoi më tej bashkëpunimin, miqësinë dhe punën e misionit tonë të përbashkët për paqe, mirësi, tolerancë fetare e vëllazëri kudo në botë. Jemi takuar dhe herë të tjera me Papën e Romës, takime të cilat synojnë forcimin e mëtejshëm të misionit tonë..”
Përgatiti faqen: Kujtim BORIÇI