Ditën e martë, më datë 11 maj 2021, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, ka shtruar një iftar me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Të pranishëm në iftar ishin: ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim, ambasadori i Izraelit në Shqipëri Noah Gendler, përfaqësues të vendeve miq të akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të mediave dhe gazetarë, miq e dashamirës të bektashizmit.
Kryegjyshi Botëror ka falenderuar pjesmarrësit në iftarin e shtruar në këtë muaj të Shenjtë dhe ndër të tjera është shprehur: “Shumë të nderuar vëllezër të mij, lider të feve dhe besimeve në Shqipëri! Shumë të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë, përfaqësues të vendeve miq të akredituar në Tiranë! I nderuar miku dhe bashkëpuntor i Selisë së Shenjtë Bektashianë në Tiranë, Ambasador i Izraelit, Z. Noah Gal Gendler! Të nderuar të ftuar, miq e dashamirës të bektashizmit! Jam shumë i lumtur që jemi sonte së bashku, në këtë darkë iftari, në këtë tryezë kuvendi dhe dashurie, në përmbyllje të muajit të bekuar dhe plot sakrifica të Ramazanit. Paqja dhe bekimet e Zotit të Lartësuar, qofshin mbi gjithë ata që agjëruan moralisht, shpirtërisht dhe fizikisht, por edhe mbi gjithë të tjerët, jo myslimanë të cilët me mirësitë e tyre na i bënë më të lehtë këtë muaj! Për ne bektashinjtë, sikundër për gjithë myslimanët, nuk ka gjë më domëthënëse se sa këto mbrëmje të përbashkëta, me të krishterë ortodoks e katolikë, me ungjillorë, me përfaqësues të tarikateve, me besimtarë hebrenj dhe të besimeve të tjerë. Dhe vetë Zoti i Lartësuar kënaqet kur na sheh kështu, së bashku, në vëllazërinë e Shenjtë të devocionit ndaj Tij, në unitetin e mrekullueshëm fetar dhe njerëzor. Më vjen sinqerisht shumë mirë, të përsëris shpesh në raste të tilla, konsideratën e lartë të Papa Françeskut, i cili para pak vitesh, në vizitën e tij në Shqipëri, këtë frymë bashkëpunimi dhe harmoni tonën e quajti “vëllazëri fetare”. Veçanërisht ne, përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare në vendin tonë, duhet të mendojmë e punojmë në çdo rrahje të zemrës sonë, duke manifestuar dëshirat dhe përpjekjet për liritë dhe paqen fetare jo thjesht këtu, në Ballkan apo Evropë, por në krejt shpirtrat e besimtarëve. Të tillë, të bashkuar, do të jemi më pranë vëmendjes së Zotit, më pranë dashurisë njerëzore dhe vlerave universale të qytetërimit të kësaj epoke. Edhe një herë, ju faleminderit të gjithëve dhe veçanërisht Shkëlqesisë së Saj, Ambasadores Juri Kim, e cila megjithë agjendën e ngarkuar gjeti kohë të ndajë me ne këtë darkë iftari! Zoti ju dhëntë paqe e begati në punët tuaja dhe në familjet tuaja! “
Ambasadori i Izraelit Noah Gendler në fjalën e rastit u shpreh: “ Hirësia Juaj Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Të nderuar Zonja dhe Zotërinj, Ndërsa po i afrohemi fundit të muajit të Ramazanit, më lejoni t’ju uroj përzemërsisht Ramazanin. Ky është muaji i sakrificës dhe ndërgjegjesimit, të shpresës dhe përkushtimit, të paqes dhe humanizmit! Vlera këto që lartësojnë rolin e individit në shoqëri dhe për rrjedhojë krijojnë themelet e një shoqërie të shëndoshë, mbi te cilën mund të ndërtohet e sigurt e ardhmja e popujve. Vetëm nëse solidarizohemi me njëri-tjetrin dhe promovojmë të tilla vlera do te kuptojmë se mes feve ka shumë më shumë të përbashkëta sesa ndasi, dhe se ndasitë në fakt janë aq të pa përfillshme kur ne fokusohemi tek thelbi, tek vlerat morale dhe njerëzore të cilat promovohen prej secilës nga fetë monoteiste. Shqipëria është shembulli më i mirë i mishërimit të këtyre vlerave, duke spikatur për bashkëjetesën dhe tolerancën fetare. Ndihem i privilegjuar që pata mundësinë të njoh nga afër popullin tuaj, dhe të mesoj mbi lavdinë e tij pergjatë historisë. Zoti na udhëzoftë që ta duam jetën, ta respektojmë ate me të gjithë ngjyrat e saj, dhe te jemi promovues të paqes dhe bashkëpunimit mes njerëzve dhe mes popujve!”
Ndërsa Diplomatja Amerikane, Yuri Kim, me anë të një postimi në twitter është shprehur: “Faleminderit Baba Edmond Brahimaj dhe ambasadorit Izraelit Noah Gendler për bashkë-pritjen e iftarit të mbrëmjes. Shumë e veçantë për të ndarë bukën me miqtë e të gjitha besimeve. Gëzuar Ramazanin!”
Përgatiti
Xhorxhin Cullhaj