Sot, Ditëlindja e Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, sot ka ditëlindjen, mbush 62 vjeç. Sot, ai pret urime nga bektashinj e personalitete dhe pret vizita në Selinë e Shenjtë. Dede Edmondi,  ka lindur në Tiranë më 19 maj të vitit 1959, prej prindërish besimtarë të devotshëm të bektashizmit, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, “Dëshmorët e Lirisë” vazhdon studimet në shkollën e mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, të cilën e përfundoi me rezultate shumë të mira. Në vazhdim i jepet e drejta për të ndjekur studimet e larta ushtarake, në Akademinë e Forcave Tokësore, sot Akademia Ushtarake “Skënderbej’. Nga viti 1982 dhe deri më vitin 1990 ka shërbyer në funksione të ndryshme ushtarake, në Burrel, Peshkopi e Librazhd. Me ringjalljen e besimit bektashian në fund të viteve 90-të, së bashku me klerikë dhe besimtarë të tjerë, merr pjesë në Këshillin Organizativ të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Në fillim të vitit 1991, me kërkesën e tij lirohet nga funksionet ushtarake, duke marrë përsipër bashkë me të tjerë, barrën për organizimin e Komunitetit Bektashian. Vlen të theksojmë se edhe në kushtet më të vështira, atëherë kur ushtrimi i besimit fetarë në Shqipëri u ndalua me  nen të veçantë të Kushtetutës, shtëpia e prindërve të tij në Tiranë ka shërbyer për mbajtjen gjallë të bektashizmit, duke u rrezikuar shumë prej regjimit që nuk falte.
Në vitet 1991-1994, kohë në të cilën ai ishte myhyr e kandidat për dervish, ka bërë të gjitha punët, si punëtor krahu, si bari, si roje, në shërbim të baballarëve, por dhe në zgjidhje të tjera në problemet që kishte Kryegjyshata me faktorë të tjerë.
Më 2 janar të vitit 1992, ai merr dorë tek udhëheqësi i tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe  Baba Barjam Mahmutaj, duke u inkuadruar kështu përfundimisht në rrugën e Pirit të ndritur Haxhi Bektash Veliut. Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin “Dervish” dhe, menjëherë ngarkohet me detyrë në Gjyshatën Bektashiane Korçë, në Teqenë e njohur të Turanit.
Puna e palodhur e tij për kontinuitetin dhe ringritjen e besimit bektashian në Librazhd, Pogradec, Mokër, Korçë, Devoll dhe Kavajë, bëri që më 13 prill të vitit 1997, të dekretohet me titullin “Baba”. Pas kalimit nga kjo jetë i baba Bajram Mahmutajt, caktohet si zëvendës i parë i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Në këtë funksion të lartë, kontributi i tij ka qenë i çmuar, sidomos në ideimin, përgatitjen dhe realizimin e tri kongreseve të radhës të bektashizmit. Madje, në dy kongreset e fundit ( Tiranë 2000 dhe 2005) ka  raportuar në cilësinë e përgjegjësit në emër të Këshillit të Lartë Gjyshëror.
Në marsin e vitit 2006, me kalimin nga jeta të Baba Tahir Eminit, gjithashtu emërohet në funksionin e gjyshit të gjyshatës bektashiane në Maqedoni. Kontributi i tij në këtë gjyshatë ka qenë sa në rrafsh të organizimit të komuniteteve të besimtarëve atje, dhe në aspektin e njohjes prej ndërkombëtarëve. Si në Korçë edhe në Tetovë, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ka manifestuar cilësitë e spikatura të klerikut bektashian në aspektin doktrinor, moral dhe qytetar, duke u shndërruar në faktorin e tolerancës fetare midis besimeve të tjera.
Në vitin 2004 për kontributin e çmuar të tij, Këshilli Bashkiak i Qarkut të Korçës e ka nderuar me titullin më të lartë “Nderi i Qarkut të Korçës”.
Dede Edmond Brahimaj, ka marrë shumë falënderime dhe konsiderata të larta prej qeverive të Shqipërisë, asaj të Maqedonisë, të Kosovës, faktorëve të shoqërisë civile, përfaqësitë diplomatike etj. Trupi diplomatik i akredituar në Shkup e ka vlerësuar lart, zyrtarisht, si njeri me të gjitha atributet e një  prijësi fetar, posaçërisht për rolin e tij paqësor në  teqenë “Harabati Baba”, teqenë në Tetovë etj. Roli i tij si klerik, atdhetar e intelektual, mënyra e përballjes me  diskriminimin ligjor ndaj Komunitetit Bektashian në trevat e Maqedonisë Veriore, duke përdorur urtësinë, zgjuarsinë, peshën e mendimit dhe të fjalës, dhanë rezultate që shumëkush nuk i priste. Falë këtij përkushtimi dhe kësaj pune, u arrit që Gjykata Ndërkombëtare e Strazburgut, me ligj të veçantë, t’u kthej bektashinjve disa mjedise të zëna forcërisht nga disa qarqe ekstremiste.
Që nga viti 1992 e në vazhdim, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka marrë pjesë në  trajnime të organizatave prestigjioze ndërkombëtare, kurse doktrinore, simpoziume dhe  veprimtari të ndryshme me karakter fetar, human dhe social, ku edhe ka referuar, duke çuar aty zërin dhe eksperiencat e komuniteteve bektashiane të kudondodhura në botë. Kështu më 1966, ai referoi në Teheran, lidhur me tolerancën bektashiane në trevat e Ballkanit. Më 14 qershor 2003, në Konferencën Ndërkombëtare “Fetë dhe Civilizimet në  mijëvjeçarin e ri”, referon rreth sfidave të bektashizmit në të ardhmen. Në qershor 2004, në kuadër të trajnimeve të organizatës të Komuniteteve fetare tradicionale shqiptare, viziton shtëpinë e Bardhë në SHBA. Nga bordi i kësaj organizate ka merituar titullin “Ambasadori i Paqes”. Ka shkuar në SHBA i ftuar nga Departamenti i Shtetit dhe nga  ambasada amerikane në Shqipëri për një periudhë 21 ditore për “Diversitetin e  fesë në SHBA”. Dede Edmond Brahimaj, ka marrë pjesë disa herë në festimet e 16 gushtit në Haxhi Bektash të Turqisë, ku është pritur nga drejtues të lartë të shtetit turk si edhe ata të Institutit “Haxhi Bektash Veliut” pranë  Universitetit të Gazit në Turqi. Gjithashtu, ka qenë i pranishëm dhe ka kontribuar me ligjëratat e tij në veprimtari analoge në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Ohër, Stamboll, Ankara, Afiyon, Shtutgart Keln, Greqi dhe në Detroit të SHBA -së. Dede Edmond Brahimaj, ka qenë pjesëmarrës në pelegrinazhin Botërore  për Haxhillëk në Mekë, vitin 204; ka marrë pjesë në vizita në vende të shenjta në Jeruzalem në Izrael, në vitin 2007; ka qenë i ftuar në Kongresin e 33-të Botëror për “Liritë Fetare” në Indi dhe ka ndezur pishtarin të këtij aktiviteti së bashku me udhëheqësin e shquar fetar Dalai Lama; ka marrë pjesë në tri konferenca Botërore mbi fenë në Maqedoni në vitet 2006-2011.
Në kurikulën e arsimimit të tij të lartë, ndër të tjera, përfshihen dhe studimet për Juristikën, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Maqedoni.
Me vendim ekstra, datë 11.06.2011 (160, në protokoll, datë 04.07.2011) të Këshillit të Lartë Gjyshërorë të Kryegjyshatës Botërore, pas kalimit nga jeta e Haxhi Dede Reshat Bardhit më 11.06.2011, Dede Edmond Brahimaj është zgjedhur në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Këto vite, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ka punuar me përkushtim duke vazhduar rrugën e Dede Reshatit Bardhit, traditën bektashiane në marrëdhënie institucionale brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, ka pasur dhe ka një axhendë të ngjeshur në veprimtaritë e ndryshme ndërkombëtare nëpër botë, ku ndër ‘to përmendim: Takimi me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës për çështjet fetare në vitin 2012; takimi me personalitete të lartë të Turqisë, Kryeministrin Erdogan, Presidentin turk dhe përfaqësues të e lartë të Komunitetit Mysliman të Turqisë në vitin 2013; është pjesëmarrës në konferencën për 100 vjetorin e Shoqërisë “Vatra” në vitin 2013;  është takuar me personalitete të Shtëpisë së Bardhë në SHBA, përfshi Sekretarin e Shtetit Xhon Kerri më 2013; është pjesëmarrës në Konferencën Botërore për paqe në Pejë të Kosovës, viti 2013; ka vizituar vendet e shenjta të Irakut në qytetet Nexhef, Qerbela, Kufe, Bagdat, në prill 2014; merr pjesë në Samitin për Paqen në Seul në shtator 2014; ka marrë pjesë në veprimtarinë ndërkombëtare për paqe mes popujve 9-12 tetor, Palermo-Itali, 2014 etj. Dede Edmond Brahimi është takuar me Papa Françesku në Tiranë më 21 shator 2014 dhe është pritur nga Papa i Romës, i ftuar nga Vatikani, më 11 maj 2016. Një nga ngjarjet e veçanta e Dede Edmond Brahimajt, është pjesëmarrja së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në ‘Marshimin e Paqes’, homazh në solidaritet mbarëkombëtar pas tragjedisë ku si pasojë e aktit terrorist ndaj revistës :Çharlie Hebdo” humbën jetën 12 vetë.
Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera i janë akorduar tituj e medalje të ndryshme, ndër të cilat: Urdhëri “ Kalorsi i Skënderbeut”, më 7 shtator 2015 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë; “Mirënjohje” nga Presidentin Barak Obama, në SHBA, në janar 2017; Dr. Honorus Causa, nga Misioni OKB, në shtator të vitit 2016; ‘Ambasador i Paqes” në vitin 2004; në mbi 15 qytete, Dede Edmond Brahimajt, i është dhënë titulli “Qytetar Nderi” etj…